"Dashuria do ta shpëtojë botën" Nëna Tereze (1910 - 1997)
Dr. Don Lush Gjergji
...Nënën tonë Tereze e qiti në dritë e rriti frymëzoi dhe
shenjtëroi vuajtja shumëshekullore e popullit dhe Kishës sonë iliro-shqiptare
dymijëvjeçare, e ushqeu feja dhe dashuria e krishterë duke e lartësuar mbi të
gjithë që të jetë e të gjithëve dhe për të gjithë. Për këtë edhe e quajta Nëna
e botës së mjeruar. Dashuria në veprim.Protagonistja e Zotit dhe njeriut.
Shpresa e botës më të mirë, Nëna e botës...
Për ta kuptuar së paku deri diku jetën dhe veprën e madhe të
Nënës Tereze,si dhe për ta imituar dhe vazhduar edhe ne atë, kuptohet, secili
sipas kushteve dhe mundësive, duhet "zbërthyer" Fenomenin e Mirësisë
dhe të Dashurisë nga shumë aspekte. Përse dhe si ishte ajo e tillë, aq e mirë e
dashur, e madhe, Nëna e botës së mjeruar? Ku është prapavija, fuqia,fshehtësia
e jetës së saj kushtuar Zotit nëpërmjet njeriut?
1. Vuajtja e motivuar
dhe kushtuar
Gonxhe Bojaxhiu, Nëna jonë Tereze, thesarin apo
"kapitalin" e saj shpirtëror e ka gjetur në vuajtje të motivuar dhe
të kushtuara, në pësime, mundime, sprova, vështirësi... Lindi në Shkup 27 gusht
1910, në kohën e sundimit turko - otoman. Familja e saj Bojaxhiu ishte tërhequr
nga Prizreni në Shkup për shkak të epidemisë që kishte përgjysmuar popullatën e
atëhershme (1850-1855), për shkaqe të përndjekjeve dhe masakrimeve të shpeshta
dhe gati të rëndomta turke, si dhe për shkaqe tregtare (Lexo: Dr. Lush Gjergji,
Nëna jonë Tereze, Drita 1990, fq. 9 -11).
Përpos kësaj Gonxhe Bojaxhiu ka përjetuar edhe në lëkurën e
vet vuajtjen, por jo si dënim të Zotit, por më tepër si hiri dhe dhuratë
dashurie për t'u kalisur, përforcuar, pastruar dhe aftësuar për dashurinë flijuese
dhe dhuruese ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit. Ajo lindi dhe u rrit si vajzë
shëndetlige, aq sa prindërit frikësoheshin edhe për jetën e saj. Mirëpo
sëmundja iu bë "shoqja" më e dashur dhe më besnike në jetë, për t'i
kuptuar, ndihmuar dhe dashur të gjithë (Lexo: po aty fq. 15 - 17).
Familja Bojaxhiu ka përjetuar humbje dhe tronditje të
jashtëzakonshme me rastin e vdekjes - helmimit të Kolë Bojaxhiut (1918). Vdekja
e tij ndërroi rrënjësisht jetën e mbarë familjes: Dranja mbeti pa zot shtëpie
dhe pa burrë, pa udhëheqësin e veprimtarive të shumta tregtare, ndërtimtare,
kombëtare... Fëmijët ende ishin të vegjël: Lazri 13 vjeçar, Agëja 10 vjeçare,
Gonxhja 8 vjeçare, bonjakë, pa babë dhe pa kurrfarë sigurie. Fëmijët së shpejti
do të shpërndahen: Lazri në studime, së pari në Grac, pastaj në Korçë,
definitivisht do të ndahet prej familjes në vitin 1924, Gonxhja po ashtu për së
gjalli do të ndahet prje Nënës Loke - Dranës, dhe motrës Age në vitin 1928, kur
u nis për misionare në Indi (Lexo: Po aty, fq. 17 - 24; 301 -308).
Siç shihet rrethanat jetësore dhe politike e kanë
"shpartalluar" dhe shpërndarë këtë familje shqiptare, si dhe shumë
familje tjera, një pjesë të madhe të popullit tonë. Mjafton t'i përkujtojmë dhe
përmendim vetëm varrezat e familjes së Nënës Tereze: Kolë Bojaxhiu në Shkup, në
një varr të përbashkët, Dranja dhe Agëja në Tiranë, Lazri në Palermo (Itali),
ndërsa Nëna Tereze në Kalkutë (Indi). Ky ishte dhe është fati ynë i mjerë! Në
jetën dhe veprën e saj rregulltare, së pari si Motra Tereze e Loretos (1929
-1948), më vonë si Nëna Tereze - Misionarja e Dashurisë (1950 - 1997), ajo u
takua, ballafaqua me të ligat, vuajtjet, mjerimet e Kalkutës, të
Indisë dhe të mbarë botës.
Prandaj nga përvoja personale, familjare, kombëtare
(shqiptare), si dhe nga shërbimi i pashoq rregulltare, Nëna Tereze u bë dhe do
të mbesë Nëna e botës së mjerimit (Lexo: Lush Gjergji, Madre della carita,
Velar, Bergamo, 1998,fq. 123 - 182).
Vuajtja dhe vetmia e plotë, dramatike, nën qiellin e
Kalkutës, kur doli prej Motrave të Loretos, në lagjet më të mjera Tigjil dhe
Monotigjil, në rrezik ta vrasin si evropiane të bardhe dhe spiune angleze, u bë
për të sfidë jete. Atëherë nga zemra e madhe dhe virgjërore, fe dhe
dashuriplote, lindi kjo uratë e mrekullueshme: "O ZOT, MË JEP SË PAKU FUQI
TË MBES DHE TË VDES NË MESIN E TYRE PËR T'UA DËSHMUAR DASHURINË TËNDE".
Ja vetëm disa porosi - thesare nga jeta dhe përvoja e Nënës
Tereze mbi vuajtjen:
"Vuajtja është e madhe por edhe më e madhe është
dashuria". "Kam vuajtur shumë kur jamë ndarë prej familjes sime, kur
u nisa për motër misionare në
Indi. Por kam vuajtur edhe më shumë kur u ndava prej
"Motrave të Loretos". Ishte kjo "thirrja në thirrje", zëri
i Zotit, një urdhër i qartë...".
"Vuajtja vetvetiu s'është asgjë mirëpo vuajtja si
pjesëmarrje në vuajtjen e Krishtit, është një dhuratë e mrekullueshme, dhuratë
më e bukur: një dhuratë dhe një dëshmi dashurie...".
"Zemra ka uri për bukë, për dashuri, mirësi, jetë,
kujdes. Kjo është varfëria më e mdhe që e mundon njerëzimin".
"Po mos ta pashin motrat tona fytyrën e Jezu Krishtit
në njerëzit e mjerë, puna e tillë do t'ishte e pamundshme. Ne dëshirojmë t'i
vetëdijësojmë të mjerët se ka njerëz që vërtet i duan ata, edhe më tepër, Zoti
i do ata pa masë... Ata janë për ne Jezu Krishti në trajtën e njeriut nevojtarë
për ndihmë, dashuri dhe shërbim".
"Unë e shoh Jezusin në çdo person, sidomos në të varfër
ndër më të varfër".
"S'mund të shkojmë pas Krishtit pa pranimin e kryqit.
Krishti është i pandashëm prej kryqit... Sot bota është Kalvarja e hapur...
Vuajtja s'është dënim. Jezusi nuk dënon askend. Mundimi është shenjë se edhe ne
iu kemi afruar dukshëm Jezu Krishtit në kryq..."
"Vuajtja jonë, e bashkuar me mundimin e Krishtit dhe të
Marisë, është dhuratë e mrekullueshme... Pranë krqit të Krishtit Maria u bë nëna
jonë...Gjatë mundimeve dhe në vdekje Jezusi ka vuajtur shumë për mbarë
njerëzimin,
pë shëlbimin tonë..."
"Sot përsëritet vuajtja e Krishtit në jetën e atyre që
vuajnë, që janë të sëmurë, të varfër, të dëbuar. Pranimi i vuajtjes është hiri
i Zotit, pjekuria e fesë, shenjtërimi i jetës sonë... Nëpërmjet vujtjeve,
dhembjeve, kryqeve, sëmundjeve, vdekjes, ne vimë te Jeta, te ngjallja".
Nëna Tereze vuajti dhe u flijua në heshtje, në uratë, në
dashuri për popullin tonë shqiptar, për Shqipërinë, për Kosovën, për mbarë
njerëzimin.
Në një bisedë rreth ndarjes për së gjalli prej nënës dhe
motrës për shkaqe politike dhe ideologjike të Shqipërisë, si dhe për vuajtjen e
popullit tonë,ndër të tjera më tha: "Deri më sot kam arritur çdo gjë me
dashuri dhe me uratë, por këtë ende jo. Ka ende kufijë dhe pengesa që as
dashuria s'mund t'i rrënojë. Vetë Zoti e di përse nëna dhe motra, mbarë populli
im duhet të vuajë kaq shumë..." (1972).
Pas Shpërblimit Nobel për Paqe në Osllo më pati thenë:
"Unë mendoj se populli dhe Kisha shqiptare është duke kaluar të Premten e
Madhe, por feja jonë na mëson se aty nuk mbaron jeta e Jezu Krishtit, mbaron në
kryq dhe
përfundon me ngjalljen e tij... Kjo është fshehtësia e
suksesit të krishterë..."(Osllo, 12. XII. 1979).
Rreth trazirave në Shqipëri Nëna Tereze ka shkruar kështu:
"Me dhimbje të madhe në zemrën time po dëgjoj se jetat po humbën, ndërsa
njerëzit po lëndohen në këto trazira... Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është
për
arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri
-tjetrin..." (28 prill 1997).
Ajo shpesh thoshte: "Të duam deri në dhembje, deri në
vdekje".
Shëndetlige, e vogël, e kërrusur, plotë rrudha në fytyrë,
por gjithmonë me sy të ndriçuar, me duar dhe zemër të hapur, Nëna Tereze e ka
përqafuar botën e vuajtjes, iu ka lehtësuar barrën miliona njerëzve, ia ka
dhënë pësimit,
mundimeve, sëmundjeve një kuptim dhe domëthënje të re sipas
parimit kuptimplotë: "PA DASHURI DHE FLIJIM JETA S'KA KUPTIM".
2. Feja - dashuria -
shtylla jete dhe veprimi
Vuajtja pa fe dhe dashuri do t'ishte vetëm pësim, dëshprim,
shkatërrim,asgjësim. Arkimedi pati thenë: Ma jepni një pikë të palëvizshme e
unë do ta lëvizi tokën. Nëna e jonë Tereze e gjeti këtë pikë të palëvizshme në
ZOTIN -
DASHURINË, dhe në VËLLAUN - NJERI dhe shi për këtë pati fuqi
ta lëvizte mbarë njerëzimin duke prekur zemrat edhe ndërgjegjet e të gjithëve.
Ajo u bë dhe do të mbesë pika e madhe orientuese dhe frymëzuese si mund të
duhet dhe
shërbehet Zoti nëpërmjet njeriut. S'mund të besosh në Zotin
e mos të jetosh dhe veprosh për njeriun.
Feja e Nënës Tereze s'ishte ndonjë njohuri apo ide mbi
Zotin, Kishën, njeriun, por ishte jetë, përcaktim, fuqi e gjallë dhe zbatuese
për shërbim dhe flijim dashurie në të mirë të çdo njeriu. Ajo vërtet besoi -
jetoi - veproi sipas fjalës së Jezu Krishtit: "Përnjëmend po ju them: në
paqit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: "Dil këndej
e shko atje!", do të kalojë dhe asgjë s'do të jetë e pamundshme!" (Mt
17, 20 -21).
Me fuqi të fesë së krishtere, të këtij premtimi kaq madhor
të Jezusit, me fuqi të dashurisë flijimtare mund të themi kështu: për Nënën
Tereze asgjë s'ishte e pamundshme, ose e pamundshmja për të u bë e mundshme dhe
e zbatueshme!
A s'ishte mrekulli, vepër e Zotit në të mirë të mbarë njerëzimit;
që një vajzë e re shqiptare katolike 18 vjeçare të shkonte në Indi, Kalkutë,
mbarë botën dhe tërë njerëzimin! A s'është mrekulli që për afro 20 vjet ajo si
profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të "Motrave të
Loretos", të bëhet HISTORIA më e bukur dhe më tërheqëse e dashurisë së
krishterë,
GJEOGRAFIA e re e Kalkutës, dikur kryeqyteti i mjerimit, sot
me Nënën Tereze kryeqyteti i mëshirës, dashurisë dhe shërbimit ndaj Zotit
nëpërmes njeriut vëlla - motër? A nuk është mrekulli që prej vitit 1950 e deri
në kalim në
amshim (1997) të ketë themeluar pesë rende rregulltare dhe
shekullore, të përhapet në më së 120 vende të botës, të tejkalojë çdo kufi
kombëtar, fetar, racor, gjinor, ideologjik, politik, kulturor, shoqëror dhe
hapësinor?
Ajo, e Varfëra e botës, Nëna jonë Tereze, t'iu ndihmojë më
së shumti të gjithë atyre që vuajnë në trup apo në shpirt. Përse dhe si? Me
ndriçimin e madh të fesë dhe me fuqinë e pathyeshme të dashurisë. Për të feja,
besimi, ishte jeta me Zotin, për njeriun, nëpërmjet njeriut, ndërsa dashuria
ishte dhe do të mbetet rruga, drejtimi, mënyra, rasti për ta njohur,
dashur,shërbyer Zotin në përditshmëri.
Risia e Nënës Tereze ishte kjo: me fuqi të fesë dhe me
dashurinë vepruese ajo dha një metodologji të re të konkretizimit të fesë në
jetë: zbulimin e Zotit nëpërmjet njeriut nevojtar, të mjerë, të dëbuar dhe të
dëmtuar, që për shumkend s'kishte më as pamje as dinjitet njerëzor, e jo më diç
më tepër.
Ajo iu dha "përparësi" më të vegjëlve, më të
shtypurve, më të mjerëve, të varfërve ndër më të varfër, sepse e kuptoi dhe
plotësoi me besnikëri dhe dashuri identifikimine Krishtit me çdo njeri që vuan.
"Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më
përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në
burg e erdhët tek unë" (MT 25, 35 - 36). Këtë Jezu Krisht të mishëruar ajo
e gjeti, i shërbeu dhe e dashuroi "24 orë në ditë në çdo krijesë
njerëzore".
Ja disa prosi
thelbore për fenë dhe dashurinë:
"Sot njerëzit kanë pak fe, sepse ka shumë egoizëm në
kërkim fitimi. Feja për të qenë e vertetë duhet të jetë bujare. Feja dhe
dashuria shkojnë së bashku... përplotësohen".
"Feja për të qenë e vërtetë duhet të jetë dashuri
dhuruese... Do të hiqesha dorë nga çdo gjë, edhe nga jeta ime, por jo nga feja
ime... Pa fe s'do të mund të jetoja as 24 orë".
"Zoti na ka krijuar për vepra të mëdha, që të duam dhe
të dhurojmë dashuri... Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë,
mosinteresimi për të afërmin...".
"Ne çdo gjë bëjmë për Jezusin. Unë jetoj 24 orë në ditë
me Jezusin dhe për Jezusin, atij ia dhuroj jetën time, zemrën time, dashurinë
time, punën time,çdo gjë".
"Puna jonë nuk është asgjë tjetër përpos shprehja e
dashurisë sonë ndaj Zotit. Këtë dashuri ndaj Zotit duhet ta ruajmë gjithnjë
ndërsa të tjerët janë mjet për ta shprehur dhe dëshmuar këtë dashuri...".
"Unë shoh Jezusin në çdo person, sidomos në të varfër
dhe të vuajtur... Ata kanë shumë pak, asgjë, por japin shumë, çdo gjë...".
"Të jesh i krishterë i mirë dmth. ta kesh zemrën e
pastër, ta pashë Zotin në çdo njeri dhe të duhemi pikërisht sikurse na do neve
Jezu Krishti... Duhet dashur deri te shkalla e gatishmërisë për vuajtje. Nuk
mjafton të themi: Të dua! Duhet dashurinë ta shëndrrojmë në veprim jetësor. Si
mund ta bëjmë këtë? Të flijohemi deri në flijim-vujtje".
"Feja jonë s'është asgjë tjetër përpos ungjilli i
dashurisë... Nëse dëshironi që të vvarfërit ta shohin në ne Krishtin, ne duhet
më parë në ta ta shohim dhe ta njohim vetë Jezu Krishtin".
"Zoti nuk do t'na gjykojë në bazë të punës që kemi
bërë, por sa dashuri kemi pasur në punën dhe jetën tonë".
"Ta kthesh dikë në fe domethënë t'ia dhurosh atij
Zotin. Ta shenjtërosh dikë domethënë ta mbushësh jetën e dikujt me Zotin.
Kthimi dhe shenjtërimi janë vepra të Zotit... Mos të kërkojmë ta detyrojmë dikë
ta pranojë fenë tonë. Ta
kërkojmë vetëm këtë që drita e Krishtit të ndrçojë jetën e
tyre dhe tonën,dhe nëpërmjet nesh të vijë ajo dritë në botën e të
mjerëve...".
3. Një nënë për të
gjithë - Nëna Tereze
"Nëna Tereze me vuajtjen e motivuar dhe të çliruar me
fe dhe dashuri tejkalonte çdo kufi dhe ndasi, si p.sh. botëkuptimin inda ndaj
gërbulës,ndasitë dhe urrejtjet fetare, kastore, ndarjen e botës në të pasur dhe
tëvarfër...
Gërbula sipas botëkuptimit inda ishte ndëshkim i Zotit, pra,
si fatalizëm apo paracaktim hyjnor, që doemos duhej pranuar me bindje fetare.
Luftën kundër këtij botëkuptimi ajo e ka filluar qysh në vitin 1957. Atëherë
ndër të tjera Nëna Tereze pati thënë: "Është mjaft vështirë ta bindësh
popullatën e Indisë që Zoti nuk e ka dënuar njeriun në vuajtje. I dijmë rastet
dramatike kur i mbytëshin të shëruarit nga gërbula, ndonjëherë edhe anëtarët e
familjeve të tyre... Mu për këtë kemi marrë për detyrë ndërtimin e qendrave të
vogla vetëm për të gërbulur, ku ata mund të jetojnë në paqe, të punojnë, të
krijojnë familje... E bëra këtë për Jezusin... Preke të gërbulurin me zemrën
tënde! Preke të gërbulurin me dashurinë tënde!"
Prej atëherit janë ngritur shumë qendra - oaza, "Qytete
të haresë" për të gërbulurit në Indi dhe në botë. Nga kjo përvojë-jetë
lindi kjo porosi prekëse dhe mahnitëse: "Asnjë sëmundje, pra, as gërbula
s'mund ta shëmtojë aq njeriun që në të mos ta njohim vëllaun apo motrën tonë,
edhe më shumë,Jezusin mundimtar".
Tejaklimi i ndasive kastore: India është toka dhe bota e
kundërthënieve dhe ndasive kombëtare, fetare, kulturore, që vjen në shprehje
sidomos nëpërmjet kasteve të cilat më se 3000 vjet e ndajnë popullin prej
lindjes e deri në vdekje. Të gjitha kastet kanë prejardhje prej Zotit Brahma.
Disa prej tyre janë të larta dhe të privilegjuara, tjerat janë të paracaktuara
për shërbim dhe robërim. Përzierja mes kasteve ndalohet dhe sanksionohet edhe
me vdekje.Një misionar slloven, atë Viktor Sedej, mbi kastet shkruante kështu
në vitin 1939: "Misionari në Indi ka tre armiq të përbetuar: djallin,
diellin e Indisë dhe kastet. Rreziku më i madh pardyshim janë kastet". Për
t'i afruar dhe tejkaluar botëkuptimet kastore tentoi edhe Gandi i madh, por
gati pa sukses.
Këto barriera, me fe, mirësi dhe dashuri i rrënoi Nëna
Tereze, sepse çdo vepër e saj është për njeriun nevojtar, pa kurrfarë dallimi
apo përjashtimi.Kjo ishte vepër e Zotit nëpërmes Nënës sonë Tereze.
Nëna Tereze i afroi dhe pajtoi edhe të pasurit me të
varfërit që ishin plot paragjykime dhe kundërshtime. Prapë me jetën dhe
shembullin e saj. "Të varfërit janë të tillë, sepse janë të detyruar nga
kushtet e jetës. Unë dhe
motrat e mia jemi të varfëra lirisht dhe vullnetarisht, për
dashuri ndaj Zotit, për t'i kuptuar dhe ndihmuar të varfërit më të varfër...
Vetëm kur të pasurit do t'i ndajnë pasuritë e tyre me të varfërit, edhe ata do
të jenë të
lumtur dhe të qetë... Ne mvaremi tërësisht prej Provanisë së
Zotit, prej bamirësave... Zoti nuk e ka krijuar varfërinë, ne e kemi krijuar
atë. Para Zotit të gjithë jemi të varfër".
Nëna Tereze e ka tejkaluar edhe botëkuptimin
"klasik" të misioneve të krishtera, për t'i kthye të tjerët në
krishterizëm si dhe ndasitë e ndryshme fetare. Nëna Tereze dëshmon kështu:
"Ne punojmë për të gjithë njerëzit, pa dallim, që ata të afrohen sa më
tepër mes veti dhe me Zotin. Detyra jonë kryesore është t'iu japim atyre
dashurinë e Zotit. Ne punojmë me të krishterët dhe jo të krishterë, si dhe me
myslimanë dhe budistë, induistë,
të gjithë së bashku një. Kjo vërtetohet po ashtu edhe në
shtëpitë tona për njerëz në rrezik të vdekjes, kudo, sepse të gjithë i duam dhe
shërbejmë si vllezër dhe motra tona... Kur e preki, e përqafoj një të gërbulur,
unë e preki dhe e përqafoj vetë Jezu Krishtin. Si mundem atëherë mos ta bëjë
këtë apo mos të jam e lumtur?"
Si përfundim mund të themi: Nënën tonë Tereze e qiti në
dritë e rriti frymëzoi dhe shenjtëroi vuajtja shumëshekullore e popullit dhe
Kishës sonë iliro-shqiptare dymijëvjeçare, e ushqeu feja dhe dashuria e
krishterë duke e lartësuar mbi të gjithë që të jetë e të gjithëve dhe për të
gjithë. Për këtë edhe e quajta Nëna e botës së mjeruar. Dashuria në veprim.
Protagonistja e Zotit dhe njeriut. Shpresa e botës më të mirë, Nëna e botës...
Me Nënën Tereze u vërtetua edhe një herë thënia: "Kush
beson dhe dashuron gjithmonë jeton!" AMEN.
Dr. Don Lush GJERGJI
Comments
Post a Comment