Albert Verria: I rikthehem teatrit dhe filmit me një rol aktual




Emri i tij është gdhendur nëpërmjet personazheve dhe karaktereve të interpretuara gjatë dekadave në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Ndërsa sot, ai na shfaqet mes artistëve, miqve dhe familjarëve si ikonë e aktrimit shqiptar. Albert Verria, edhe pse në një moshë të thyer nuk mund të rri në heshtje, por do të shfaq dhe anën e tij të panjohur, lidhjen me librin. “...Rrëfim paradoksal” është libri që “Artisti i Popullit” Albert Verria i kushton roleve brilante që ka interpretuar në skenë. Në një intervistë për “Koha Jonë” mjeshtri i skenës Albert Verria, rrëfen karrierën e tij nëpër dekada, pasionin për aktrimin, lidhjen e tij me rolin e Xha Sulos tek “Kapedani” si dhe rikthimin e tij në skenë përmes një roli aktual. Libri “... Rrëfim paradoksal” është konceptuar në një formë vizuale, si asnjë krijim tjetër më parë dhe kjo përbën një tjetër element që e bën atë të veçantë, duke përcjellë mesazhin e madh të përjetësisë në art, filozofinë e jetës si vazhdimësi, ecuri, përkryerje. Albert Verria numëron mbi 90 role në teatër dhe kinematografi. Disa nga rolet në teatër: “Fytyra e Dytë”, “Revizori”, “Fundi i një komedie”, “Lidhur si fishek gjerdani”, “Vite të vështira”, “Pallati 176”, “Sakrifica”. Ndërsa në filma ka spikatur në: “Përse bie kjo daulle”, “Kapedani”, “Brazdat”, “Operacion Zjarri”, “Shpërthimi”, “Shtigje lufte”, “Në fillim të verës”, “Thirrja”, “I treti”, “Nga mesi i errësirës”, “Koncert në vitin 1936”, “Përtej mureve të gurta”, Dëshmorët e monumenteve”, “Goditja”, “Agimet e stinës së madhe” etj.
Izaura Ndoj


Në librin “...Rrëfim paradoksal” ju bëni dialog me rolet tuaja. Si vijnë këto rrëfime përmes këtij libri?
Si njeri i gjallë e konsideroj veten të vdekur, ndërsa personazhet e mija janë akoma të gjallë. Puna ime e madhe në këtë libër rrëfimtar, ka qenë mesazhi që kam përcjell për rolet dhe karakteret që i kam interpretuar gjatë gjithë këtyre viteve. Në botën e përtejshme takohem me Da Vinçin, Frojdin dhe të gjithë ato që kanë jetuar para 3 mijë vitesh! Ata kujtohen jo vetëm për gjëmat e tyre që kanë bërë dhe lënë pas, por përkundrazi ato kujtohen për mesazhet e forta që japin sot.

Pse pikërisht “... Rrëfim paradoksal”?
I gjithë libri është një paradoks. Brenda faqeve të librit unë jam i vdekur, ndërsa në realitet jam gjallë dhe vdekja ime bie ndesh me hipnosin, perëndinë e harresës që kërkon të ma zhduk emrin tim... Unë mund të vdes një ditë, por personazhet e mija nuk i varros dot. Pikërisht këtu qëndron dhe paradoksi i rrëfimit tim përmes këtij libri.

Repertori juaj në kinematografi numëron mbi 30 role, por roli i Xha Sulos duket sikur i lë në harresë të gjithë rolet e tjera gjatë këtyre viteve?
Xha Sulo është një rol që ka zënë një vend të veçantë në film dhe është një rol që spikat më tepër për emancipimin e gruas. Xha Sulo, si personazh nuk ka besim te gratë dhe mesazhi që jep filmi “Kapedani” është: Gratë janë të sinqerta, dhe pse jo gratë mund të drejtojnë dhe shtetin.

Si i keni pasur raportet me teatrin para ’90-s dhe pas lindjes së demokracisë në Shqipëri?
Para viteve ’90 raportet me teatrin kanë qenë shumë të mira, ndërsa pas ’90 teatri u pushtua nga aktor të rinj me koncepte të reja, jo se unë i kam konceptet e vjetra madje më të avancuara. Më kanë ftuar disa herë për role në teatër, por e kam shumë të vështirë për të marrë një rol pasi duhet të bindem plotësisht nëse e interpretoj siç duhet para publikut. Ndihem shumë i përgjegjshëm para skenës dhe atij publiku që më ka dashur gjithmonë.


Po raportet me politikën, kohën ku një pjesë e roleve u censuruan?
Raportet i kam pasur normale. Ashtu siç kam qenë në atë kohë jam edhe sot. Artistë në përgjithësi nuk përzihen shumë në politikë, politika ime është të bëj rolin dhe nëpërmjet rolit ti jap mesazhin që i takon publikut.

Karriera juaj artistike është e gjatë me suksese dhe vlerësime. Ju si aktor keni ndonjë peng gjatë këtyre viteve?
Pengje të vogla mund të kem patur, por përgjithësisht i kam realizuar të gjitha rolet si aktor karakteri që jam. Asnjëherë nuk kam bërë diferencime, rol i madh apo rol i vogël, për mua janë të gjithë rolet e mëdhenj.   

Keni dëshirë ti riktheheni sërish skenës së teatrit dhe ekranit të filmit?
Aktualisht jam duke përpunuar një rol, i cili do të ketë mesazhe të fuqishme edhe pse është akoma përgjumësh. Ky rol mund të jetë në teatër dhe në film. Është një personazh që i takon mijëra viteve, por që flet shumë për aktualitetin. Po mundohem jo vetëm ta shkruaj, por dhe ta përvetësoj për të qenë sa më aktual në realitetin shqiptar. Po ju rrëfej një detaj të rolit që do të shfaqet së shpejti: “O njerëz, ju jeni të gjithë të ndershëm por midis jush ka dhe të pandershëm! Ju jeni të gjithë të sinqertë, por midis jush ka hipokrit... Ja ti për shembull, përse kur erdhe në shtëpinë time, në vend që të më shikoje mua në sy shikoje këmbët e gruas sime...”!

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk