Aleksandër Gashi, i pari shqiptar që merr Qytetari Italiane për Merita Artistike

Nuk është aspak e thjeshtë të shkruash për personazhe në reliev të kulturës sonë, aq më tepër kur aktiviteti i tyre shtrihet e zhvillohet jashtë kufijve të atdheut, siç është rasti për kompozitorin dhe pianistin e famshëm Aleksandër Gashi. Aq më tepër kur pozicionin e tij e konfirmojnë akordime shtetërore të huaja siç është qytetaria e tij italiane për Merita Artistike. E përforcon akoma më shumë këtë përshtypje kur mësojmë se ky akordim ka shumë vite që është dhënë, saktësisht në 2001 me një dekret të Presidentit të asaj kohe Karlo Azelio Ciampi dhe kryeministrit Silvio Berlusckoni, me motivacion “Mjeshtri Aleksandër Gashi përfaqëson një pasuri të madhe humane dhe artistike në Itali”. Intervista me Aleksander Gashin ishte më tepër një bisedë e lirë, tregimi i një jete larg atdheut, që si refreni i një kënge kishte kudo fjalët “Shqipëria është forca ime” ku në nota pse jo edhe malli e nostalgjie detajon mendimin duke na thënë; “në kompozimet e interpretimet e mia, në çdo koncert, mbaj afër një shami të kuqe, simbolikisht ajo është Shqipëria – gjaku shqiptar”. Kështu patriotizmi, optimizmi por edhe trishtimi shoqëruan bisedën tonë. E gjeta trishtimin, te një kujtim i largët por njëkohësisht edhe i freskët sepse kishte lëne gjurmë të thella përjetimi i tij, kur mësova që jeta në tokë të huaj nuk i kishte kursyer as përballjen me ngurtësinë e ligjeve të atëhershme të emigracionit, që në atë moment të ardhjes së tij në Itali. Ndërsa optimizmin e gjeta në faktin që e ardhmja për Mjeshtrin Gashi është një zbulim, një kërkim, një risi ku bënin pjesë projekte të reja me synime bashkëpunimesh me kolegë të huaj e shqiptarë, gjithçka në harmoni me dy degët e profesionit të tij: kompozimin dhe ekzekutimin, në kërkim të magjisë së tingullit.

Prof. Gashi, karriera juaj artistike në Itali nis në 1991, në epokën e emigracionin masiv shqiptar e pikërisht, në këto momente kur flitej për klandestinet e Shqipërinë e panjohur ju ishit të ftuar për koncerte në parlamentin italian, në zemrën e politikës ku pasaporta që mundësoi hyrjen ishin talenti dhe bravura juaj. Kjo ngjarje për ju merr ngjyra historike, por edhe për artin shqiptar. Po kjo karrierë nisi në Shkodër. Çfarë kujtimesh keni nga ajo kohë?
Shkodër është emër magjik. Fizionomia e saj: malet, pyjet, kishat e xhamitë, uji i pusit, muzika, piktura…të gjitha këto kanë një zë të thellë e “hyjnor”. Personat, për të cilët kam një respekt kulti si: Eli Petroviç, Nino Saraçi, Irena Mhilli, Gjon Kapedani, Robert Prenushi, Ismet Bekteshi, Isa Alibali, ata kanë një vend të veçantë dhe ndihem krenar për mësuesit e mi të adhuruar. Nga ky qytet “i përjetshëm” u nisa për në Tiranë, ku kultivohej muzika.
Në Shkodër, vendimtare për të gjitha mund të themi ishte familja juaj, dashuria per muzikën që ushqeu, nxiti e mbështeti talentin tuaj. Apo jo?
E padiskutueshme! Familja ime, prindërit e mi kanë qenë vendimtare: ata kanë mbështetur e orientuar si më mirë formimin tim artistik. Pa atë atmosferë magjike e të përhershme, që shoqëroi fëmijërinë e rininë time nuk do të isha kurrë ky që jam sot. Të përhershme bisedat e mia me babain tim mbi muzikën klasike. Akoma sot i kam të freskëta kur me fliste me pasionin e tij të radhë për Beethoven…Nëna ime po kështu dhe motrat ishin pjesa tjetër e magjisë muzikore që mbretëronte e po trashëgohej në shtëpinë tonë.
Më pas Tirana, vite studimi në Konservator dhe diploma shkëlqyeshëm në pianoforte e kompozicion, karriera si profesor i pianofortes, që zgjati dhjetë vjet deri me mbërritjen tuaj në Itali. Kurioziteti më shtyn të di se cilat ishin pikat ku u mbështet e ardhmja juaj, qoftë si studim, si kërkim apo si aplikim? 

Tirana. Takimi me Bebi Kristidhi (Piano) e Çesk Zadeja (Kompozicion), dy gjigantë të muzikës shqiptare, të ushqyer nga një idealizëm i jashtëzakonshëm, tashmë ishin profesorë të mi. Provova një dëshirë të pashpjegueshme që të ikja, duke menduar impenjimin që më priste. Ishte i domosdoshëm studimi….. por më erdhën ndër mend fjalët e Beethoven "Para se të krijosh gjithçka duhet të krijosh vetveten”. Pas shumë sakrificash, më në fund gjeta “lirinë” time, që ishte një dhomë në një magazinë plot me komodina e karrige, në kat përdhes te një pallat me tetë kate ku flinin studentët. Më sollën një piano kineze, mobilimi i vetëm i asaj dhome. Më dukej vetja si i burgosur në këtë banesë, por me vrull e me një energji të madhe studiova për orë e orë të tëra e larg eventeve. Ajo ishte strofka ime dhe iluzioni i lumturisë. Luftoja me veten time, me vendimin dhe disiplinën e hekurt, i bindur që kisha shumë për të bërë. Ato që shkruaja i digjja… Duhej një energji mbinjerëzore dhe një karakter të fortë e besim te idetë personale. Jeta ime ishte kthyer në një dite pune normale. Filluan edhe frytet e para, koncertet, muzika e filmave, tv, radio, etj., ishte e nevojshme të bashkoja shkencën e shpirti me artin dhe teknikën, dhe të vijoja për të zhvilluar këtë unitet. Për të arritur te plotësimi i kësaj kam përballuar kundërshti, deluzione në art e deluzione personale. Përfundova studimet për piano e kompozim dhe menjëherë nisa të punoj si profesor i pianofortes. Duhej një intensitet e impenjim (që sillte mijëra gëzime), por një punë me precizon dhe një seriozitet ekstrem. Bashkëpunimi me shumë muzikantë të nderuar si Kristidhi, Tartari, Çashku, Zadeja, Ibrahimi, Harapi, Daija, Lara, Simoni, Krantja, Deda, Koço, Paparisto, Antoniu, Denisi, Madhi, Papadhimitri, Shestani etj. e gjithashtu me studentët e mi. Ka qenë një “bese me zemrën” me dimensione gjigante, një ndriçim artistik fenomenal. Një gala pas tjetrës por edhe shumë pendime. Një koncept ky që kishte vlerë edhe për cilësinë e lartë të publikut në rritje konstante. Koncertet diskutoheshin në grupe e shoqata gjatë gjithë vitit. Vështirë të mendohet se edhe në anë të tjera të botës të ekzistojë një auditor kaq kompakt. Kjo eksperiencë transparente dhe e besueshme më ka shoqëruar si një virtyt profesional për të gjithë jetën time artistike.
Italia…, përshtypja e parë??
Me violonçelistin M.Denisi, nisem për Itali për një koncert. Gjithçka shkoi mirë. Pas koncertit, nisem për Romë. Mendoj se është qyteti i vetëm hyjnor ku ndjen nostalgjinë e ideales, të kulturës dhe të muzikës, të kësaj ngushëlluese të çmuar, si bekimi më i madh. Duke kaluar në një rrugë afër Koloseut me mikun tim Pjetër Pëllumbi, dëgjoj një zë qiellor nga kati i një pallati. Këndonte një bariton një arie të Verdit. Mjeshtri ishte i njohuri i mikut tim Pjetër. I biem ziles për të dëgjuar një leksion kantoje dhe mjeshtri i famshëm na fton të hyjmë brenda. Përjetova një ndjenjë mirëqenie fizike kur hyra në sallonin e shtëpisë. Atë ditë i mungonte pianisti dhe ai më ftoi ta shoqëroja. Pas ekzekutimit, qetësia e plotë e mjeshtrit m’u duk se po thoshte që shoqërimi kishte qenë i padurueshëm. Por, pas një pauze të shkurtër më thotë me zë të impostuar: ”Fantastik!”. Ky çast ndërroi jetën time. Fjalët e tij morën jo vetëm formën e poezisë duke e transformuar në muzikë por… më propozoi të punoja në Romë. Pas dy ditësh nisa punën dhe kështu për mua një realitet tjetër. Me të drejtë pohoni se keni qenë me fat që keni “takuar” Romën por, më lejoni të them që edhe Roma e konsideroi këtë takim me fat, aq sa vendosi të ju akordojë qytetarinë e nderit “për merita artistike”. Qytetaria (shtetësia) është një njohje e vlerave artistike si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.
Duke folur për vitet e studimit e dhënies mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë, citoni “koncerte, muzike filmash, tv, radio, etj…” Keni vazhduar kështu dhe në Itali?
Kompozimet janë si këtu në Itali dhe në Shqipëri. Janë shumë, e lista është e gjatë, pa folur për koncertet...
Janë të ekzekutuara kompozimet tuaja?
Po, të gjitha. Duke qenë vetë kompozitor edhe pianist kjo ka qenë e mundur.
Koncertet kanë qenë të shumta (të përfshira edhe në CD) dhe shtypi në vite i ka bërë jehonë, kritika i ka pritur gjithnjë me interes si dhe publiku. Një rezultat që meriton respekt…Si verës, që i rritet vlera me kalimin e kohës, kështu ndodh edhe me kompozitorin e koncertistin, fiton autoritet në vite.
Për artistët thuhet se janë ambasadorë të një vendi. Ju prej vitesh përfaqësoni shqiptarizmin edhe në pjesët të kompozuara si sonata “Vajtimi i lahutës”, “Ninna-nanna”, “Gurgullima” duke prezantuar para publikut pjesë të historisë, kulturës antike e bashkëkohore shqiptare, zakone e tradita… Të gjitha të përcjella nga kjo gjuhë universale e muzikës, që nuk ka nevojë për përkthyes. Për këtë karakteristikë specifike e të ndryshme, si janë pritur krijimet?
Shqipëria ka qenë gjithmonë “arma” ime e fortë, që s’e kam braktisur kurrë. Ecja drejt zbulimit të të rejave nëpërmjet artit shqiptar, që pak e njihnin. Ndërmjetësoja traditën tonë artistike, që është e pafund, karakteristikat intonative, paraqitjen, ritmin, besnikërinë absolute me tekstin etj…Hyja në psikologjinë e botës nëpërmjet zërit të atdheut tim. Kështu, u ktheva në një peshk jashtë uji, një prezencë në sallone e jo një bashkëbisedues. Kritika e priti me entuziazëm performancen time dhe shpesh shkruanin shumë mirë për mua (në koncertet që kam bërë me të mëdhenjtë e lirikës) kur nuk kursenin kritikat për ato (ndoshta më konsideronin si “jetim” ?!).
Koncerte në Shqipëri e për Shqipërinë në botë. Sa herë?
Duke pasur impenjime të gjata pune, në Shqipëri nuk kam mundur të shkoj shpesh, por kanë qenë dy koncerte të organizuar nga Ambasada italiane në Tiranë dhe dy nga Televizioni shqiptar. Me kanë kërkuar edhe herë të tjera, por impenjime paraprake pune në Itali e jashtë saj nuk më kanë mundësuar. Por, në Itali kam raporte shumë të mira me përfaqësinë tonë diplomatike, Ambasadën shqiptare, ku jo më larg se pak muaj më parë isha i ftuar për një koncert, i cili u organizua me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Muzeun e Qytetërimit roman ne Romë.
Vitet e fundit keni shtuar edhe numrin e bashkëpunimeve me kolegë të tjerë shqiptarë dhe kjo më bën të mendoj që ekziston një dëshirë e madhe për të bërë ndonjë gjë së bashku. Ekziston ndonjë ide-projekt?
Kam bashkëpunime me klarinetistin Lorenc Stajka, me të cilin kemi bërë koncerte me nivel të lartë. Në Itali kemi elementë cilësorë si Çesk Marashi, një violinist me pasion e që zotëron një teknikë të mrekullueshme. Mund të citoj të tjerë si Eva Baba, flautiste me sensibilitet, Gilda Martini, violiniste në karrierë, Donica Mataj, soprano në S.Cecilia, Anyla Kraja violiniste e aftë. Idetë nuk mungojnë, as projektet, por këtë po ia lëmë kohës të na japë të drejtë.
Intervistoi për “Koha Jonë”, Albana Temali - Romë, Itali

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk