Çarli Çaplin, legjendari i filmit pa zë, antidepresivi i një bote të gremisur në asgjënë e pasluftës

Sot 38 vite më parë, shuhet në moshën 88-vjeçare, legjendari i filmit pa zë, antidepresivi i një bote të gremisur në asgjënë e pasluftës, regjisori dhe aktori anglez, Çarli Çaplin (16 prill 1889 - 25 dhjetor 1977) ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili shpenzoi jetën për t'i bërë njerëzit të qeshin dhe të mendojnë.
Kur bota vuante pasojat e Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz gjetën shpresë në filmat e tij, edhe pse pas komikes së tyre fshihej një jetë e trishtuar. Në një sondazh mbarëbotëror të drejtuar nga kritikë të filmit, Çaplini votohet si aktori më i madh i historisë së kinemasë.
"Në çastin që bleni një biletë, ju papritur ndodheni në një botë tjetër" - shprehej Çaplini. Shfaqja tek ai, nga zbavitje e rëndomtë shndërrohet në art.
Ai i dha komedisë një frymë të re në një kohë kur paniku i pasluftës, fashizmi dhe depresioni ishin pjesë e jetës, në Evropë dhe Amerikë. Ndërsa jeta e tij pas ekranit ishte e tronditur, dhe ndoshta ky ka qenë shkaku i frymëzimit të thënies së famshme së "Jeta është një tragjedi kur e sheh me lupë dhe komedi në rrjedhën e saj."
Çarli Çaplin, Mikelanxhelo i kinemasë
A mund te me gjeni nje kineast me jetëgjatë dhe me fantastik?
Nuk lodhem se pari filmat e tij. Me vjen keq qe Caplini konsiderohet thjesht "komedian". Po te shikosh ne thellësi te celuiloidit te tij, dallohet qarte tragjedia dhe shpesh edhe pesimizmi apo fataliteti.
Shumica e njerëzve besoj se mbajnë mend Endacakun qe godet me shkelma policet dhe qe ia mbath ne mënyre spektakolare, apo qe i lajkatohet ne menyre te paturpshme nje femre (qe ndonjëherë është gruaja e policit)....por sa njerez mbajnë mend Endacakun qe gjendet ne mes te katër rrugëve (Cirku) apo njeriun e ndershëm qe shoqëria e shndërron ne një kriminel te pamëshirshëm, nihilist dhe cinik... dhe qe me pas ka edhe kurajën ta quaje "fajtor"?
Te gjithë mbajnë mend Endacakun "memec" por sa mbajnë mend Kalveron kur fliste per "Energjinë e Universit brenda Njeriut" apo kur fliste për turmën:
"Turma është si një përbindësh pa koke, qe nuk dihet se c`drejtim merr".
Tek një emision për Çarli Çaplinin, nje regjisor shprehej: "Caplini, mua si spektator, me heq te drejten te qaj apo te qesh".
Çarli Çaplin është padyshim gjeniu i tragjikomedisë.
Çarli Çaplini u lind në Londër më 16 prill 1889. Nëna e tij Hannah, nga martesa e parë kishte një djalë, Sidni.
I ati, një alkoolist i thekur, e braktisi familjen kur Çaplini ishte 1 vjeç. Nëna ka bërë të pamundurën për dy djemtë e saj.
Ajo e humbi aftësinë e të kënduarit nga një sëmundje e grykës, dhe më pas, për shkak të varfërisë së tejskajshme, u shtrua në çmendinë. Djemtë dërgohen në jetimore, ku më pas Sidni largohet për të ndjekur shkollën e marinës. Për Çaplinin, sëmundja e nënës ishte trishtim dhe mërzitje e madhe që shpesh ndjehet në krijimtarinë e tij.
Nga njëra anë, filmat e tij janë si të thuash autobiografikë dhe pasqyrojnë rininë e tij, si në filmin "The Kid" (Fëmija, 1921) në të cilin ai lufton që fëmija të mos mbyllet në jetimore, ose në filmin "Modern Times" (Kohët Moderne, 1922) ku ai ndihmon një vajzë të arratiset nga jetimorja.
I ati që kujdesej për të në kohën që nëna ishte në spital, e vuri re shpejt talentin e të birit.
Çaplini ishte duartrokitur për lojën e tij që 5 vjeç, kur zëvendësonte në skenë të emën. Dhjetë vjeç, nën drejtimin e të atit, iu bashkua një trupe teatri për fëmijë dhe filloi të japë shfaqje në të gjithë vendin.
Gjashtëmbëdhjetë vjeç ishte ndër aktorët më popullorë në Londër. Një nga adhuruesit e tij, Fred Karno, aktor dhe pionier i komedisë gaztore e fton në trupën e tij.
Tre vjet më vonë, pas kthimit nga Amerika, ftohet nga Mack Sennett, themeluesi i studios Keystone në Kaliforni.
Ai mblidhte aktorë nga cirku dhe skena e teatrit, dhe Çaplinit i ofroi rrogë javore me 150 dollarë për t'iu bashkuar trupës së tij. I riu kuptoi se stili i komedisë së Senet-it nuk i ngjiste stilit të tij, kështu që më 1916 vendos të xhirojë filmin e tij, duke krijuar karakterin e famshëm të Endacakut.
Bashkë me të mëdhenjtë e Hollivudit, D.W. Grifith, Mary Pickford dhe Douglas Fairbanks, themelon studion "United Artists".
Atëkohë komedive gazmore të Hollivudit iu mungonte cilësia, dhe kishte regjisorë që e xhironin filmin brenda ditës. Kurse filmat e Çaplinit kishin një organizim të detajuar. Njëherë, për një skenë të vetme, ai harxhoi pesë ditë xhirimi, e cila në film zgjat vetëm disa sekonda. Skena finale në filmin "City Lights" (Dritat e Qytetit - 1932) cilësohet si një nga më të bukurat e kinemasë amerikane. E xhiroi 342 herë.
Martesat dhe telashet
Pas karrierës së suksesshme, jeta private e artistit ishte shumë e vështirë. Martesat me vajza shumë më të reja se ai në moshë, ia quajtën prirje e cila e kishte origjinën te fëmijëria e trazuar. Martesa e parë me aktoren Mildred Harris, 12 vjet më e re, përfundoi me divorc pas dy vjetësh.
Në moshën 35-vjeçare martohet me Lita Grey, 16 vjeç. (Shumë vite më vonë, shkrimtari Vladimir Nabokov, pohoi se romani i tij "Lolita" ishte frymëzuar nga marrëdhënia e Çaplinit me Litën).

 

47 vjeç martohet me Paulette Goddard, një aktore 24-vjeçare. Më në fund martesa e tij e katërt me 17-vjeçaren Ooana O'Neill, vajza e dramaturgut Eugene O'Neill zgjati deri në fund të jetës së Çaplinit, më 1977.
Në kohën e periudhës së Makartizmit, në Amerikë, Çaplini dyshohej si përkrahës i komunizmit sidomos për komedinë e tij të zezë "Dritat e Skenës" 1952. Vendimi për të ruajtur qytetarinë angleze u pa me dyshim nga autoritetet dhe FBI e ndiqte për evazion fiskal.
Ndërsa diskutohej dëbimi i tij, autoritetet amerikane e ndaluan të hyjë në Amerikë kur ishte duke u kthyer nga pushimet me familjen. Më në fund vendoset në Zvicër ku xhiron dy filma dhe shkruan autobiografinë.
Më 1972 i jepet Çmimi Oscar për karrierën, dhe autoritetet i japin leje speciale për të hyrë në Amerikë. Ceremonia e Oscarit do të mbetet e paharruar për pjesëmarrësit që këndonin me përulje temën e këngës së filmit "Kohët Moderne".
Mbreti i filmit pa zë
Mjeshtër i tragjikomedisë. Duke luajtur të nëpërkëmburin dhe të braktisurin, ai e bëri spektatorin të qeshë duke kritikuar ndërkaq shoqërinë. Si aktor dhe regjisor, askush si ai nuk e ka mbërthyer dhimbjen e shoqërisë. Kur 24-vjeçar shkonte në Hollivud ai ishte tashmë yll.
Bileta e tij e suksesit ishte "Endacaku": bastuni, mustaqet, veshja karakter. Në jetëshkrimin e tij, Çaplini rrëfen së shumica e karaktereve të tij ishin ngjizur gjatë kohës që zgjidhte garderobën. Pantallona të gjëra, pallto e ngushtë, kapelja bombei, këpucë të mëdha dhe mustaqet e miut.
Por ai krijoi një karakter krejtësisht kontradiktor: Endacakun, zotërinë, poetin dhe të braktisurin, i trazuar nga ëndrrat, i intriguar nga shkenca. Ishte kjo figurë që mbeti maja e karrierës së tij që vijoi me 35 filma.
Ky perfeksion kontrollonte gjithë procesin e realizimit të filmit. Kjo mani e Çaplinit për të kontrolluar gjithçka shfaqet gjatë xhirimit të "The Circus" (Cirku, 1928) i cili i mori dy vjet kohë vetëm për skenën finale: një hije e gjatë në lindjen e diellit. Grupi i xhirimit duhej të priste derisa të dilte dielli dhe kamerat të xhironin pa ndalim derisa mëngjesi të ikte.

Ai donte një skenë ku një karrocë cirku ecte në vetmi. Qëllimi ishte që t'i shtonte një ndjenjë të hollë komedive të tij.
Çaplini e kishte kuptuar dobësinë e njeriut përballë natyrës dhe ishte i bindur se humori është e vetmja mënyrë për t'i bërë ballë asaj. E qeshura, besonte Çaplini, lind prej kontradiktës. Spektatori shpërthen në të qeshura kur Endacaku e gjen veten herë pas here në situata të pavolitshme.
Një kapele që fluturon, në vetvetë s'të bën të qeshësh, por kur sheh të zotin e saj që e ndjek pas, atëhere po.
Çdo komedi e Çaplinit është bazuar në këtë situatë komike. Kujtoni skenën kur ai është duke shijuar një akullore dhe ajo shkrin e bie mbi pantallona, pastaj në qafën e një pasanikeje trashaluqe poshtë ballkonit.
Përvoja e tij e hershme në jetë i pat mësuar se e qeshura dhe dhimbja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ai thoshte se në rini, romanin "Oliver Tuist" të Dikensit e mbante poshtë jastëkut. Kjo tregon se asnjëherë nuk e harroi fëmijërinë e tij të varfër.
Regjisori Jean Cocteau, një nga artistët e talentuar të shekullit të njëzetë, thoshte se Çaplini e përdor të qeshurën si gjuhë universale për të gjithë popujt e botës, pavarësisht moshës dhe racës. Kurse regjisori Haward Hawaks e quante "Don Kishoti i komedisë".
"Ethet e Arit" (Golden Rush, 1925) është shembull i mirë i kësaj thënieje. Komedia ngërthen zakonin e vjetër të njeriut në kërkim të arit. Në një skenë Çaplini ha për darkë një këpucë të vjetër.
Pasi e ka gatuar këpucën me kujdes të madh, e vendos atë mbi një pjatë në tavolinë. I shijon lidhëset sikur të ishin makarona, ndërsa sholla i ngjan një filetoje peshku. Moskokëçarës lëpin gozhdët sikur të ishin halat. Në të vërtetë skena shpreh oreks.
Komedia e Çaplinit ndërron me kohën. Në filmin "City Lights" ai është endacaku që zë mikeshë një vajzë të verbër leshverdhë e cila shet lule. Kur mëson së vajza mund ta fitojë shikimin nëpërmjet operacionit, i kërkon borxh një pasaniku pijanec. Fatkeqësisht e marrin për hajdut dhe e fusin në burg.
Pas disa vitesh takon sërish vajzën e cila dikur kish kujtuar se ai ishte njeri i pasur dhe joshës dhe tani, mjeranin që qëndronte përballë saj nuk po e njeh. I vjen keq për të dhe i fal një kacidhe dhe një tufë me lule. Kur duart e vajzës e prekin, ajo më në fund e njeh.
Aftësia e Çaplinit për të trajtuar probleme madhore duken qartë në filmin "The Great Dictator" (Diktatori i Madh, 1940) dhe "Monsieur Verdoux" (Zoti Verdu, 1947). Tek i pari ai luan njëherësh një berber të pafajshëm hebre dhe Hitlerin.
E çuditshme të përfytyrosh se Çaplini, ndër njerëzit më të dashur të botës, dhe Adolf Hitler, vrasësi i i njerëzve në masë, të kenë diçka të përbashkët. Të dy kanë lindur në prill 1889 dhe mbajnë të njëjtat mustaqe.
Madje disa thonë së Hitleri i kopjoi artistit mustaqet për t'iu kundërvenë popullaritetit të tij. Në skenën e fundit të filmit, ai vështron nga kamera dhe i bën apel spektatorit "të luftojë diktatorin dhe të mos e humbasë besimin".
Jo aq popullor sa dhe filmat e tjerë, për "Zotin Verdu" Çaplin pohon se është një ndër më të mirët që ai ka bërë. Zoti Verdu, është vrasës dhe njëkohësisht punonjës banke.
Ai e mbron veten në gjyq duke u shprehur së "vrasja masive është e përligjur nga bota. Armët janë prodhime për të kryer vrasje masive, kurse gratë e shkreta janë vrarë në mënyrë shkencore. Kurse unë jam thjesht një fillestar i vrasjeve masive. Nëse ti vret një njeri të vetëm, ti je maskara, por nëse vret 1 milion, je hero."
Tek ky film, Çaplini këmbëngul së shoqëria amerikane e nxiti luftën. Publiku u frikësua prej këtyre mendimeve dhe artisti u detyrua të largohet nga Amerika dhe të jetojë në azil në Zvicër.
"Dritat e skenës" ishte i fundit dhe më mbresëlënësi film i Çaplinit. Në atë film ai i kthehet pas karrierës 40-vjeçare si aktor. Aty shprehet se "Jeta mund të jetë e mrekullueshme nëse ti nuk i frikësohesh asaj.

Gjithçka për të cilën ti ke nevojë është kuraja dhe imagjinata. Ai mendonte se në jetë ka gjëra më të tmerrshme sesa vdekja, prandaj prej jetës nuk duhet hequr dorë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk