“Talianka” i Gashit, roman modern me teknika postmoderne



 “Talianka” është romani i parë i Agron Y. Gashit (1977), autor që deri më tani njihet me shkrime kritike dhe në radhë të parë me studimin “Autopoetika”, në të cilin kërkohen format autobiografike shqipe, si një lloj poetike autobiografike.
Te kjo vepër Gashi ka analizuar vepra të zhanrit të autobiografisë dhe vepra të farës së letërsisë personale. Ai autobiografinë e vlerëson një prej zhanreve të rralla në letërsinë shqipe dhe duke konstatuar që nuk është bërë ndonjë studim përmbledhës dhe i plotë për këtë farë të literaturës, kritiku i rreket kësaj pune dhe kërkon format autobiografike te autorë si: De Rada, Konica, Noli e deri te Zef Pllumi.
Ndërsa me romanin “Talianka” Agron Y. Gashi e krijon një vepër në themel autobiografik, në të cilën autobiografia rrëfehet bashkë me biografinë e tjerëve. Ai e përdor historinë e tjetrit për ta rrëfyer biografinë e vet.
Teksti është ndërtuar si një kolazh, nga diskurse të ndryshme dhe me tekste nga historia tregimtare shqipe dhe ajo e përgjithshme (si Fishta, Koliqi, Kuteli, M. Ramadani, Pamuku etj), gjë që e bën romanin e Gashit një vepër eksperimentale, në kuptimin poetik, që bashkon elemente të narracionit klasik, atij modern dhe postmodern.
Autori në këtë roman e ndërton historinë e një personi dhe synon që me anë të tij ta përfaqësojë historinë e ambientit, madje historinë e koncentruar të kombit. Kjo temë pra realizohet duke u fokusuar një njeri-hero letrar, i cili lidhet me gjërat që i mendon si vlerë dhe jetën e tij e lidh me ato gjëra. Talianka-pushka, objekti më i çmuar i tij, fuqia vepruese e tij, e motivon tërë ngjarjen, duke u bërë dëshmitare, mbrojtëse, shkaktare, rrëfimtare e përvojave jetësore të tij, e personazheve të tjerë, e ngjarjeve që lidhen me një popull. Talianka-pushka, këtu merr tri kuptime: shpalos një kohë, që nga lufta e dytë botërore e deri në luftën e fundit, shpalos ngjarje, shpalos histori dashurie, traditat e të jetuarit.
Në anën tjetër Talianka paraqitet si një mjeti i dashur, me të cilën personazhi kryesor ndërton lidhjen shpirtërore me të afërt. “Zot, Ti nalt, e talianka poshtë, çelmani rrugën!” - është fjalia që e tregon më së miri këtë raport shpirtëror. Gjithashtu nëpërmjet Talinakes, autori projekton idetë personale, rreth njohjes së situatës së vendit, të kulturës së vendit dhe jashtë tij.
Pa i ndarë në mënyrë të prerë autori i rrëfen njëkohësisht dy histori: historinë e Taliankës, armës, dhe historinë e librave, që personifikojnë dy simbole të një populli e që i bashkon një fat. Njëherësh, arma dhe libri dalin dy temat themelore rreth të cilave krijohet romani i Gashit. Ky koncentrim tematik mbështetet te jeta personale e autorit dhe te jeta e të afërmve të tij. Autori rrëfen me admirim për historinë e pushkës (së mixhës), bëmave të saj, por rrëfen me dashuri për historinë e librave (të babait) e njohjes së tij. Këto dy simbole, autori i bën shenja për ta lexuar historinë e një kombi, e jo për të treguar një fabul konkrete me një vijë rrëfimtare.
Për t’i dhënë një frymë romanit dhe për ta mbajtur lexuesin më afër, autori rrëfen edhe histori dashurie, kodet e tyre, rrëfime me të cilat mbahet një tension i brendshëm i ndodhive.
Tema, botëkuptimet dhe idetë e kësaj vepre nuk janë të kushtëzuara nga një ngjarje konkrete, por japin një mes shoqëror, duke analizuar dhe duke paraqitur imtësisht jetën dhe të jetuarin. Autori heton situatat duke theksuar anën morale të personazheve të tij.
Ideja e historisë së ambientit realizohet në mënyrë të zgjedhur artistike, përmes formave të kombinuara të rrëfimit. Gjithashtu linjat e rrëfimeve gjallërohet nga një idiomatikë gjuhësore dhe jetësore mjaft e pasur e përdorur nga autori. E gjithë kësaj i jep jetë ndërtimi i personazhit kryesor, krijuar sipas modelit popullor-dukagjinas.
Me romanin “Talianka”, edhe pse me themel autobiografik, autori ka ndërtuar një botë, në të cilën fiksioni ndërthur ndodhi reale, dhe në këtë rast realja dhe irrealja bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellë, për të dhënë efekte estetike dhe artistike.
“Talianka” është një nga prozat e gjata të rralla të botuara në Kosovë gjatë viteve të fundit, prandaj edhe vetë botimi mund të merret si një vlerë.
Zeri

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk