Përkthyesi Hans-Joachim Lanksch: Thjesht u dashurova me poezinë e Ali Podrimes
Poezia lirike e Ali Podrimes është e njohur edhe jashtë
hapësirave shqipfolëse. Poezitë e Ali Podrimes në gjermanisht janë përkthyer
nga Hans-Joachim Lanksch.
Poeti i njohur nga Kosova Ali Podrimja ndërroi jetë ditët e
fundit në Francë pasi kisjte marrë pjesë në festivalin e pozisë "Voix de
la Méditerranée" në qytetin jugor Lodeve. Politikanë dhe personalitete në
Kosovë e konsideruan si humbje të madhe ndarjen e Podrimes nga jeta. Ndër të
tjera poeti kosovar ishte nderuar edhe me çmimin Nikolaus-Lenau të qarkut të
artistëve Eslingen. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Në gjermanisht
është botuar në vitin 1991 vëllimi me poezi "Ich sattle das Ross den
Tod" (unë shaloj vdekjen e kalit).
DW: Kur e keni njohur
poetin Podrimja për herë të parë dhe çfarë ju bëri përshtypje fillimisht në
vargjet e këtij poeti?
Lanksch: Me Aliun jemi njohur më 1985-ën, kur isha i ftuar
si mysafir i "Takimeve të Brezovicës". Takimet ishin një qendrim
dyjavësh në malet e Sharrit, ku takoheshin anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve
të Kosovës.
Një shtëpi e vogël botuese gjermane, "Straelener
Manuskripte Verlag" që merrej me botimin e poetëve nga letërsitë "e
vogla" ma kishte dhanë nji mision, d.m.th. me hetue nji poet për t' u
botue pranë kësaj shtëpie botuese. Me t' u mbërrijtë në Prishtinë, më çuen te
shtëpia botuese "Rilindja" ku më dhuruen libra sa për të mbushë
gjithë vendin e bagazhit të makinës. Disa njerëz mundoheshin me m' imponue nji
poet të përcaktuem tue më këndue lëvdata të trasha për te, disa poetë
mundoheshin të më vetimponoheshin, mirëpo në Brezovicë unë kisha mjaft kohë dhe
lexoja me duzina poetë të ndryshëm dhe thjesht u dashunova në poezinë e Aliut.
Më bani përshtypje ngjeshunia e teksteve të Aliut – s' ka
fjalë të tepërta, s' ka as rrokje të tepërta. Poezia e tij nuk tregon ndonji
ngjarje dhe as nuk shpalos drejtpërsëdrejti ndonji mendim a ideologji, ajo nuk
asht përshkruese por asht shumë domethanëse me shumë pak fjalë. Me nji fjalë:
më bante përshtypje vlera estetike e poezisë së tij.
Si e përjetuat
vdekjen e tij?
Kur vdiq Aliu, isha në pushime. Me t' u kthye në shtëpi,
mesazhi i parë me mail që hapa ishte ky: "Ndoshta e ke marrë lajmin e
hidhur për ndarjen nga kjo botë e Ali Podrimjes. Një fund tragjik i një poeti
të mirë. Ngushëllime!" Mesazhi qe nji shok i vërtetë. Ende jam nën shok.
Me Aliun iku i fundit i klasikëve të letërsisë moderne të Kosovës. ASHAKU-u
thotë që do t' ia botojnë tanë veprën Aliut. Fort mirë. Ma merr mendja që asht
fjala për nji botim reprezentativ, ku shpresoj që do ketë dhe nji botim për
studentët, nxanësat dhe njerëz të tjerë pa kuletë të trashë. Due me thanë që
dëshiroj që vepra e Ali Podrimjes të lexohet e të shijohet dhe të mos
muzealizohet me përmendore, botime të shtrenjta, akademi solemne etj.
A është vështirë të
përkthesh poezitë e tij? Nga se karakterizohet poezia e tij, ku e ka pikën më
të fortë?
Çdo përkthim i çdo poeti të vërtetë asht i vështirë.
Vështirësia specifike e poezisë së Aliut qëndron te dendësimi i saj ku çdo
rrokje ka peshën e saj të domosdoshme, vlerën e saj estetike dhe funksionin e
saj semantik kështu që dhe përkthyesi duhet t' i kursejë rrokjet, kurse
gjermanishtja ka shumë rrokje pa domethanie, që kanë vetëm ndonji funkcion
gramatikor, si p.sh. "ich habe ihn gesehen" (shtatë rrokje)" –
"e kam parë" (tri rrokje). Përveç kësaj, gjuha poetike e Aliut
shquhet nga nji frazeologji e pasun. Fjalët gjinden në fjalorë, ndërsa
frazeologjizma – kombinime specifike fjalësh – nuk gjinden në fjalorë.
Cilat poezi do të
veçonit si më të mirat?
Zonja Mimoza, kjo është sikur të duhet të veçoj ndër 2000
femna bukuroshe. Veç ju lutem: mos më bani pyetje se cila asht ma e bukura!?
Si është vlerësuar në
Gjermani ky poet?
Si në Gjermani ashtu dhe në Austri poeti Ali Podrimja
vlerësohej nalt nga kritika letrare. Ma me randësi, ndoshta, asht jehona te
publiku. Aliu kishte shumë orë letrare para publikut gjerman dhe austriak,
sidomos në vitet e 90-ta, ku ndigjuesit ishin thjesht të entuziazmuem nga
niveli, bukuria dhe ekspresiviteti i poezisë së tij. Publiku i ka kenë
mirënjohës Aliut edhe për shkak se ai dëshmonte që shqiptarët e Kosovës nuk
janë vetëm nji masë refugjatësh të mjerë por nji popull me kulturë të nalt në
nivel europian.
Comments
Post a Comment