Roli i SHBA prej ndërtimit deri në rënien e Murit të Berlinit
Me ngritjen e Murit të Berlinit në gusht të vitit 1961 u
çimentua në kuptimin e plotë të fjalës ndarja gjermane. Shtetet e Bashkuara të
Amerikës reaguan fillimisht të përmbajtura ndaj bllokimit të njerëzve në RDGJ.
Nëntor 1961: ndërtimi i Murit të Berlinit
1961: në gjashtë muajt e parë të vitit largohen nga RDGJ mbi
150 mijë vetë
Më 13 gusht të vitit 1961 Berlini Lindor filloi bllokimin e
RDGJ nga Perëndimi. Ngritja e murit të Berlinit ishte pjesë e kësaj mase.
Bashkimi Sovjetik dhe Republika Demokratike Gjermane - RDGJ nuk dinin si të
vepronin ndryshe për të penguar valën e refugjatëve nga Gjermania Lindore për
në Perëndim. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 1961 u larguan nga RDGJ mbi
150 mijë njerëz. Në vitet e mëparshme ishin larguar mbi tre milionë. Shpesh
ishin të rinj me kualifikime të larta ata të cilët i kthenin shpinën
socializmit në tokën gjermane.
Për presidentin Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte
shkak për luftë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan me gjakftohtësi. Për
presidentin Xhon F. Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë.
Tri themelet e politikës së tij ndaj Gjermanisë mbetën të paprekura nga ngritja
e Murit: qarkullimi i lirë në Berlin, prania e fuqive perëndimore ne qytet si
dhe liria e popullit në Berlinin Perëndimor.
Xhon F. Kenedi në fjalimin e tij në Berlin, para Bashkisë së
Shënebergut (1963)
Për të demonstruar prani, Kenedi dërgoi në qytetin e ndarë
gjeneralin Lukjus Klei (Lucius Clay), heroin e urës ajrore të Berlinit në vitet
1948/49 dhe nënpresidentin Lindon B. Xhohnson. Ai vetë e vizitoi për herë të
parë në vitin 1963 Republikën Federale të Gjermanisë. Para ndërtesës së
bashkisë Shëneberg (Schöneberg) ai mbajti më 26 qershor para qindra-mijëra
njerëzve një fjalim mbi Murin dhe lirinë. Në këtë vend ai i shqiptoi fjalët që
u futën në histori:
"Unë jam një berlinez".
Karizma e presidentit Kennedy i pajtoi berlinezët me Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e Murit ndarës
shumë kishin pritur një angazhim më të madh të SHBA. Megjithatë administrata e
Kenedit si dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota
ndodhej në prag të një lufte atomike.
Kjo u bë e qartë në tetor të vitit 1961. Atëherë bashkëpunëtorët
e administratës amerikane u penguan të hynin në sektorin lindor. Në pikëkalimin
kufitar "Checkpoint Charlie" shkuan në mënyrë demonstrative tanke
amerikane.
Përballë tyre ndodheshin tanket sovjetike. Në fund të dyja
palët i tërhoqën ushtarët e tyre. Megjithatë amerikanët ia bënë të qartë botës
se do t'i mbrojnë të drejtat e tyre në qytet.
Presidenti Kenedi: përderisa do të jetë në interesin e
Bashkimit Sovjetik do të ketë dy shtete gjermane
Marrëdhënia midis presidentit amerikan Kenedi dhe kancelarit
të atëhershëm gjerman Konrad Adenauer, të paktën në fillim nuk ishte krejt pa
tensione. Adenaueri, atëherë në moshë 85 vjeçare dhe me botëkuptime
konservatore ishte skeptik ndaj presidentit amerikan, që sapo kishte mbushur të
40-tat dhe njihej si liberal. Kenedi ishte pragmatik. Përderisa do të jetë në
interesin e Bashkimit Sovjetik do të ketë dy shtete gjermane, tha ai publikisht
në fillim të presidencës së tij. Pas kësaj deklarate qeveria federale nuk e kishte
të lehtë të ndiqte një politikë të ribashkimit. Si pasojë Adenaueri filloi në
fillim të viteve '60 të afrohet me Francën. As kjo nuk i pëlqeu Uashingtonit.
Megjithë mosmarrëveshjet: Gjermania mbeti aleati kryesor i
Amerikës në Evropë
Edhe në vitet pasuese në marrëdhëniet gjermano-amerikane u
shfaqën dallime në qendrime dhe mosmarrëveshje. Megjithatë të dyja palët
zakonisht gjenin një kompromis. Gjermania ishte dhe mbeti aleati kryesor i
Amerikës në Evropë. Presidentët amerikanë vizituan rregullisht Berlinin. Në
shkurt të vitit 1969 ishte Riçard Niksoni ai që e vizitoi qytetin e ndarë, në
qershor të vitit 1978 ishte Xhimi Karter.
Berlinezët në ditën e rënies së Murit të Berlinit
Pak kohë pasi sekretari i përgjithshëm sovjetik, Mihail
Gorbaçov paralajmëroi një politikë të re ndaj Perëndimit, presidenti i
atëhershëm amerikan Ronald Regan më 12 qershor të vitit 1987 udhëtoi për në
Gjermani. Nëse Gorbaçovi dëshiron paqe, mirëqenie për Bashkimin Sovjetik dhe
Evropën Lindore, nëse ai dëshiron më shumë liri atëherë duhet të hapë Murin, u
shpreh Regani në Portën e Brandeburgut para disa dhjetëra-mijëra berlinezëve.
Më 9 nëntor të vitit 1989 u rrëzua muri i Berlinit. Sërish
ishte një president amerikan, Xhorxh Bush i cili doli në skenën ndërkombëtare
si avokat i Gjermanisë dhe mbështeti procesin e ribashkimit. DW
Comments
Post a Comment