GJERGJ FISHTA “Homerit të kohëve moderne”




I formuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe  demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.
Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

Krijimtaria artistike
I pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” - cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqerem Çabej. Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”. Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Fishta arrin të botojë këngët e para te “Lahuta e Malëcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix”. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Në tetor 1913 nxjerr revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia.
Krijimtaria e Fishtës, vetëm pas viteve ‘90 zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik
Deri më 1899, Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai bëhet bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.
U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në 1937.

Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin
Njihen dy letra që Patër Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Kjo letër është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë krijimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri, etj.
Ndërsa letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill të 1940 dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës, që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuel III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk