Hans-Joachim Lanksch: Standardi i sotëm i gjuhës u krijua në epruvetë
Përkthyesi i shqiptarëve në gjermanisht, u përgjigjet 40 kundërshtarëve të konferencës së gjuhës “Shqipja në etapën e sotme..”
Në një artikull të gjatë, një ndër përkthyesit më të njohur
të shqiptarëve në gjermanisht, Hans- Joachim Lanksch, iu përgjigjet
intelektualëve që kundërshtuan konferencën gjuhësore, me një letër ku sqaronin
opinionin publik. Duke mos qenë dakord me “bojkotimin” e konferencës nga
kryembrojtësit e standardit, Lanksch pyet se “nëse ju nuk donit që të flisnin
diletantët, për gjuhën, përse nuk doni që as gjuhëtarët të flasin për të?” Pasi
ka arritur në përfundimin që standardi i 72-it ishte produkt politik, jo vetëm
se në atë kohë çdo gjë ishte politike, por edhe sepse është “krijuar për shkaqe
politike dhe është mbrojtur nga ju me argumente jashtëgjuhësore, politike,
dmth. me termin monolitik ‘kombëtar”. Duke folur për kohën kur u vendos
toskërishtja në bazën e standardit, Lanksch kujton se në 1947 thuhej “Gjuhë
letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të jetë ajo e masave të popullit që
përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë” dhe më tej 5 vite më vonë, u
tha se: “Jugu nxori udhëheqësit kryesorë e më të shumtë të lëvizjes, ajo i dha
kuadrot më të shumta”, ndërsa gegnishtja u shpall “reaksionare”. Pasi
kundërshton argumentet e letrës së hapur me argumente të tjera, në fund ai
sqaron se “unë kam zakon të shkruaj gegnisht. Kësaj here bëra përjashtim, me
qëllim që të mos nervozohet njeri për gjuhën që e përdor por të lexohet
përmbajtja. Qëllimisht vura e-tremën /ë/, aty ku njësuarishtja e ka e-në e
thjeshtë: ‘qënë’ etj. në vënd të ‘qenë’, për arsye që e-ja e thjeshtë /e/ para
bashkëtingëllores hundore /n/ nuk realizohet asgjëkundi. Gegët e përdorin e-në
hundore /ê/, “vên”. Të tjerët e-në në këtë pozitë e shqiptojnë me /ë/, ‘vënd”.
Gazeta sqaron se titulli, nëntitulli dhe detajet janë të redaksisë. Titulli në
origjinal është: Të nderuar kundërshtarë të diskursit të lirë”. fa.ni
Të nderuar kundërshtarë të diskursit të lirë, të nderuar it
prof. dr. Shaban Demiraj, prof. dr. Kristo Frashëri, Dritëro Agolli, prof. dr.
Ali Dhrimo, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Remzi
Përnaska, prof. dr. Rami Memushaj, dr. Mariana Ymeri, Nikoleta Cikuli, dr.
Xhelal Ylli, dr. Shpëtim Çuçka, prof. dr. Jorgo Bulo, Teodor Laço, prof. dr.
Nasho Jorgaqi, prof. dr. Eshref Ymeri, prof. dr. Ali Xhiku, prof. dr. Luan
Omari, prof. dr. Arben Puto, prof. dr. Eduard Sulstarova, prof. dr. Muzafer
Korkuti, prof. dr. Vaso Tole, prof. dr. Mimoza Gjokutaj, prof. dr. Josif
Papagjoni, prof. dr. Thoma Dhima, prof. dr. Albert Riska, prof. dr. Nexhip
Mërkuri, prof. dr. Bardhosh Gaçe, Gaqo Bushaka, prof. dr. Pëllumb Xhufi, Kiço
Blushi, Nasi Lera, Piro Misha, Diana Çuli, Agim Mero, prof. as. dr. Spiridhulla
Poçi, prof. as. dr. Artur Lame, prof. as. dr. Idriz Metani, prof. dr. Dhimitër
Bello, Ermira Shtino!
Ju i jeni drejtuar “opinionit shoqëror shqiptar” me një
letër që u botua në shtyp më 15 dhjetor ku në thelb jeni shprehur kundër
Konferencës Shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe
të pasurimit të standardit” nën organizimin e QSA-së, ku e keni prognostikuar
diskutimin rreth shqipes standarde respektivisht rishikimit të saj si cenim e
dëmtim të vlerës së lartë kulturore kombëtare të shqipes standarde për motive
jashtëgjuhësore. Disa nga kryembrojtësit e gjuhës së njësuar e kanë bojkotuar
konferencën, edhe pse kanë qënë të ftuar të marrin pjesë siç ma konfirmoi në
pyetjen përkatëse QSA-ja.
Kjo është për t’u çuditur. Deri më tash diskursi publik për
standardin e 72-ës dhe rishikimin e tij eventual është bërë nga shkrimtarë dhe
intelektualë të ndryshëm (Primo Shllaku, Migjen Kelmendi, Agron Tufa e të
tjerë) ku mbrojtësit e standardit të 72-ës rregullisht qanin me të madhe duke u
ankuar se për këtë çështje flisnin persona që nuk ishin specialistë të fushës
dmth. gjuhëtarë por “diletantë” të cilët nuk paskan vënd në diskutimet për
gjuhën shqipe. Në këto reagime të gjuhëtarëve pro status quo më së shumti u
lexua dhe u ndëgjua fjala “kombëtar”: vlera kombëtare, arritja kombëtare,
bashkimi kombëtar etj. Gjuhëtarët pro statusit të paprekshëm të standardit,
pra, reagonin ndaj prononcimeve të ithtarëve të rishikimit të gjuhës së
njësuar, ndaj prononcimeve të diletantëve, me argumente jashtëgjuhësore dth.
diletante.
Tash që, më në fund, u organizua një konferencë shkencore në
të cilën, më në fund, do të argumentonin shkencërisht për mundësinë apo jo të
zgjerimit e pasurimit të standardit specialistët e fushës, ata specialistë të
gjuhësisë që e mbrojnë standardin e pandryshueshëm i thanë “jo” konferencës
shkencore dhe siç duket mobilizuan një sërë diletantësh – historianë, njerëz të
letrave etj. – për të firmosur letrën e lartpërmëndur që u botua mu ditën e
parë të konferencës.
“Opinionit shoqëror” ia servirni disa të vërteta sui generis
ku të vërtetën e quani të pavërtetë dhe anasjelltas. Ju mohoni karakterin
politik të gjenezës së “gjuhës së njësuar shqipe” dhe i quani “persona të
paçliruar nga mendësitë e vjetra” ata që rezultatin e Kongresit të
Drejtshkrimit e quajnë një pjellë të diktaturës staliniste. Ky është kulmi!
Duket se të paçliruar nga mëndësitë e vjetra janë ata që titujt e tyre
akademikë dhe dekorimet e çmimet e tyre të Republikës të shkallës së parë i
morën në kohën e stalinizmit dhe tash i mbrojnë timaret e tyre të vjetra. Ata
që e shikojnë me sy kritik standardin ju i quani të politizuar. Ky është kulmi
i kulmeve! Ky standard është krijuar për shkaqe politike dhe është mbrojtur nga
ju me argumente jashtëgjuhësore, politike, dmth. me termin monolitik “kombëtar”
(të cilin në letër e shndërruat në binom – “kombëtar kulturor”). Ata që, më në
fund, synojnë ta ç’politizojnë shqyrtimin e gjuhës shqipe ju i quani të
politizuar. Ju i shtrembëroni punët edhe më tej duke thënë që ata që duan të
diskutojnë për standardin gjoja pretendojnë që rishikimi i standardit
nënkuptuaka një qëndrim pro demokracisë, përderisa mbrojtja e tij nënkuptuaka
një qëndrim kundër demokracisë. E vërteta qëndron pak ndryshe: kush është i
hapur dhe i gatshëm të diskutojë për ndryshime eventuale të standardit të 72-ës
ka një horizont demokratik, kush ngul këmbë të mos flasë për çështje të
petrifikuara nuk është çliruar nga mendësitë e vjetra. Guri i provës nuk është
qëndrimi pro a kundër një çështjeje, por gatishmëria për dialogun me tjetrin.
Ju deklaroni që “Askund partitë politike, edhe në diktaturë,
nuk kanë prodhuar gjuhë letrare ose gjuhë standarde. Gjuhët standarde nuk
krijohen me planifikime as socialiste, as kapitaliste. Ato janë produkte
kolektive të zhvillimeve kulturore e shoqërore. ….. Ajo (gjuhësia) ngre në
standard atë që është arritur në praktikë dhe nuk krijon gjuhë standarde në
epruvetë sipas ndonjë porosie.” Në të vërtetë, askund gjuhët letrare nuk
prodhohen, nuk krijohen me planifikime as socialiste, as kapitaliste dhe nuk
krijohen në epruvetë. Askund. Ama ju e dini fort mirë që në paranoien e quajtur
Shqipëria socialiste mu kjo është bërë.
Siç dihet, Komisia Letrare e Shkodrës e kishte përcaktuar si
gjuhë letrare elbasanishten, një idiomë ekzistuese e të natyrshme që ishte e
kapshme si për toskët ashtu dhe për gegët pasi është një e folme kalimtare. Siç
dihet, kjo gjuhë e përbashkët letrare nuk ka qënë e etabluar si duhet kur e
pushtuan Shqipërinë komunistët. Detyra e gjuhëtarëve të kohës ka qënë ta bënin
çmos për ta etabluar këtë idiomë (ashtu si shtatëdhjetedytistët sot e mbrojnë
me thonj e dhëmbë standardin e tyre) dhe jo të gatisnin në epruvetë një gjuhë
të re standarde e cila nuk flitej dhe nuk shkruhej askund dhe nga askush, një
farkëtim arbitrar dhe artificial (përafërsisht 80 për qind toskërisht dhe 20
për qind gegnisht).
Ju thoni që Kongresi i Drejtshkrimit “paraqitet në dritë të
rrejshme” sepse në të vërtetë “ishte një forum shkencor gjuhësor. ….. Ata që
morën pjesë dhe nënshkruan Rezolutën e tij ishin të përbashkuar rreth një
qëllimi: të sanksiononin një gjuhë letrare të njësuar për gjithë hapësirën
shqipfolëse, duke zgjidhur përfundimisht një problem kulturor kombëtar dhe duke
ripohuar njësinë kombëtare të shqiptarëve brenda e jashtë kufijve shtetërore.”
Në këtë mes dua të bëj tri komente:
a) “Një forum shkencor gjuhësor”. Ju e dini shumë mirë që në
RPS të Shqipërisë çdo gjë ka qënë e politizuar dhe e ideologjizuar, nga
kultivimi i deleve deri te gjatësia e flokëve të meshkujve, nga kolektivizimi i
bujqësisë dhe i letërsisë deri te fushat e shkencës. Po ju vë në dukje disa
shprehje shumëtreguese: “Gjuhë letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të
jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit
tonë”, u deklarua më ’47-ën, dhe 5 vjet më vonë, në sesionin shkencor me titull
“Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore në dritën e
këtyre veprave” u tha se: “Jugu nxori udhëheqësit kryesorë e më të shumtë të
lëvizjes, ajo i dha kuadrot më të shumta”, ndërsa gegnishtja u shpall
“reaksionare”. Në Kongresin më ’72-ën dhe më pas theksohej vazhdimisht që vlera
e standardit qëndronte te “parimet marksiste” (cituar sipas Dr. Mehmet Elezit).
b) Sipas fjalëve tuaja synimi kryesor i Kongresit të
Drejtshkrimit nuk ka qënë një zgjidhje gjuhësore por prapë një qëllim
jashtëgjuhësor dth. kombëtar (njësia kombëtare), pra politik.
c) Sak në këtë mes, lidhur më ripohimin e njësisë kombëtare
të shqipëtarëve brënda dhe jashtë kufijve shtetërorë, Kostallari me kolegët e
tij bënin një gabim kolosal – e injoronin realitetin gjuhësor (shqiptarët në
Kosovë, Maqedoni, Serbi jugore dhe Mal të Zi plus Shqipëria prej Thethit deri
në Elbasan flasin gegnisht). Rrjedhimisht, shumica e shqiptarëve në Kosovë e
Maqedoni edhe sot e kësaj dite nuk e zotërojnë standardin e 72-ës.
Ju i zutë ngoje edhe ata që ankohen për “padrejtësinë ndaj
dialektit të Veriut” ku ju ua ngjitni atyre se ata gjoja kërkojnë “drejtësinë”
në mënyrë që të gjitha dialektet, nëndialektet dhe nën-nëndialektet e shqipes
të kishin një të drejtë për hisenë e barabartë në gjuhën standarde. Një gjë të
tillë s’kanë thanë dhe s’thonë pro-gegët. Në radhë të parë ata e kanë fjalën te
faktet e njohura: a) shqiptarët kishin një gjuhë letrare me bazë dialektore
gege (elbasanishten letrare) të cilën Kostallari dhe kolegët e tij e abroguan
pa kurrfarë nevoje dhe e zëvëndësuan me konstruktin artificial të gjuhës aspak
të njësuar, b) si arsyetim për mbizotërimin e toskërishtes në njësuarishten u
argumentua që letërsia lëvrohej më shumë në toskërishte se sa në gegnishte. Kjo
ishte një perspektivë skajshmërisht dritëshkurtër dhe e gabimtë. Argumenti
vlente për ato pak vite të sundimit komunist në të cilat, në të vërtetë,
letërsinë e “Realizmit Socialist” e dominonin jugorët, dhe e mohonte historinë
e letërsisë shqipe ku autorët gegnishtshkrues ishin të pranishëm prej Buzukut
deri te Koliqi.
Në letrën tuaj ju kundërshtoni thënien për ndalimin e
gegnishtes si akt politik nga regjimi komunist. Sipas fjalëve tuaja, krijimi
dhe botimi në gegnishte në Shqipëri “u vetëndërpre” si akt solidarizues me
shqiptarët e ish-Jugosllavisë pas Konsultës Gjuhësore të Institutit
Albanologjik të Prishtinës më 1968 me vendimin “Një komb – një gjuhë”. Vetëm
nostalgjikët e parajsës së popullit punonjës mund të harrojnë që në këtë
parajsë asgjë nuk është vetëndërprerë a vetërregulluar. Diktatura staliniste
kishte veglat dhe mekanizmat e saj dhe nuk kishte nevojë për ligje a aktvendime
zyrtare për të etabluar a zhdukur ndonjë gjë. Bile-biles, ku kishte ligje a
vendime administrative regjimi i shkelte ato qindfish.
Në fund dua t’ju citoj lajmin e gazetës kosovare “Express”
të datës 21 dhjetor: “Shkrimtari më i madh që kanë nxjerrë trevat shqiptare nuk
ka qëndruar indiferent ndaj debatit që është hapur për standardin e gjuhës
shqipe. Ismail Kadare thotë se nuk është kundër asnjë ndryshimi cilësor por kjo
duhet të bëhet nga profesionistë dhe jo të lihet në dorë të diletantëve.”
Ismail Kadare këtë e ka thënë në një mbrëmje letrare në Köln (Këln). Taman këtë
e synonin organizatorët e Konferencës Shkencore, dth. shqyrtimin dhe
shkoklavitjen e ndryshimeve cilësore nga ana e specialistëve. Ju e refuzuat
dialogun dhe, me sa e kuptova mirë letrën tuaj, ua kontestuat të drejtën e
diskursit atyre që mendojnë ndryshe nga ju. Shkrimit tim i jap fund me edhe një
citat: “Ti ke mendim ndryshe nga unë dhe unë do ta mbroj deri në vdekje të
drejtën tënde për këtë mendimin tënd” (Voltaire)
Comments
Post a Comment