Lev Tolstoi, erdhi si një shenjtor, mëtoi si heretik, iku si një asket



Albert Vataj

Melodramatike është ikja e tij. Tash 105 vite më parë u shua në mënyrë të potershme, një prej më të mëdhenjve të letërsisë botërore, ai, Lev Tolstoi. Iku duke zgjedhur të ishte deri në fund një vetanak në formësi dhe përmjatësoren e tij. Një prej penave më të fuqishme të shpirtit rus, kremtja më e hyjshme estetike e një botkuptimi dhe gjëneza më e njimendtë që gatoi njerëzimi. Një pjesë vitale, e dengur dhe e dehur nga hapësira e një lirie që formësohej mbi qiellin e tij, qiell i cili thyhet sapo ai kërkoi ta mbushte me fluturim. Erdhi në jetë më 9 gusht 1828. Jeta dhe vepra e shkrimtarit të madh të "Ana Karenina", "Lufta dhe Paqja", dhe një galerie të pamatë romanesh e qëmtesash letrare, nuk copëzohen nga gjithçka që e gjurmoi deri sot e përgjithmonë, lavdia dhe misteri, filozofia dhe kumti i një shpirti ngadhnjimtar dhe një zemre që kungonte dhe predikonte liri. Një zot në zotërimin e tij mental dhe fizik, ngjizej tek ai. Një shenjtor që u përndoq nga ferri, nga demonët e asaj realeje, me të cilën u kacafyt deri në dekikun e mbramë. Luftoi dhe nuk u nënshtrua asnjëherë. Në kryeradhën e përballjes vendosi një qëndresë kushtruese për çdo themel dinjiteti njerëzor që ngrihet mbi asgjën dhe boshin e së rëndomtes. Deri në çastin e fundmë, i tillë, kryenaltë dhe i vendosur mbeti.
Cingëritëse dhe kushtrues ishte zëri tij, jo dhe aq prej yshtjes së një ateisti, se sa prej nevojës së brendshme dhe kushtimit dalzotës të një njeriu mishi dhe ndjenjash, mendimi dhe qëmtimi, zemërate dhe shtërngimi.
Letërsia ruse dhe kumti krijues i tempullit të rrëfimtarisë botërore, janë të mishëruara në shpirtin e Lev Tolstoit, në zërin dhe zemrën e këtij kurmi të temperuar në kudhrën e hekave dhe dhimbjeve. U sprovua në gjithëçmos. Hoqi dhe u dogj, jo ngase vetë ashtu e zgjodhi fatin e tij, por fati atë e shënjoi ashtu siç mund të shënjohej një gjeni, ashtu siç mund të  mbrohej një pavdekësi në jetën e një tokësori.

Memoria e kërshërisë letrare është e lidhur më të që në zanafillën e andës për të bukurën dhe ka vërshuar në gjakun e kallur, tuj e përtëri të hyjshmen si prej hirit, feniksi. Pjesa më solemne e këtij jetësimi është depërtimi që ka promovuar në kremten estetike të gjithëkohjes tekstshkruese, krijimtaria e Lev Tolstoit. Galeria e krijimtarisë së tij është larushitëse dhe rrapëlluese në të gjithmonshmen e kaplimit pas të epërme vlera. Nën barrën e kësaj mrekullie që gjenialiteti i Tolstoit ka ndërtuar, mbëmendja jonë ngaset përnga një mirënjohje e përunjur për këtë shenjtor të përkorë të letrave.
Lev Tolstoi pa asnjë mëdyshje ishte dhe do të mbetet një prej penave më të vetvetishme të shpirtit rus. Ai ishte kremtja më e hyjshme estetike e një botkuptimi dhe gjëneze nga më të njimendtat, që gatoi njerëzimi.
Kungimi shpirtëror i papajtueshmërisë me ç’ka ai e pa si heretike, u hodh si balsam mbi plagën e lirisë që sëmbonte, duke marrë krahët e zemrës së tij gjëmuese dhe duke u formëzuar: "Bota bëri çka dëshiroi, i lejoi kishës ta shpjegojë rëndësinë dhe synimin e jetës. Bota vendosi jetën krejtësisht të kundërt me mësimet e Krishtit, kurse kisha studioi veprat e shkruara me të cilat e la popullin të jetojë në kundërshti me ligjin e Krishtit, të jetojë sipas vullnetit të tij. Rezultati ishte se bota filloi të jetojë jetën më të keqe se në jetën pagane, kurse kisha jo vetëm që këtë e arsyetonte, por edhe e miratonte duke folur se kjo është në pajtim me mësimin e Krishtit …".


Ikja, ashti si behja, përnjimend edhe si vepra dhe gjithçka tjetër e korpusit human dhe letrar të Lev Tolstoit, shkrepën si vetëtimë.
Lev Tolstoi, erdhi si një shenjtor, mëtoi si heretik iku si murg.
Lev  Nikollajeviç Tolstoj, dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse. Pikëpamjet e tij filozofike, shqyrtimet në të cilat ai ka prezantuar idetë mbi Zotin, shpirtin, dijen, dashurinë dhe shumë pikëvështrime të tjera, mbetën të pavdekshme, siç mbetet krejtçka që ai e gatoi me pasion dhe përkushtim.
Ikja pa kthim
"Tolstoi braktis shtëpinë e tij. Vendndodhja e panjohur!", - shkruanin në mëngjesin e 105 viteve më parë faqet e para të gazetave kryesore ruse. Qe aktualisht shkrimtari më i njohur i botës, heretiku i kishës ortodokse, e ky largim u bë shumë i zhurmshëm.
Ishte 29 tetori i viti 1910 e një ditë më parë, midis natës së 27 e 28 tetorit, shkrimtari rus, Lev Tolstoi, pas 48 vitesh martese e me  13 fëmijë, në moshën 82-vjeçare vendos t'i japë fund një lidhjeje martesore të dështuar.


Mbi një letër të nxituar në stil, me shumë shkarravina e fshirje do t'i shkruante gruas së tij, Sofia Andrevna: "Jam nisur… Nisja ime do të të lëndojë. Me keqardhje, por përpiqu të besosh e të më kuptosh, nuk mund të veproja ndryshe. Situata ime më është bërë e padurueshme, me vetëdijen se sa peshon jeta (midis të pasurve… të mjerëve) e përsëri vazhdoj të jetoj në kushtet kriminale të një luksi të shfrenuar në mes të mizerjes së gjithë atyre që i rrinë përqark. Bëj vetëm atë që bëjnë pleqtë, mijëra pleq, njerëz pranë vdekjes… (shkojnë më larg se kushtet e gjendjes së tyre shpirtërore ua lejojnë) e po iki. Pothuajse gjithmonë ata shkojnë nëpër manastire, edhe unë do ta bëja, po të besoja në atë çka manastiret besojnë. Duke mos i besuar, po iki thjesht në vetmi… Më është e domosdoshme të jem vetëm. Të lutem të më kuptosh e të besosh se nuk mund të sillem ndryshe. Gjendja ime në këtë shtëpi është e patolerueshme. Të lutem, mos më kërko e mos hajde tek unë, as po e more vesh se ku ndodhem. Lamtumirë (shoqëruesja e 48 viteve të jetës sime…) e unë të falënderoj për 48 vitet e një jete të ndershme të kaluar me mua, për kujdesin ndaj meje e fëmijëve (të lutem pranoje këtë situatë ku të shtyn nisja ime e mos më kujto për keq…). Të lutem, falmi tërë gabimet që kam bërë ndaj teje e unë do të fal të tuat, të lutem pranoje këtë situatë të re, rrjedhë e largimit tim nga shtëpia e mos ki ndjenja të këqija ndaj meje, ashtu siç unë nuk kam për ty. Se do të më nisësh ndonjë lajm, bëje me anë të Sasës (e bija), ajo e di se ku ndodhem e më ka premtuar se nuk do t'i tregojë askujt". 


Korifeu i letrave ruse shuhet në shtëpinë e rojtarit të stacionit të trenit në Astapovos, 350 km në juglindje të Mosk, pasi stacionimi i detyruar nga gjendja e përkeqësuar shëndetësore e hodhi në një qytezë e cila nuk kishte një hotel për të akomoduar shkrimtarin e madh në këtë largim prej asketi. E gjithë Rusia e mori lajmin. Nga të katër anët vërshuan mediat për ta përcjellë këtë lamtumirë. I tillë ishte Lev Tolstoi, e tillë ishte gjithçka që ai e ngriti në mit këtë emër, këtë vepër monumentale të letërsisë botërore. 

 
Në mëngjesin e një dite të ngrirë me borë, Lev Tolstoi kthehet për herë të fundit në shtëpinë e tij, mbi një arkivol të thjeshtë, të mbajtur nga fëmijët. Shkrimtari kish kërkuar të varrosej pranë pyllit Zaseka e kjo ceremoni u krye me pjesëmarrjen e shumë njerëzve, nën qetësinë e një bore që binte e të kronistëve që filmonin. Vdekjen e tij dukej sikur e kish paralajmëruar në librin "Vdekja e Ivan Iliçit" 1886: "Ku ishte? Cila vdekje? Nuk kish aspak frikë, nuk kish asnjë vdekje. Në vend të saj qe drita". Gazetat e epokës thonë se në varrimin e tij një i panjohur thërriti: "I madhi Lev vdiq. Rroftë shpirti i tij madhështor! U realizofshin të gjitha parimet e tij për Krishterimin e dashurinë".





Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk