Hermann Hesse, shkrimtari i njohur dhe i harruar
Laureati i çmimit Nobel Hermann Hesse vdiq para 50 vjetësh.
Por vepra e tij jeton. Ai është një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë në
botë. Edhe pse e kishin harruar për një kohë të gjatë.
Kur duan të tregojnë sa pa vlerë është bërë diçka, atëherë
gjermanët përdorin shprehjen popullore për saksitë e luleve. Kështu gazeta e
respektuar gjermane, e përjavshmja "Die Zeit", shkruante në vitin
1962: Me Hermann Hesse -n nuk mund të fitosh më asnjë saksi lulesh. Hesse
kishte vdekur në atë kohë në moshën 85 vjeçare nga një hemoragji cerebrale. Por
koha vetë do t'i ndëshkonte gënjeshtrat e gazetës "Koha", "Die
Zeit". Hesse zë ndërkohë vend në shumë biblioteka personale. Tirazhi i veprave
të tij në botë arrin të paktën 125 milionë ekzemplarë. Librat e Hesse-s janë
përkthyer në gati 60 gjuhë.
Se ai do të bëhej shkrimtar një ditë, e kishte të qartë, por
prindërit e tij i shihnin gjërat ndryshe. Hermani duhej të bëhej klerik, si ata
vetë: Babai i tij punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, nëna e
tij ishte e bija e një misionari. Me 2 korrik 1877 ajo lindi Hermanin. Hermani
u lind në Calw, pranë Shtutgartit dhe u rrit në një shtëpi shumë fetare.
Prindërit e tij e dërguan në vitin 1891 në seminarin protestant Maulbronn. Pas
disa muajsh ai u arratis që andej, sepse nuk mund ta duronte edukimin kristian.
"Poet ose hiç"
Ai e kishte marrë vendimin: "Ose do të bëhej poet, ose
asgjë." Rruga drejt të shkruarit qe një odise e vertetë. Hesse shkoi në
shkolla të ndryshme, nuk mundi të përshtatej, në një fazë depresive u përpoq të
vriste veten në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Më vonë punoi në një punishte, ku
prodhoheshin makineri, në një fabrikë, që prodhonte sahate kullash dhe në
librari.
Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të
realizuar veten, ishin temat, që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e
tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të
vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker, e shpjegon
kështu interesin mbarëbotëror për këtë letërsi: "Çështja e autonomisë dhe
e religiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i
hapur për koncepte të tjera të jetes. Kjo është një çështje shumë akute në
botën arabe. "
Në vitin 1904 me romanin "Peter Camenzind" Hesse
pati sukses, papritmas ai mund të jetonte nga të shkruarit. Ai u martua me
fotografen Maria Bernoulli, u vendos me të në Bodensee, lindi fëmijë. Por për
gjithmonë kjo nuk mund të ishte për Hesse-n. Qëndrimi në një vend, rehatia dhe
siguria e lidhur me to, ishin për të shumë monotone. Ato u kthyen në torturë.
Martesa e tij ishte me probleme dhe nuk do të mbetej e fundit për të.
Nga ferma në Bodensee Hesse mori arratinë në botë, shkoi në
Sri Lanka dhe Indonezi. Këto udhëtime në Azi influencuan shumë veprat e tij të
mëvonshme, për shembull tregimin e tij "Siddhartha". Pas kthimit të
tij Hess,e u vendos në Zvicër dhe në vitin 1914 u në fillim të Luftës së Parë
Botërore, u regjistrua vullnetarisht në shërbimin ushtarak. Për shkak të
shikimit të dobët, nga i cili vuajti gjithë jetën, ai u shpall i paaftë për
ushtri. Në vend që të shkonte në front, punoi pastaj në përkujdesjen për
robërit gjermanë të luftës, në Berlin.
Por lufta dhe propaganda e saj iu neveritën. "O miq, jo
këto tone," e titulloi ai një artikull në "Neue Zürcher Zeitung"
në fillimin e luftës, me anë të të cilit donte të porosiste intelektualët
gjermanë për më pak polemikë nacionaliste dhe më shumë humanizëm. Rezultati:
armiqësi, urrejtje dhe tallje. Kritika dhe ngjarjet e luftës e tronditën
Hesse-n. Këtyre iu shtuan problemet personale. Babai i tij vdes, djali i tij më
i vogël sëmuret rëndë. Hesse bie në krizë dhe në vitin 1917 kërkon ndihmë
profesionale. Përvojën me psikoanalizën Hesse e përshkruan nën pseudonimin Emil
Sinclair në romanin "Demian".
Martesa e parë e Hesse-s mori fund përfundimisht, ai u
largua nga familja dhe guxoi të fillonte nga e para. Në shtëpinë e tij të re në
Tessin të Zvicrës lindën disa nga veprat e tij më të rëndësishme, si "Ujku
i stepës" dhe "Narcisi dhe Goldmundi". Në vitin 1924 ai mori
shtetësinë zvicerane dhe u martua me Ruth Wenger, prej të cilës u nda sërish
pas tre vjetësh. Gruaja e tij e tretë, historiania e artit Ninon Dolbin, u
martua me Hesse-n në vitin 1931 dhe qëndroi me të deri në fund.
Marrjen e pushtetit nga nazistët në Gjermani Hermann Hesse e
shikonte me shqetësim dhe refuzim. Gjatë luftës ai përkrahu refugjatët gjermanë
të regjimit nazist, si Thomas Mann dhe Bertolt Brecht, i strehoi ata. Gjatë
luftës ai shkroi veprën e tij të fundit të madhe, "Loja e perlave prej
qelqi". Në vitin 1946 mori çmimin Nobel për letërsinë me arsyetimin:
"për krijimtarinë e tij frymëzuese poetike, që përfaqëson në zhvillimin e
saj të guximshëm dhe të thellë idealet e humanizmit klasik, si dhe artin e
lartë të stilit." Librat e Hesse-s ishin literaturë e kërkuar pas Luftës
së Dytë Botërore në Gjermaninë, që kërkonte orientim dhe vetëreflektim.
Kur Hermann Hesse vdiq në vitin 1962 në shtëpinë e tij në
Montagnola të Zvicrës, duket se popullariteti i letërsisë së tij, të nderuar me
çmim, ishte zhdukur. Kritikët e përshkruajnë punën e tij si një mbledhje
imitimesh pa nivel. Ishte lëvizja e hipive në SHBA, që i risolli popullaritetin
letersisë së tij. Fëmijët e luleve rizbuluan veten në personazhet e tij, që
luhateshin në mes të ekzistencës si individ artistik dhe anëtar i një shoqërie
qytetare, solide. Ashtu si Harry Haller, protagonisti i "Ujkut të
stepës". Libri shitet pa fund. Popullariteti i Hesse-s kalon më në fund nga
SHBA në botë dhe nuk ka të sosur as sot.
Shtëpia botuese Suhrkamp, e cila boton një pjesë të madhe të
veprave të Hesse-s, shkruante në vitin 2005, duke iur referuar nekrologjisë së
atëhershme për Herman Hesse-n në gazetën "Die Zeit": Me asnjë autor
tjerër shtëpia botuese Suhrkamp nuk ka fituar aq saksi lulesh sa me Herman
Hesse-n."
Autor: Laura Döing/Angjelina Verbica
Comments
Post a Comment