Eduard Lir, britaniku që hodhi në telajo mrekullinë e natyrës shqiptare
Eduard Lear lindi më 12 maj 1812 – 29 janar 1888, në
Highgate Londër dhe ishte fëmija e 20-të i një agjenti burse, vdiq në San Remo,
ishte piktor, poet dhe udhëpërshkrues anglez nga Britania e Madhe. I refuzuar
nga e ëma, ai u rrit nga motra e vet Ann, që ishte 21 vjet më e madhe. Ai vuante
nga epilepsia, të cilën Lir e quante “Djalli” dhe, që 6 vjeç, ishte i prirë për
ndryshime të befta humori si dhe periudha depresioni që i quante “të frikshme”.
I edukuar nga motrat Ann dhe Sara, dha shenja për prirje artistike që në moshë
të re. Për shkak të dështimit të të atit në karrierë dhe pamundësisë së këtij
për të mbajtur familjen Lir u detyrua të fitonte mjetet e jetesës që nga mesi i
vitit 1820. Në 1848, Lir-i nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll.
Udhëtimi i tij mori një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në
kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes zonave
të perandorisë që konsideroheshin “të egra”. Duke marrë rrugën përmes Selanikut
dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe
Shkodër. Pas disa ditësh u kthye në Tiranë dhe vazhdoi drejt jugut në Kavajë,
Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe
më tej në Janinë.
100 piktura për
Shqipërinë
Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit
regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit
XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri”
(1851) Lir-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte
një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti
origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe
korrespondenca e këndshme e bënë Lir-in një nga udhëtarët më të dashur të
shekullit XIX. Eduardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100
peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe
litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Eduard
Lear in Greece (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet
e bëra nga Eduardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin
Eduard Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and
Illyria (Eduard Lir në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri
dhe Iliri). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe
“Shqipëria, sa e
ngatërruar për të huajin”!…
Fragment nga “Ditarët
e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri” të Eduard Lir, 1848
Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të
ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët,
Tesprotët etj. kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e njësive administrative
turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë
e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe
sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë,
sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një
listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe
emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të korkolepsura, sa në
fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shashtisës, nëse nuk do
i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.
EPITAFI I VARRIT TË
EDUARD LIR DHE TOMORRI
Gati 170 vjet më parë, piktori i madh anglez, Eduard Lir,
duke vështruar malin e Tomorrit nga Qafa e Kërrabës, pasi ul paletën me anë të
së cilës kish hedhur në telajo impresionin e çastit të pamjes që i dilte
përpara, shkruan në ditarin e tij: “Ishte
e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre
skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë
shpirt piktori nuk lodhet kurrë”. Dhe vërtet piktura në vaj që realizoi
Eduard Lir për Tomorrin nga ai impresion nga Kërraba, është një nga kryeveprat
e tij. Poeti i shquar anglez, Alfred Tenison, mik i ngushtë i piktorit, i
befasuar dhe i frymëzuar nga kjo pikturë, krijoi një poezi monumentale, katër
vargjet e së cilës u vendosën në fund të tablosë, dhe më vonë si epitaf mbi
varrin e Eduard Lirit: Tomorr e Athos, fron magjie,/ Vjen hije largët gjer te
ne,/Një laps e një penel i bie,/ E ndiej si të isha vetë atje…Tomorri vërtet
është një nga malet më të bukur të Shqipërisë, që i rri fushës së Myzeqesë dhe
gjithë natyrës përreth si një monark i vërtet, sundimtar i fushës dhe i
luginave të lumenjve të Osumit, Shkumbinit, Devollit e deri në Vjosë. Një detaj
i tillë artistik nuk i ka shpëtuar vëzhguesit të kujdesshëm, poetit të
mirënjohur Xhevahir Spahiu, kur shkruan: “Mjegulla u var, /mali s’duket më,/
fusha ka mbetur/ pa zot e pa zë…
Comments
Post a Comment