Vizatimet e para në Evropë janë 40 mijë e 800 vjet të vjetra
Hulumtimet e fundit për herë të parë kanë dëshmuar
saktësisht se cilat janë vizatimet më të vjetra në shpellat në Evropë. Bëhet
fjalë për vizatime nga periudha paleolite, që janë zbuluar në veri të Spanjës,
e hulumtimet kanë treguar se janë 40 mijë e 800 vjet të vjetra, që do të thotë
10 mijë vjet më të vjetra sesa mendohej. Kjo, sipas shkencëtarëve, do të thotë
se vizatimet janë realizuar ose nga përfaqësuesit e njeriut të parë modern, për
të cilin më parë ishte menduar se në këtë rajon kishte banuar 41 mijë e 500
vjet më parë, ose ndoshta edhe nga Neandertalët. Shkencëtarët kanë përcaktuar
vjetërsinë e vizatimeve prehistorike me përcaktimin e vjetërsisë së
stalaktiteve që mbulojnë vizatimet, me ndihmën e kalbjes radioaktive të
uraniumit. Janë studiuar gjithsej 11 shpella në veri të Spanjës, duke përfshirë
edhe shpellat “Altamira”, “El Castillo” dhe “Tito Bustillo”, që janë nën
mbrojtjen e UNESCO-s.
“Në shpellën ‘El Castillo’ kemi gjetur gjurmë të shuplakës
së dorës, të vjetra mbi 37 mijë e 700 vjet, të cilat realizohen kur ngjyra
derdhet mbi duart e vendosura në murin e shpellës”, ka shpjeguar dr. Alistair
Pike nga Bristol University i Britanisë së Madhe.
“Përveç këtyre vizatimeve, kemi gjetur një disk të kuq i
bërë me një teknikë të ngjashme, që është i vjetër më shumë se 40 mijë 800
vjet”, ka shtuar ai. Një ekip shkencëtarësh ka studiuar shtresat e
karbonat-kalciumit (calcite) të formuara mbi vizatime, që krijohen në të
njëjtën mënyrë si stalagmitet dhe stalaktitet. Kalcitet përmbajnë një sasi të
vogël të atomeve natyrore radioaktive të uraniumit, të cilat me kohë janë
konvertuar në torium në një formë shumë precize.
Raporti i këtyre dy elementeve përdoret për të përcaktuar
kur është krijuar fillimisht shtresa e kalcitit. Kjo metodë e përcaktimit të
vjetërsisë është e njohur me dekada, por sot kjo teknikë është aq e përsosur,
saqë është e mjaftueshme një mostër shumë e vogël për të arritur në një
rezultat të besueshëm.
Comments
Post a Comment