Joe R. Lansdale: “Një shkrimtar duhet të ketë gjithmonë sytë e një fëmije”


Në fund të kënetës, i zhytur e përlyer në baltë, i goditur nga racizmi, nga urrejtja dhe dhuna, vazhdon të mbijetojë, madje më shumë se kaq, ka nisur që të rilindë ajo që mbetet nga ëndrra amerikane.
Për t’i “dhuruar” një ekzistencë të re, një gjak të ri që zemra t’i rrahë fort, ka menduar edhe shkrimtari amerikan Joe R. Lansdale me librin e tij të fundit “Uji i errët”, i cili sapo ka dalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritet që të vijë edhe në Europë. Një libër i pritur mirë nga kritika dhe lexuesit në javët e para në duart e publikut. Është një roman në të cilin ngjarjet zhvillohen në kontekstin e zakonshëm të Teksasit Lindor, në periudhën e Depresionit të Madh, por që përcjell një mesazh që nuk ndalet vetëm për kohën dhe ngjarjet në të cilat zhvillohet, por që është një mesazh universal, sikundër ndodh me të gjitha veprat e mëdha. Madje, kjo është aq e fortë, sa ndërsa e lexon librin, të krijohet ajo ndjesia e “pakohësisë” e “pavendësisë” që ka forcën e madhe për të folur për të djeshmen, të sotmen, të nesërmen. Personazhet, me një forcë të madhe jetësore, edhe pse aspak heronj, kanë vendosmërinë për të mos iu lëshuar pesimizmit, të përcjellin shpresë edhe kur je në mesin e një tuneli të errët e pa dritë. Ja një intervistë e shkurtër me këtë autor të madh bashkëkohor amerikan…
Duke lexuar recensionet e shtypit amerikan, të krijohet përshtypja se tashmë keni rrokur edhe zemrën e kritikëve më të ashpër përmes librit tuaj të fundit. Mendoni se ky është libri juaj më i mirë?
Kam qenë gjithmonë me fat dhe jam mirëpritur. Mund të them se ky është romani që ka pasur edhe pritjen më të mirë që i ka bërë publiku, edhe pse nuk jam unë personi që duhet ta them një gjë të tillë. Po mendoj se është libri im më i mirë deri më tani. Kam dashur që në fillim që të realizoja një mitologji realiste. Kam marr shkas nga klasikët e mëdhenj si Odiseja, por edhe nga Gaskonj dhe Argonautët. Kam punuar shumë dhe jam lodhur shumë për hir të së vërtetës, por jam i lumtur që më në fund ia dola mbanë.
Libri duket si një përrallë, dhe, edhe pse është një roman i tipit “noir”, ka si protagonistë të rinjtë. Përse e përsërisni kaq shpesh këtë gjë?
Më pëlqen që të vëzhgoj realitetin me sytë e fëmijëve, të të rinjve. Është një perspektivë gjithmonë e veçantë dhe e re. Rritja është ai moment i mrekullueshëm dhe i papërsëritshëm, gjatë të cilit zbulon që thuajse gjithçka është ndryshe nga sa ta kanë thënë, dhe nga sa e kishe imagjinuar. Nuk mund të them më mirë, apo më keq, por them ndryshe. Dhe pikërisht në këtë fazë të jetës, pafajësia e fëmijërisë zhduket dhe është ndoshta momenti më entuziazmues i jetës së një njeriu.
Në çfarë kuptimi?
Është sekreti i vërtetë i atij që shkruan: të mos rritet kurrë në moshë dhe të mos ta humbasë kurrë vështrimin prej djaloshi, apo prej fëmije. Unë përpiqem që ta ruaj këtë çdo ditë. Çdo mëngjes befasohem dhe mrekullohem nga dita e re që më fsheh shumë të papritura.
Në libër është edhe një personazh që në fakt është gjysmë-realitet dhe gjysmë-ëndërr, njëlloj qenieje mes përrallës dhe jetës reale, e papërcaktuar. Ai është Sunk vrasësi i pyjeve. Si ju ka ardhur në mend një qenie e tillë?

Është një përvojë e ngjashme me natyrën njerëzore, figura të tilla gjenden në shumë tradita popullore dhe këto figura na shërbejnë për t’i dhënë një fytyrë të gjitha frikërave tona. Doja që kjo figurë të përfaqësonte të keqen absolute.
Më pas, kemi edhe Depresionin e Madh, që në dukje duket si diçka që i përket sfondit, por në të vërtetë është protagonisti i madh i romanit…
Im atë ishte 42 vjet më i madh se unë, ndërsa im vëlla, 17 vjet, ndërsa ime gjyshe, madje, kishte jetuar edhe në periudhën e Perëndimit të Egër dhe të Depresionit të Madh që është edhe momenti i kalimit të madh nga një epokë e vjetër në një epokë të re, në një epokë më moderne. Njerëzit e mi janë të gjithë njerëz të cilëve u pëlqen që të rrëfejnë histori. Më qëlloi që u rrita mes njerëzish që rrëfejnë dhe mes shumë historish. Kur kam qenë i vogël, familja ime ishte shumë e varfër dhe ndaj, mund të them se është lehtë për mua që të flas në pozicionin e atyre që jetojnë në mënyrë të vështirë. Unë e di se si ndihesh. Veç kësaj, duke u plakur, tenton gjithmonë që të jetosh në të shkuarën dhe të shohësh rrënjët e origjinës tënde, kështu shumë nga librat e mi flasin për të shkuarën time. Epokat që janë shumë të ngjeshura, janë universale.
Një epokë, që ndërkohë, ofron shumë analogji me të sotmen…
Sigurisht, edhe pse për fat, krahasuar me atë që ndodhi në SHBA në kohën e Depresionit të Madh, aktualisht jemi në një situatë “të mirë”. Por kam nisur që të shoh rreth meje dëshpërimin e atyre që kanë humbur vendin e punës. Edhe pse tani jam ekonomikisht i privilegjuar, në fakt ndihem një punëtor i thjeshtë dhe i varfër kur shkruaj.
A mendoni se Amerika e sotme është përmirësuar për sa i përket çështjes së racizmit krahasuar me një periudhë 80 vjet më parë?
Po, sigurisht që racizmi ekziston ende, sikundër ekzistojnë në këtë botë shumë paragjykime, por janë bërë ndërkohë hapa të mëdha përpara. Mjafton të shohësh se Obama mbështeti martesat e homoseksualëve.
“Uji i errët”, pa dashur që të flasim për përmbajtjen, është një libër që flet për ëndrrat dhe dëshirën për t’u realizuar ato. Ju vetë a vazhdoni që të besoni në ëndrrën amerikane si model zhvillimi?
Po, besoj shumë. Jam një mbështetës i madh i ëndrrës amerikane, e kam përjetuar personalisht dhe jam një nga shembujt e saj. Por duhet që të bëjmë kujdes dhe të kemi mirë parasysh se nuk është një premtim që pikon nga qielli dhe që realizohet me një shkop magjik, por është një mundësi të cilën duhet të dish ta presësh dhe ta kapësh e ta shfrytëzosh.
Po ndoshta, tani me krizën, kjo ëndërr është bërë një pamundësi për t’u arritur?
Është fakt, që njerëzit duhet që të përballen me shumë vështirësi dhe rruga nuk është e lehtë për askënd dhe drita e kësaj ëndrre mund të jetë mpakur paksa, por ekzistenca e ëndrrës amerikane është ende një nga vlerat më të mëdha të amerikanëve. Dhe për këtë ëndërr, më pëlqen që të rrëfej në librat e mi…

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk