“Skënderbeu” triumfi i kryeveprës së Preng Jakovës, në Teatrin e Operës dhe Baletit


Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nën kujdesin e kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u vu në skenë premiera e operës "Skënderbeu" e kompozitorit të shquar Prenk Jakova. Vepra është vënë nga regjisori italian Carlo Saletti dhe mjeshtri koncertues Zhani Ciko. Sipas organizatorëve, ajo rikthehet tek artdashësi shqiptarë pas 40 vjetësh, duke ruajtur të paprekur periudhën kur trajtohen ngjarjet, pra vitin 1443-1444. I pranishëm në natën e parë të saj ishte kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe mjaft artdashës kryeqytetas.
Për realizimin dhe vënien në skenë të kësaj vepre interpretuan rreth 200 artistë, prej të cilëve solistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Orkestra Simfonike e TKOB, artistët e Ansamblit Popullor, Kori i Universitetit të Arteve, kori i fëmijëve të Liceut Artistik "Jordan Misja", ushtarakë të zgjedhur nga Forcat e Armatosura, si dhe instrumentistë të Orkestrës Frymore të FA-së. Roli i Skënderbeut i është besuar tenorit të famshëm amerikan Roy Stevens, i cili u shpreh mjaft i lumtur që do jetësojë heroin tonë kombëtar, ndërsa regjisori Carlo Saletti ka mbajtur parasysh muzikën e plotë të veprës që Jakova kompozoi mbi libretin e poetit të njohur të viteve '60-'70 Llazar Siliqi. Ky produksion synon të tregojë një figurë njerëzore të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, po aq sa të ruajë dimensionin e tij mitik kur flitet për luftëtarin dhe udhëheqësin kundër marshimit otoman drejt Europës.
Zhani Ciko, i cili është njëkohësisht edhe mjeshtër koncertues në këtë produksion, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e vënies në skenë të kësaj vepre të madhe, duke bërë të mundur konceptimin dhe përqasjen e epokës së heroit tonë kombëtar me maksimumin e dimensioneve të veta. Një meritë të madhe në realizimin e vënies në skenë të kësaj opere ka edhe bashkëpunimi edhe me institucionet e tjera, pasi vetëm Teatri i Operës nuk mund të realizonte operën pa ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre. Në këtë drejtim një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe Ministria e Mbrojtjes. "Pa dashamirësinë e ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi, të cilët na kanë hapur dyert jo vetëm një herë duke punuar bashkërisht, kjo vepër nuk do të kishte kuptim. Falë këtij bashkëpunimi mund të themi që shfaqja ka dimensione të cilat publiku do t'i vlerësojë", - ka theksuar mjeshtri Ciko.
Nga ana tjetër, dirigjenti i mirënjohur i Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, nënkolonel Halim Teqja, tha se në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes janë bërë promotorë të veprimtarive nga më të ndryshmet përfshirë edhe në fushën e artit dhe të kulturës. "Me vënien në skenë të operës "Skënderbeu" të Prenk Jakovës, pas më shumë se 4 dekadash shihet edhe kontributi i Forcave të Armatosura, jo vetëm në mbështetjen me mjete logjistike, por edhe në mbështetje me forca artistike. Pjesëmarrja jonë me një grup muzikantësh prej 11 vetash në finalen e operës "Skënderbeu", përveçse i shton emocione, bukuri dhe performancë kësaj vepre, njëkohësisht vazhdon të përforcojë dhe kontributin që Orkestra Frymore e FA-së, në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletin, kanë bërë në vazhdimësi", - u shpreh, ndër të tjera, dirigjenti ushtarak Teqja.
Për realizimin e kësaj vepre morën pjesë edhe 35 përfaqësues të përzgjedhur nga Forcat e Armatosura, nga të cilët 11 instrumentistë të Orkestrës Frymore, 21 trupa nga Batalioni Komando i Forcave Tokësore, të aftë dhe të përgatitur fizikisht, si dhe 3 ushtarë të Batalionit të Sigurimit.








Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk