Kush âsht P. Gjergj Fishta per brezin mâ te ri?


Ardian Ndreca
E keqja mâ e madhe qi i ka ardhë Fishtës prej vjetëve të komunizmit âsht qi sot, mbas gjashtëdhetë e sa vjetësh prej dekës së tij, të gjithë e admirojnë por pak kush e lexon.
Fishta âsht nji fenomen i papërsëritshëm për shpirtin shqiptar, pse ai ka mbërrit me kene njiherit poet, njerí i Zotit, humanist, patriot, burrë i virtytit e i vlerave qytetare – e këto cilësina, ndër ne, janë të rralla, te nji njerí i vetëm.
Shuma e vargjeve të Fishtës âsht realiteti shqiptar i çdo kohet, prandej asnji njerí i letrave shqiptare nuk mund të hjedhin nji rresht pa e pasë lexue fund e maje veprën e tij. Shumëkush sot, po t’a lexonte Fishten - jo se do të mësonte me shkrue – por të paktën do të bindej qi âsht mâ mirë mos me shkrue mbas Fishtës.
Guralecat e letersise shqipe s’kane mujtë me i bâ gja atij Mojzehi të gjuhës qi âsht Fishta, por shumë keq mundet me i ba injoranca e brezave te sotshme tue mos e lexue atë.
Pse duhet lexue Fishta? Ai duhet lexue pse âsht nji klasik i letërsise tonë, e nji klasik s’prane kurre së thanuni atë qi ka për të thanë – në çdo kohë e secilit prej nesh. Klasiku âsht ai – për cilin ti ndien qi e çojne në qiell, por kur e lexon- ti vete njitesh në qiell. sht fat me e lexue Fishten tue kenë në gjendje me e shijue, por me e shijue duhet të paktën me pasë dishirin me u drejtue kah arti i tij. Fishta âsht nji shkrimtar i tille – qi po u lexue njihere – njeriu kupton se çka jane kenë librat tjere qi ka lexue para tij. Në fakt tanë letërsija shqipe – para e mbas Fishtes – nuk âsht tjetër veçse nji pregatitje e nji jehone e këtij fenomeni sublim të shpirtit njerzór.
Fishta âsht i papërkthyeshme – pse shpirti i tij nuk ka zâdhanës, ai, si Mojzehi, ka qitë gjuhën e letrat shqipe prej robnisë e me pendën e tij ka bâ me burue mâ të kulluemin ujë – qi ka për të shue përherë etjen e atyne qi dojnë atdhé, kulturë e besim në Zotin. Lahuta e tij âsht skulptura epike e gjuhës shqipe, vepra e tij satirike âsht portreti mâ realist i shqiptarit të gjithmonshëm, lirika e tij âsht i vetmi vend ku qielli i toka shqiptare bashkohen në tinguj të ambel muziket të amshueme. Prandej, mbas Fishtes âsht e veshtire me thanë ndonji gja të ré në letërsinë tonë.
Të gjitha përpjekjet me e “përshtat” Fishten mbas gjuhës së sotshme, të bdarun e të bastardhueme, janë të dështueme pa dalë në dritë, nuk bahet fjalë me e ul Fishtën te masa injorante e dembele, duhet qi këta me u mundue me i ngjitë te Fishta.
Intuita e popullit i ka paraprí intelektualve, pse njerëzit e thjeshtë Fishtën e kanë mësue gjithmonë përmendsh; por, edhe nji here të vetme me u takue me nji shkrimtar si ai, mjafton për me kuptue të paktën se çka âsht nji klasik i letërsisë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk