Shqiptarët në veprën e Karl Mayt
Më 30 Mars 2012 mbushen 100 vjet nga vdekja e shkrimtarit
gjerman Karl May, i njohur në Gjermani për një letërsi aventureske të rrëfyer
me mjaft intensitet dhe kolorit. Po si paraqiten shqiptarët në veprën e tij?
Emri i shkrimtarit gjerman, Karl May është pothuaj i
panjohur për shqiptarët, po ashtu edhe libri i tij, ku si protagonistë veprojnë
edhe shqiptarët, "Mes për mes vendit të skipetarëve", njëri nga
romanet e ciklit të Orientit. Megjithatë është pikërisht ky roman i panjohur
për kulturën shqiptare, i cili ka qenë vendimtar në përcaktimin e imazhit të
Shqipërisë në botën gjermanishtfolëse. Madje variacionet e këtij romani
përdoren ende sot si tituj librash apo përshkrime udhëtimesh të gjermanëve apo
austriakëve që kanë zgjedhur të tematizojnë Shqipërinë.
Karl May vetë nuk e vizitoi vendin e shqiptarëve apo
arnautëve, siç i quan ai shqiptarët, asokohe pjesë e Perandorisë Osmane,
megjithëse romani i tij mban jo vetëm titullin, por edhe edhe në subjekt
trajton një udhëtim nëpër vendin e rrezikshëm të shqiponjave. Shkrimtarit nuk i
ra rruga nga rajonet e banuara me shqiptarë, as kur ai ndërmori udhëtimin e tij
nëpër Orient në vitin 1898, kur synoi të përshkonte me këmbë territoret e
përshkruara me aq detaje dhe me kolorit mbresëlënës vetëm me forcën e fantazisë.
Megjithatë Karl May i kthen shqiptarët në personazhe të
romaneve të tij. Të egër, brutalë, vrasës, të errët si në karakterin e tyre,
ashtu edhe në peizazhin që i rrethon këta janë "skipetarët" e Karl
Mayt, një konstrukt fantazie, bazuar mbi stereotipet negative për shqiptarët,
që ekzistonin në Europë edhe para se Karl May të shkruante romanin e tij.
Ndoshta elementët e këtij imazhi ishin "idealë" për shkrimtarin, për
t'i dhënë ngjyresën e përshtatshme historive që ai donte të shkruante me hajdutë
dhe vrasës.
Megjithëse shqiptarët paraqiten si figura negative në veprën
e shkrimtarit, historiani dhe njohësi i Karl Mayt dhe Shqipërisë, Dr. Michael
Schmidt-Neke është i mendimit se imazhi i tyre nuk është tërësisht negative:
"Megjithëse si bir i shekullit të 19-të, May ka qenë i ndikuar nga
stereotipet raciste të këtij shekulli, kur vjen puna tek prezantimi i
shqiptarëve ai është vërtet i diferencuar. Ai i pikturon ata me të zezë por
edhe me të bardhë."
Schmidt-Neke konstaton një dallim në mënyrën se si
pasqyrohet shqiptari në vendin e vet dhe kur ai del si figurë në Perandorinë
Osmane. "Kur Karl May përshkruan xhandarin shqiptar në Kurdistan apo diku
tjetër, ata janë jashtëzakonisht brutal, të tmerrshëm dhe pak inteligjentë.
Ndërsa imazhi i shqiptarëve në vendin e vet është relativisht i diferencuar.
Uni rrëfyes, Kara Ben Nemsi me të cilin May shpesh identifikohet lufton kundër
hajdutëve shqiptarvë por ai edhe bën ujdi me krerët e fiseve shqiptare, të
cilëve u shpëton jetën dhe May krahasimisht na jep një imazh pozitiv të
tyre."
Pyetja që lind është se nga cilat burime i ka marrë
shkrimtari gjerman informacionet për shqiptarët. Studiuesit që janë marrë me
veprën dhe jetën e Karl Mayt janë të mendimit se shkrimtari ka pasur pak
njohuri, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Ballkanin në tërësi. Në këtë
konteskt të mungesës së njohurive mund të shihen edhe gabimet që gjenden në
veprën e Karl Mayt. Në romanin për "skipetarët", autori përzien
gjuhën shqipe me atë serbe, gabimisht ato janë për të një gjuhë e vetme. Po
ashtu gjenden edhe gabime gjeografike të toponimeve të ndryshme që përdor May
në veprën e tij.
Historiani Michael Schmidt-Neke ka studiuar burimet e ndryshme
që i kanë shërbyer Karl May-t për ciklin e romaneve të tij për Orientin. Sipas
historianit, Karl May nuk i ka njohur veprat e studiuesit të njohur gjerman
Johann Georg von Hahn, apo të Joseph von Xylander. Por në tavolinën e
shkrimtarit duket se kanë qëndruar vepra të tjera, të cilat në thelb nuk
paraqisnin ndonjë imazh edhe pozitiv për shqiptarët. Historiani Michael
Schmidt-Neke: "Hapësira shqiptare nuk i interesoi shumë kohë Mayt, prandaj
ai ngeci për fat të keq pak a shumë tek një libër i keq. Ky ishte libri
"Shqipëria e Veriut dhe Lidhja e saj" e publizistit
austriako-malazez, Spiridon Gopcévic, i cili siç dihet është një burim tepër i
diskutueshëm."
Pa qëllim të keq...
Megjithëse Karl May i përshkruan shqiptarët jo edhe me aq
tone pozitive, nuk mund të provohet se ai e bën këtë me qëllim fyerjeje apo
denigrimi. Për shkrimtarin shqiptarët ishin lëndë letrare, imazhi për ta i
shërbente atij për të krijuar një letërsi aventureske plot të papritura,
rreziqe e peripeci - ku në fund fitonte gjithmonë e mira ndaj së keqes.
Është pikërisht kjo lloj letërsie intriguese që e bëri atë
një autor shumë të dashur, sidomos për gjermanët e rinj. Por edhe gjermanët që
kanë lexuar Karl Mayn nuk kanë perceptuar patjetër një imazh negativ për
shqiptarët. Politikani gjerman i CDU-së, Roderich Kiesewetter, i cili njeh
Shqipërinë e sotme, por edhe veprën e Karl Mayt që nga mosha 12 vjeç nuk mendon
se romani i Karl Mayt ka përcaktuar tek ai ndonjë imazh negativ për shqiptarët:
"Për mua ishte shumë impresionuese atëherë të kuptoja sa shumë luftonin
për lirinë e tyre bijtë e shqiponjave, shqiptarët dhe kundër atyre që kalonin
në vendin e tyre. Unë mundja ta diferencoja këtë që atëherë."
Autor: Lindita Arapi
Comments
Post a Comment