Skënderbeu në gjithëkohësitë e kumtit artthënës



Nga Albert Vataj
Tubimi artthënës nëpër etapa kulmore historike, ose në universin mëtues të korifejve të qënsisë shqiptare është transformuar në një shtysë e ngulmët pjesëmarrjeje për shumë krijues. Që nga fotografia, piktura, skulptura, muzika e deri tek poezia, ata kanë dëshmuar pjesëmarrje dhe vetëdije kombëtare, e cila kthehet në një lajtmotiv, tani kur të gjithë shqiptarë po pjesëmarrin në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Përpjekja e sekujt për të kontribuar në gjenerimin e një energjie gazmendi në përvjetorin e 100- të shtetit shqiptar, është një obligim edhe për shkrimtarin, Halil Teodori. Pas dy librave në poezi me "Vegimet e moshës" dhe në prozë "Dritë nga errësira", ai vjen para lexuesit me poemën "Skënderbeu, gjaku në venat e mia". Më shumë se një qasje poetike, ky ngulm krijimtarie është edhe për të, si për çdo dibran, ëndërr të kumtojnë për birin e Sinës, djalin e Dibrës, Heroin tonë Kombëtar, "Kalorësin e Krishtërimit", një obligim, përulje me respëkt para emrit, jetës dhe veprës të një prej figurave më të rëndësishme të identitetit tonë. Ky mëtim artistik është ngadhnjyes për autorin, jo vetëm si një ngasje që sbon tek sekush prej nesh një and për me i thur himne e ditirambe, përnjimend është ngulmim dhe rrekje për me xan kreshtën më të lartë. Jo për gjithkënd kjo figurë emblematike e historisë së shqiptarëve ka qenë e lehtë për t'u trajtuar. Sikundër ska qenë dhe nuk e ka trajtuar kësisoj as vetë Teodori, tek vepra e të cilit ne kumtojmë një brendi shpërthyese komunikimi dhe mëtimi. Metafora i jep këtij filli të përjetimit energjinë dhe dritën e një rrufeje. "Skënderbeu, gjaku në venat e mia" ngjeshet dhe shriftohet duke ngjiz në vargun e tij gjëndjet e rrafshëta dhe ato të thepisura emocionale dhe historike. Vërshon stuhishëm duke u përpjekur ta ndjek ritmin e kohës hap pas hapi. Ndal dhe përgjon me kureshti, mediton dhe sërish rend për të pjesmarrë në çdo qelizë të asaj kohë, të asaj epoke, e cila ishte dhe mbeti fillesa e lindjes së shtetit të Arbrit.
Elementi emocional është një rikthim në thelbin e kohës, në rimishërimin e çdo arbnori që ishte personazh i historisë më domethënëse të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Riardhja në trupin dhe mishin e njerëzve të kohës, të atyre qi kishte rënë barra e mbrojtjes së integritetit territorial dhe shpirtëror të Arbrit.
Heroi ynë Kombëtar ka qenë, është dhe do të jetë i përgjithmonshëm në memuarin e kohërave, në impulse e mëtimeve krijuese të gjeneratave. Emri dhe vepra e tij janë mishërim i bashkëjetesës sonë me historinë, me atributet më të epërme të gjenialitetit të një strategu lufte dhe vigani të bashkimit kombëtar.  Skënderbeu, si emër, si etapë historike, si identitet mbijetese në rrebeshet e kohës, askurr nuk shterroi ngasjen për ta rrokur në krijimtari. Në të gjithë botën ka shesh me emrin dhe bustin e tij, ka rrugë e institucione arsimore që e kanë privilegj emrin e tij. Skënderbeu ka kalëruar gjithashtu nëpër kohëra duke tunduar jo vetëm historian e kronikanë, jo vetëm albanologë e qëmtues arkivash, por dhe art të kalibrit ndërkombëtar, që nga opera "Skënderbeu" e Antonio Vivaldit daton që më 1700 deri tëk portreti i realizuar nga Rembrand, e në pafundësi. Edhe kjo poemë e Halil Teodorit ngaset që me modesti për ta barë veten një gurë në përplotësimin e këtij portreti gjithgand, kësaj figure emblematike të mesjetës së historisë së Shqipërisë.
I yshtun prej impulsive krahinore, kombëtare dhe të vetvetishme, Teodori është përpjekur të ridimensionojë këtë figurë absolutisht më të rëndësishmen e historisë tonë kombëtare. Ai e ka përcjellë kronologjikisht gjithë golgotën mesjetare të shqiptarëve ku në qendër, natyrisht janë Kastriotët. Edhe ky botim si shumë e shumë të tjera që janë bërë duke patur si kryefjalë figurën e Skënderbeut, janë një shtysë e rëndësishme përnga vlerësimi, dimensioni universal që vetë Gjergj Kastrioti I dha kontributit të tij për paqe.
Libri është ndarë në kumte që në vetvete mbartin rrugëtimin poetiko-historik të autorit në memuarin e kohës, në errësirën e të panjohurave, në ferrin e debateve dhe kundërshtive që nuk kanë kursyer si të gjithë figurat e tjera të mëdha, t'i vërsulen edhe Skëndërbeut. Poema në vetvete është një kumt emocional, një ngulm sentimental e brendorë. Autori duket si si pjesmerr "me mish e me shpirtë", e ndjen dhimbjen dhe lotin që në syrgjynosjen e djegagjantë të Kastriotëve, në gufin e të riut Gjregj Kastrioti, Skënderbeu për të mbajtur të gjallë amanetin e kthimit në Arbër. Ai shkel në tokën e vaditur me gjak e në arat e "mbjella" me varre, në fushat ku vringëllijnë shpatat e hingëllijnë kuajt. Nuk ikën autori nga kjo kandje e kahershme historike e përjetimi derikur me vdekjen e Skënderbeut tançka u përkul por nuk u nënshtrua.
Teodori nëpërmjet poemës "Skënderbeu, gjaku në venat e mia" përpiqet dhe ia ka arritur të përcjell emocionalisht çdo faqe të historisë skëndërbejane, këtij Aleksnadri Zot i shqiptarëve, këtij "Kalorësi të Krishtërimit".
Gjergja Kastrioti, bën pjesë padyshim në rangun e heronjve, fama dhe name i të cilëve duke udhëtuar në hapsirë dhe kohë, është mitizuar, transformuar, duke e pasuruar veprën dhe kontributin e tij, duke e ngopur me faktet dhe të dhënat dokumentare, duke e dehur me limfën e legjendës. Fatmirësisht, deri sot ai ka ardhur i paprekur thelbësisht, i patjetërsuar, sikundër ka ndodhur me bashkëkohësit e tij, për shumë arsye. Megjithatë emri dhe historia e tij kanë ardhur të dyzuara. Janë përplasur dyzimet për shpërfaqur të gjithë komponentët që përplotësojnë Skënderbeun, që nga origjina, parametrat fizikë, tiparet e portretit, roli kushtrues, beslidhja, roli udhëheqës, aleancat dhe marrëveshjet. Gjithçka e tij është bërë objekt diskutimi dhe debate. Breza të tërë historianësh dhe hulumtuesish, shqiptarë dhe të huaj kanë sjellë argument dhe kundërargumente. Njëmendësia dhe dakordësia kanë kaluar nëpërmjet shtigjsh shumë të ngushta e terrenesh shumë të ashpër. Opinionet dhe debatet kanë mbajtur të ndëzur shtjellën e përzimllekut të konkludimeve të arritura prej individësh të ndryshëm. Mbase kjo ka bërë që Skënderbeu të jetë jo vetëm Heroi ynë Kombëtar, i padiskutueshëm, por njëherash një prej figurave emblematike të Historisë së Shqipërisë më të debatuarat në dimensionin kohor, shek. XV-XX. Gjithsesi duket se pjesa më e madhe e dyzimeve janë rrëzuar, duke pranuar si përfundimtare faktet dhe argumentat, e cilësuara dhe pohuara si më bindëset. Ndonse Marin Barleti është në një farë mënyre biografi i zanafillës së Skënderbeut, kumtimi i tij si bashkëkohës, është pasuruar, rivlërësuar dhe shumë detaje të mbetur jashtë nga (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510) janë përftuar nga koha dhe përfshirë në galerinë e heroit, duke bërë që ai të zbresë nga podi i legjendës dhe të ngjitet në pjedestalin e heroit. Ky panoramim mbetet gjithashtu një trajtesë e rëndësishme e poemës së Halil Teodorit. Manteli i hyut me të cilin ai vesh heroin tonë, është përvijim I gjithë asaj që vetë Skëndërbeu bëri për Arbrin dhe Shqiptarët bënë për të, duke e lartësuar emrin dhe kontributin e tij në këtë univers, autori nuk bën gjë tjetër vetëm sa ysht vetëdijen tonë kombëtare që të jetë gjithherë mirënjohëse Atij dhe gjithë atyre që bënë dhe dhanë për këtë tokë, për këtë gjak e për këtë flamur gjithçka.
 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk