Lulzim Zeqja: Aktrimi, ëndrra që vazhdon bashkë me mua



Izaura Ndoj
Ambicia, puna dhe pasioni për aktrimin e kanë bërë të jetë një ndër aktorët më të suksesshëm të skenës shqiptare gjatë këtij 10-vjeçari. Edhe pse karriera e tij është bazuar në teatër dhe film, ai akoma vazhdon në procesin e krijimit të profilit të tij artistik. Në një intervistë për “Summer Time”, aktori Lulzim Zeqja rrëfen fillimet e tij, rolet që i janë besuar gjatë këtyre viteve, puna e tij mes teatrit dhe filmit, si dhe projektet që do ta ndjekin në vazhdim. Aktori Lulzim Zeqja ka mbaruar Akademinë e Arteve në 2001-n, ku me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” ai hyn në kategorinë e aktorëve profesionistë. Në 2005-n interpreton në filmin “L’orizzonte degli eventi”, me të cilin ishte edhe pjesëmarrës në Festivalin e Kanës në seksionin e “Javës së kritikës”. Para disa kohësh, ai u ngjit sërish në skenën teatrore të Metropolit, i përzgjedhur për rolin kryesor në pjesën e “Playboy i trojeve tona” të dramaturgut irlandez John Millington Synge, si dhe me shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta”. Ndërkohë, ka qenë pjesëmarrës aktiv në filmat e fundit të xhiruar nga regjisorët shqiptarë, “Nata pa hënë” e Artan Minarollit, apo “Letra e re” e Edmond Budinës. “Lindje-perëndim-lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit dhe tek seriali “Komuna e Parisit” etj.


Prej disa vitesh, ju jeni bërë një emër i njohur në artin dhe kinematografinë shqiptare. Keni pasur ndonjë pikë referimi që ju shtyu drejt aktrimit?
Ndriçim Xhepa është një ndër figurat që mua më ka mahnitur me punën e tij, ku dhe sot vazhdon akoma të punojë. Absolutisht që janë një grup aktorësh siç janë; Agim Qirjaqi, Bujar Lako, Robert Ndrenika, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka e shumë të tjerë. Kanë qenë këto që më shtynë dhe më prodhuan ëndrrën për të qenë aktor. Pasi mbarova Fakultetin e Arteve për Dramaturgji, në vitin 2001 mbrojta diplomën me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” me regji të Altin Bashës. Ishte një shfaqje me nota pozitive, pasi për mua ishte dhe sfida e parë me publikun si një profesionist, aty ku filloi dhe jeta artistike. Po në këtë vit isha pjesëmarrës aktiv në filmat e fundit të xhiruar nga regjisorët shqiptarë, “Nata pa hënë” e Artan Minarollit, apo “Letra e re” e Edmond Budinës. Më tej, në 2002-n, rrugëtojmë drejt Kosovës me shfaqjen “Pallati i ëndrrave” të shkruar nga Ismail Kadare, por e dramatizuar nga Basha. Eksperienca me këtë shfaqje zgjati rreth tre muaj në Teatrin e Prishtinës.

Pas rrëmbimit të emocionit të qenit aktor, cili ka qenë roli që ju ka identifikuar në skenën shqiptare?
Për mua edhe Prishtina ishte një skenë shqiptare. Ka qenë roli tek “Pallati i ëndrrave” ai që e pasoi më tej punën time si një aktor. Pasi jemi kthyer në Tiranë, kam bashkëpunuar me kompaninë “Oaz” me dy shfaqje, të cilat rrëmbyen vlerësimin e publikut kryeqytetas në Teatrin Kombëtar. Pas këtyre shfaqjeve, shkova në Itali ku mora pjesë në disa workshope në Ibizia, ku kam bërë dy shfaqje. Gjatë kësaj periudhe kam pasur disa bashkëpunime njëri pas tjetrit, ku një bashkëpunim ka qenë me serialin “La Scuadre” me “Rai 3”.

Pasi u larguat nga Shqipëri gjatë katër viteve që qëndruat atje e provuat veten në disa zhanre të aktrimit. Si ka qenë bashkëpunimi me regjisorët e huaj?
Ka qenë një bashkëpunim i mirë dhe një eksperiencë për mua. Kam xhiruar në vitin 2005 në filmin “L’orizzonte degli eventi” dhe kam qenë pjesëmarrës në festivalin e Kanës tek java e kritikës. Kam bashkëpunuar me një regjisore greke në filmin “Eduard”. Nga çdo bashkëpunim, si me ata shqiptarë dhe të huaj, unë kam se çfarë të mësoj nga ata. Në ato net në Kanë, unë pothuajse nuk fjeta, sepse ishte një emocion vetë si emër dhe unë isha protagonist me një aktor goxha të njohur në Itali. “Eduard” fitoi çmimin e Selanikut dhe unë kam një rol të dytë, jam shoku i ngushtë i personazhit Eduard. Ky ka qenë fillimi në aktrim, kam pasur dhe projekte të tjera, por këto mund t’i quaj si rolet që më shtynë të eksperimentoja me veten për të qenë një aktor profesionist.

Pas këtyre fillimeve pozitive që patët në Itali, pse zgjodhët Shqipërinë për t’u formuar si aktor?
Shqipëria ka qenë baza ime! Sado që të jetoja në Itali, unë nuk do të isha një aktor që do të fliste një italishte të pastër. Për të bërë role të mira dhe për ta pasur një jetë artistike sa më të vërtetë ishte Shqipëria. Çdo gjë e nisa në Shqipëri, dhe mendova se do të ishte ideale të sprovoja veten edhe pse në një mënyrë publiku më kishte identifikuar në telenovelën “Njerëz dhe Fate”.

Përveç teatrit, ju keni spikatur edhe në film. Si erdhën këto bashkëpunime?
“Tirana viti 0” i Fatmir Koçit ka qenë shkëndija e parë që më është dhënë, ku unë kisha rolin e një maniaku. Më pas erdhi telenovela “Njerëz dhe fate”, për t’i lënë radhë kinoprovës me Tan Minarollin, ka qenë puna ime e parë e plotë në film, pastaj erdhi kinoprova me Mond Budinën, të dyja këto produksione me mbështetje financiare nga Italia dhe Gjermania. “Lindje-perëndim-lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit dhe tek seriali “Komuna e Parisit”, janë rolet më të fundit sa i takon kinemasë. Ndërsa, në teatër ka qenë me “Romeo dhe Zhulieta” me regji të Kiço Londos. Mbase fati ka qenë ai që më ka ndihmuar për të qenë në qendër të shumë produksioneve.

Teatri dhe filmi për ju kanë ecur paralelisht me të formuarit tuaj si aktor. Ju ku e shikoni më mirë veten?
Të dy zhanret e aktrimit më pëlqejnë jashtë mase. Nuk mund ta ndaj me thikë se këtu teatri më sjell më shumë emocion apo filmi. Teatri ka emocionin e drejtpërdrejtë, por edhe filmi të jep një kënaqësi tjetër. Janë dy eksperienca të ndryshme dhe akoma i them vetes se jam në një stad rritje, të përpiqem akoma të mësoj këtë profesion po aq të bukur dhe të vështirë në të njëjtën kohë. Mendoj se është publiku kritika kryesore që vlerëson punën tonë.

Duke qenë se i përkisni brezit të ri të artistëve, mendoni se është bërë mjaftueshëm për artistët e rinj në Shqipëri?
Them se po! Tentativa pozitive ka. Për djemtë dhe vajzat që kanë dëshirë të punojnë dhe të bëhen dikush në jetë, gjithmonë e kanë gjet veten dhe vendin. Tirana të jep mundësi që ti të afirmohesh edhe në këto pak skena që ne kemi.

Gjatë këtij 10-vjeçari keni ndonjë rol që ju nuk keni mundur ta realizoni?
Nuk mund të them që unë e kam mbaruar karrierën time me këtë eksperiencë 10-vjeçare. Unë jam në përpjekje për të depërtuar akoma më shumë në botën e artit. Unë nuk i them jo, asnjë roli. Kur më vjen një ofertë, dua patjetër ta provoj, por të ketë parametra artistike kuptohet.

Cilët janë projektet që do t’ju kthejnë sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë?
Pas shfaqjeve “XXL TV” me regji të Çapalikut, këtë sezon do të vijmë me një komedi nga Erion Kame, ku më është besuar një personazh simpatik. Besoj se më 20 shtator do të dalim në premierë në Teatrin Kombëtar të Komedisë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk