Át Vinçenc Prennushi martir i fesë dhe i demokracisë
Ideja e këtij shkrimi lidhet me qindvjetorin e
Pavarësisë së vendit qe, fatmirësisht, na gjen tej periudhës së totalitarizmit
komunist, që çensuroi arbitrarisht shumë figura të rëndësishme të Rilindjes
Kombëtare e të periudhave të tjera
historike.
Personalisht jam magjepsur nga hiri e madhështia e
personaliteteve të shquara që regjimi komunist dhunoi duke dashur të
shpërfytyrojë thelbin e ideve te tyre. Ndër ta, nga më të ndriturit, është
padyshim Át Vinçenc Prennushi: personalitet i shquar i kulturës dhe i kishës
katolike, luftëtar i demokracisë së re që po lindte në Shqipëri në gjysmen e
parë të qindvjeçarit të shkuar dhe, për këte, i dënuar me një vdekje në tortura
çnjerëzore në burgjet e regjimit të shkuar. Át Vinçenci nuk u mposht e nuk braktisi
parimet demokratike që frymëzuan jetën e tij, por i mbrojti ato me çmimin e një
jete të vyer.
Padrejtësia që iu ba figurave si Fishta, Prennushi,
Konica, etj. përbënte një njollë të zezë, të frymëzuar nga obskurantizmi i
totalitarizmit komunist. Ajo ideologji e privoi qytetarin nga mundësia për të
formuar personalitetin dhe vetëdijen e tij në detin e pafund të ideve dhe
veprave të njerëzve të shquar të vendit. Është detyra jonë të plotësojmë ato
boshllëqe që dhuna dhe çensura komuniste krijoi ne vetëdijen e kombit. Kjo aresye
më shtyn të analizoj veprën e një patrioti, intelektuali dhe personaliteti te
shquar të kishës sonë dymijëvjeçare, siç është i Ndrituni Át Vinçenci.
Shumë e pasur e komplekse figura e Át Vinçencit për ta
paraqitur në pak radhë. Ai u lind në Shkodër më 4 shtator 1885 e u pagëzua me
emrin Kolë. Pas shkollimit të pare në vendlindje, pranë kolegjës françeskane,
plotësoi studimet në Itali, Poloni dhe Austri. Kthehet në atdhe me një formim
të përsosur e të shumanshëm dhe më 25 mars 1908 shugurohet meshtar i Urdhnit
Françeskan e nga ajo ditë merr emrin Át Vinçenci. Pati detyra të randësishme në saje të
përkushtimit të madh ndaj kultit fetar, por edhe ndaj kulturës dhe dashurisë
për vendin e tij. Dy herë provincial i franceskanëve; ipeshkëv i Sapës e më pas
arqipeshkëv i dioqezës Tiranë-Durrës. Me gjithë ngarkesën e madhe në këto
detyra, ai iu kushtua me mish e shpirt problemeve të kulturës të qytetit të tij
dhe të mbarë vendit. Veprimtaria e tij klerikale nuk mund të veçohet nga
krijimtaria letrare, sepse të dyja kanë një bosht të përbashkët: dashurinë për
vendin, ndjenjë që në personin e tij ndërthurej mrekullisht me parimet
demokratike. Pra mund të themi që në personalitetin e Át Vinçencit jeton e
udhëheq trinomi “françeskan – atdhetar –
demokrat”. Shkruan historiani Át Marin Sirdani: “Françeskanët e Shqypnís zhvilluen në dhén t’anë nji program të bazuem
mbi “fé e atdhé” fort
të dobishëm për kombin
shqyptár.” [“Vepra atdhetare e Françeskanvet në Shqypní”, botuar në “Hylli i Dritës”, 1940
(XVI), nr. 12].
Át Vinçenci drejtoi disa revista ndër të cilat “Hylli i Dritës”, vatër e botimeve letrare, pra një kuvend i intelektualëve për kulturën e
problemet shoqërore të vendit. Krijoi të përjavshmen “Fletorja e së diellës” e të
përkohshmen “Zani i Shna Ndout” e,
n’atë kohë, përktheu e botoi pjesë të Testamentit të Ri, veprat “Jeta e Shën Françeskut”, “Jeta e Shna Ndout”, etj. Me të hyrë në
atdhe nga Austria,
iu kushtua me shumë pasion mbledhjes e sistemimit të folklorit të pasur të
vendit, sepse mendonte që "çdo plak që vdes, merr me vehte edhe nji pjesë të
kulturës sonë, që ndoshta nuk
do ta gjejmë ma. ". Në një kohë relativisht të shkurtër mblodhi dhe
botoi në Sarajevë me 1911 veprën "Kangë
popullore gegnishte", që bëhet themeli mbi të cilin më pas do të
ngrihej vepra madhore “Visaret e Kombit”.
Në “Visaret e Kombit” u botuan, më tej,
vertetë thesare si Kanuni i Leke
Dukagjinit, Përrallat e At Donat
Kurtit etj. Deri vone Instituti i Kultures Popullore e ruante si sytë e
ballit këtë vepër, por pa cituar asnjëherë autorin e saj, Át Vinçencin. Sipas këtij instituti, “Visaret e Kombit” përbajnë veprën e parë me kritere shkencore në
studimin e folklorit. Pikërisht këto kritere janë meritë e madhe edhe Át
Vinçencit, që në parathënien e Visareve
shkruan: “Poezia popullore e, jo vetëm s'do lanë m'anesh, por do ruejtë si nji
visar i çmueshëm, si nji flakë prej së cillës do të marrë dritë e nder kombi”. Dhe
në fakt krijimtaria letrare e tij “mori dritë” prej poezisë pollullore ku aq
shumë u mbështet.
Krahas
përkushtimit në disa fusha, në vitin 1917 ai dha
ndihmën e vet si anëtar i Komisisë
Letrare të gjuhës shqipe në Shkodër që donte të përcaktonte rregullat e para të
drejtshkrimit. Më 1918 botoi "Fjala e Zotit" dhe "Grueja
shqyptare". Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E
tradhtuemja”, një përshtatje nga letërsia e huaj. Në vitin 1921, në moshën
36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”. I ndrituri prof. E. Çabej e quante Át Vinçencin
poetin e qytetit të Shkodrës, ndërsa F. Konica ishte i magjepsur nga lirikat e
tij. Vlerën e poezisë se Át Vinçencit e dëshmon edhe fakti që mbas luftës, me
1945 e 1946, në librat shkollore ishin edhe poezitë e njohura te Prennushit, “Lulekuqja”, “Nanës”, “Ushtari i vogël”,
deri në arrestimin e tij nga pushteti komunist. Kur mësoi për vdekjen ndër
tortura të Át Vinçencit, poeti Lasgush
Poradeci tha: “E
vramë poetin . . . . e vramë me heshtjen tonë”.
Poezia
e poemthit “Grueja shqyptare” e
Prennushit, frymëzoi Át Martin Gjokën, i cili e
muzikoi poemthin dhe në prag të pushtimit fashist, në vitin 1939, në mbledhjet publike këndoheshin ato vargje që u
banë shkëndijë per demostratat që shpërthyen në Tiranë e Shkodër kundër atij
pushtimi.
Vinçenc
Prennushi ishte konseguent me parimet e veta demokratike. Kjo shihet edhe në
zgjedhjen e veprave që përktheu në shqipen e tij elegante e të pasur. Përktheu dhe botoi romanin “Fabiola
- Kisha nëndhe” të kardinalit anglez Nicholas Wiseman (1802-1865), romanin
“Quo Vadis” (Ku po shkon?) të shkrimtarit polak Henryk Sienkiewicz
(1846-1916), romanin “Burgjet e mija”
të italianit Silvio Pellico (1789-1854) si dhe nëntë këngë të eposit gjerman te
Nibelungeve. Babai i një mikut tim
shkodran më tregonte per respektin qe kishin myslimanet për të: “Át Vinçencin
ne myslimanët e quanim Melek”. Melek do
të thotë Ëngjell. Autori V.Bala i studimit “Historia e letërsisë së pavarsisë”, permend Nolin, Prennushin e Konicën si perkthyesit më
të shquar te asaj periudhe. Vlerësimi i lartë si përkthyes ishte në logjikën e
kësaj figure poliedrike falë talentit, kulturës dhe njohjes së thellë të gjuhës
shqipe dhe shumë gjuhëve duke filluar
nga gjermanishtja. Kjo e vërtetë përkon me traditën e intelektualëve shqiptarë
para, gjatë e pas Rilindjes Kombëtare, nga jugu në veri të trojeve shqiptare.
Ndoshta ata e ngritën në piedestal rolin e gjuhës amtare dhe të gjuhëve në
përgjithësi, sepse vetëm gjuha u jepte lirinë për të vleresuar e adhuruar atë që ende sot quajmë Troje Shqiptare.
Kjo fjalë e lashtë i shkon për shtat të qenurit shqiptar dhe kush e shqipton,
provon nje fare ndjenje mes nostalgjisë dhe brengës. Brenga ishte pasoje e
mungeses se nje shteti unitar, qe ne nje fare menyre zavendesohej nga termi
“Trojet e te folmes shqip”, pra Trojet shqiptare. Sigurisht që njerëzit e
kishës gjatë katër qindvjeçarëve e kanë vuajtur më shumë atë ndjenjë e, bashkë
me të, edhe vakumin që solli në botën shqiptare humbja e lidhjeve me Europën
mëmë. Bëj mirë të kujtoj që edhe
shkrimtari i madh i trojeve shqiptare, Kadare, shprehet qartazi për nevojën
jetike të lidhjeve me Europën, të cilës i përket kombi ynë, sot si në të gjitha
kohërat.
Pjesë
e rëndësishme e jetës së Át Vinçencit është veprimtaria patriotike. Vitet me një herë pas shpalljes së pavarësisë, ishin të
vështira edhe për Shkodrën. Kjo, sepse qyteti ishte i pushtuar nga forcat
ushtarake të vendeve të ndryshme dhe qyteti ende nuk bënte pjesë në shtetin
shqiptar. Át Marin Sirdani shkruan:
“Në ket kohë Át Gjergj Fishta e Át
Vinçenc Prennushi mbajnë ligjerata publike neper gjytete, mbi të drejta të
Shqypnís.”
Ne
1913 Át Fishta ngriti flamurin e shqipes në këmbanoren e Kishës Françeskane të
Shkodrës, por u detyrua të linte qytetin sepse ende për shumë shqiptarë ajo
shkaba e zezë dykrenare në sfondin e kuq të lirisë, nuk kish kuptim pas katërqind
vjet robërie. N’atë kohë, Át Vinçenci, më i ri se Fishta e me marrëdhanie të
mira me të gjithë qytetin, arriti me durim t’i bindi të gjithë bashkëqytetarët
për një miting të madh në kështjellën e Rozafës. Të gjithë së bashku n’ate
miting të paharruar të popullit të Shkodrës të shtunën e largët të 14 marsit
1914, lartësuan flamurin kombëtar pasi shpartalluan rrethimin e qytetit prej
malazezve. Madhështor dhe i paharrueshëm qe mitingu i shkodranëve, të gjithë pa
dallim feje. Më shumë se njëzet mijë vetë u tubuan në atë kështjellë të lashtë,
përpara të cilëve foli Vinçenc Prennushi 29 vjeçar. Ishte një fjalim i zjarrtë,
botuar disa herë nga shtypi i kohës e qe frymëzoi atdhetarët deri në ardhjen e
komunizmit.
Prennushi ishte i vetëdijshëm për vështirësitë e
ndërtimit të një shteti modern, që duhet të kthente shikimin nga Lindja në
Perëndim, kah ai univers kulturor të cilit i përkiste që në agimin e vet. I vemendshëm për fatet e shtetit të ri
shqiptar, mori pjesë në
Kongresin e Lushnjes, prej nga doli senator i parlamentit, falë autoritetit dhe patriotizmit të tij. Në
periudhën 1923-24 ndjek me vemendjet ngjarjet plot zhvillime të asaj kohe. Që
në vitin 1910 At Vinçenci 25 vjeçar pati shkruajtur dhe botuar essènë e famshme
“Liri në mendime”. Kjo përsiatje e
tij solli ajër të freskët në universin kulturor shqiptar, të mrekulluar n’ato
vite prej mirazhit të lirisë e më pas të demokracisë.
Këto ide i zhvilloi më gjërë në
vitin 1924 në broshuren “Ndër
lamijet e demokracisë së vërtetë” - një udhërrëfyes mbi kuptimin modern të
demokracisë. Në këtë studim ai shpreh
pikëpamjet e veta për një shtet demokratik të tipit perëndimor.Përkushtimi i
tij është i trefishtë: një personalitet i shquar i kishës katolike dhe qytetar
i rrallë i Shkodrës së tij, nga ana tjetër njeri i ndritur i letrave dhe i
kulturës në përgjithësi e së fundi në fushen politikë dallohet si luftëtar i
demokracisë dhe si një nga ideologët e saj. Kjo jetë e pasur e At Vinçencit më
19 mars 1936 i jep petkun e ipeshkvit të Sapës, detyrë të cilin e mban deri në
1940. Në këte vit ai emërohet arqipeshkëv metropolitan i
dioqezës Durrës – Tiranë.
Me gjendjen e vështirë të krijuar nga regjimi komunist dhe ndëshkimet e
pashembullta ndaj fesë, vdiqën dhe u eliminuan pjesa ma e madhe e drejtuesve të
kishës katolike të vendit. Në vitin 1945 E.Hoxha, i kërkon një takim Át Vinçenc Prennushit dhe ky paraqitet së bashku me Imzot Gaspër Thaçin.
Hoxha kërkoi prej tyre shkëputjen e kishës katolike nga Vatikani. Të dy
prelatët e quajtën të pamundur një hap të tillë. Katoliçizmi shqiptar kishte dhënë
kontribute të shquara në historinë e krishtërimit me shenjtorë, peshkopë e
kardinalë të shquar, mes tyre edhe disa kryetarë të kishes katolike.
Pas këtij refuzimi, persekutimi i klerikëve u ashpërsua edhe ma shumë me
forma e dhunë të pabesueshme. Në maj 1946 Imzot Thaçi vdiq i semurë në trup e i
plagosur në shpirt, thuajse i izoluar në banesën e tij, duke çuar në varr vetëm
dëshpërim e pesimizëm. Po ato ditë komunistat arrestuan Dom Mikel Koliqin,
famulltar i Katedrales Shën Stefani të Shkodrës, që e mbyllën në burgje dhe kampe të punës së
detyruar per 38 vjet. Kam patur fatin ta njoh ne vitin 1994 në festimet e
pavarësisë në Ambasadën shqiptare në Romë.
Biseduam gjatë. Njoha tek kardinal Koliqi përunjësinë dhe diturinë, që
së bashku me elegancën fizike dhe mendore, i jepnin atij pamjen e një shenjtori
të gjallë. Dhe mendova: i tillë ka qenë dhe V. Prennushi).
Pas këtyre ngjarjeve Át Vinçenc Prennushi emërohet Primat Katolik i Shqipërisë. Kjo është periudha
më e randë që feja katolike ka patur në historinë e saj. Shkatërrime, burgime, vrasje pa gjyq ose me proçese sa
hap e mbyll syte e tortura të padëgjuara. Kjo dramë është vetëm një nga pamjet
e mënxyrës komuniste që errësoi si asnjëherë jetën dhe të ardhmen e mbarë
popullit. Pikërisht ky realitet i hidhur dhe ndjeshmëria thellësisht njerëzore
e Át Vinçencit, e vështirësuan detyrën e
tij. Por ai u gjend përhera krah qytetarëve dhe njerëzve të kishës, me fjalën e
Perëndisë dhe arsyen e tij të shëndoshë që nuk hiqte dorë nga shpresa te Zoti
dhe tek mirësia e njerëzve.
Qëndresa e
njerëzve të kishës, objekti kryesor i ndëshkimeve komuniste, ishte e
pashembullt. Edhe pse klerikët mënjanonin provokimet, ata nuk braktisën
asnjëherë misionin e tyre të shenjtë. Vranë fretën të rinj e të moshuar, kalbën
në burg e në kampet e punës fretën të thjeshtë e prelatë. Kjo gjendje i krijoi
një farë izolimi primatit të Kishës katolike, Át Vinçencit,
bashkëpuntorët e të cilët rralloheshin dhe frika e njerëzve për pjesëmarrjen në
ritet fetare shtohej.
Kalvari i Át Vinçencit fillon të hanën e tretë
të majit 1947. Mbas kësaj date diktatori E.Hoxha foli me shumë ashpërsi kundër
Prennushit, sikur arrestimi arbitrar i tij të mos e kish ngopur. Është 19 maj data e arrestit të tij. Me arrestin
fillon dhe kronika që nuk do të donim të shkruanim kurrë: torturohet çdo ditë.
Të enjten 18 dhjetor ‘47 gjykata e Durrësit e dënon me 20 vjet burg; të hënën e
23 shkurtit ‘48 dënimi konfirmohet nga gjykata e Tiranës; të shtunën e 19
marsit ’49, i plagosur në shpirt dhe i
dobësuar në trup prej torturave më
mizore, shuhet në duart e Arshi Pipës, mik i qelisë së errët të këtyre njerëzve të ndritun.
U lind një
të shtunë Át Vinçenci. Pra hyri në këtë jetë e doli
prej saj në prag të së djelës, për të hyrë po atë ditë në jetën e amshuar. Gjithmonë
pranë ditëve të shënuara, siç ishte e shënuar jeta e tij që ia kushtoi
njerëzve, kishës e vendit. Deri në
çastin e fundit shërbeu si një Át i mirë. Na e dëshmon miku i tij i
qelisë Arshi Pipa. Tregon se në minutat e fundit të vuajtjes, meshtari i Vlorës
Dom Jul Bonati kërkoi bekimin e fundit nga Át Vinçenci. Para se të kalonte në amshim, me mundim,
Prennushi i vuri dorën në kokë Dom Bonatit. Ishte bekimi dhe shërbesa e fundit e tij. Pak çaste pasi bekoi një njeri, Át Vinçenci dha frymën e fundit. Shkruan Pipa: “Shpesh nuk kishim dru zjarri në qeli. Kur
fikeshin xixat e fundme dhe errësina peshonte në birucë, ngriheshim prej
shtrati dhe i rrijshim të smundit te kryet. Tue folë, tue i dhanë zemër, tue e
gënjye se do të bishim dru ose se nata ishte në të sosun . . . . . Nji natë të tillë më tha copa-copa: “Tash
po kujtoj fjalët e Goethes: Mher Licht! (Dua dritë)”. Ajo dritë, së cilës Poeti
i kishte thirrë në pikë të mortjes, nuk ishte drita qi shohin sytë tanë shqisorë.
Dhe këte Imzoti e dinte mirë . . . .”
Jemi më 8
maj 1993. Përsëri e shtunë! Në prag të së dielës së dytë te majit 93, pas 43
vitesh nga vdekja, Át Vinçenc Prennushi shpallet Martir i
Demokracisë në qytetin e Durrësit ku i shërbeu si Imzot, kishës e
demokracisë.
Le të
kthehemi te Át Vinçenci në kërkim të kuptimit ma
të plotë të veprës së tij. Flijimi i tij për kishën dhe demokracinë më sjell
ndër mend flijimin e Jezù Krishtit në misionin që i pati caktuar Perëndia. Át Vinçencin, dëshmon Arshì Pipa, e lidhën në një hu
druni porsi një dash dhe e lanë të varun në pritje të torturave të mëtejshme e
duke shprehur urrejtje e mizori me fjalë fyese të pafund. Kjo figurë më ngjan
me mundimin e fundit të Krishtit me kryqin në krah që shkon drejt vendit të
kryqëzimit. Unë do përpiqem të shpreh bindjen time që jeta dhe akti i fundit i Át Prennushit na përket të gjithëve, sepse në thelb
kishte të bënte me idealin e demokracisë. Për veprën dhe aktin e fundit të ketij biri të Shkodrës, ne duhet
tu përulemi me nderim të gjithë qytetit dhe Malësisë rreth Shkodrës për rolin e
madh që ka patur në historinë tonë, për kulturën dhe demokracinë. Ketë
mirënjohje çdo qytetar i trojeve shqiptare duhet ta bajë të vetën, sepse per 50
vite të diktaturës më të rreptë qe ky popull ka njohur, partia e dhunës dhe e
terrorit ka mohuar dhe çensuruar me paturpësi rolin e Shkodrës, traditat,
meritat e saja në të gjitha fushat dhe bujarinë e pafund të saj.
Me këtë
përsiatje unë dua të theksoj që gjatë 45 viteve të totalitarizmit komunist
është mohuar roli i klerikëve dhe në përgjithësi i fetarëve në jetën e vendit.
Në çeshtjen kombëtare kanë konvergjuar të gjitha besimet fetare të trojeve
shqiptare. Kjo e vërtetë fisnike ka dëshmuar shkallën e lartë të emancipimit të
shoqërisë shqiptare, që në artikuj të mëparshëm e kam analizuar posaçërisht.
Përse Át Vinçenc Prennushi është një martir i demokracisë po
aq sa dhe martir i fesë. (Komisioni pranë Selisë së Shejtë e ka shpallë të
tillë bashkë me 40 të tjerë).
Trojet
shqiptare, që nga koha e ilirëve, kanë shënuar kufirin mes Lindjes e
Perëndimit, mes katoliçizmit e ortodoksizmit. Me shtrirjen otomane, këto
troje u bënë qëndra ku konvergjonin (apo
divergjonin, sipas rastit) dy drejtime kryesore të krishtërimit dhe islamizmi,
pra u formua një realitet fetar tredimensional.
Shkruan Át Sirdani në “Veprën atdhetare të françeskanve” që popujt fqinjë të shqiptarëve e
identifikonin idenë e fesë me konceptin e shtetit. Asnjë prej tyre nuk kishte
atë emancipim kulturor, si vendet europiane, qe duke qenë të besimit katolik,
nuk thonin që gjermanët, francezët e spanjollët na qënkeshin italianë. Fan S. Noli, në “Histori e Skënderbeut” [Boston, 1921,
k. I, f. 32-33] shkruan “Për të këputur
çdo lidhje me Serbinë, Balsha I dhe të
bijtë, qe ishin orthodoksë, u kthyen katholikë duke hequn pas edhe nje shumicë
të madhe prej subjekteve të tyre. Idea
prapa kësaj levisjeje ishte të bashkohej Shqiprija aq politikisht, sa
dhe fetarisht, dhe të kthente sytë prej Anadollit në Prendim”.
Është
e qartë si drita e Diellit që krijimi i kishës ortodokse autoqefale shqiptare
nga Noli, ishte një vepër e madhe patriotike, në mbrojtje të kombit shqiptar
dhe identitetit kulturor të tij. Këto probleme, sikundër të gjithë ne e dimë
fare mirë, nuk kanë ekzistuar mes shteteve perëndimore europiane; ato asnjë
herë nuk kanë menduar të identifikojnë kombësinë me fenë.
Shqipëria
dhe patriotët shqiptarë, përfshi vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini e te tjerë
që vinin nga sfera islamike, formalisht e jon në pikëpamje kulturore,, ishin
njerëz të ndritur. Ata e panë të ardhmen e Shqipërisë kah perëndimi. Është
monumentale vepra e Naim Frasherit që edhe pse bektashi, shkruan per Abas Aliun,
për Krishtin e per Shën Marinë. Në veprën e tij Naimi i referohet fesë të të parëve tanë, fesë të stërgjyshërve tanë. Ja vargjet e tija: “Tani më kanë dërguar / Nga fron i lart’i Perëndisë / Si
ëngjëllin e Marisë / Me frymë të
shënjtëruar/”.
Ismail Kadare i ka kushtuar vemendje problemeve të
identitetit dhe integrimit në Europë me shkrime dhe intervista të rëndësishme.
Duke folur për Rilindjen Kombëtare ai thotë: “Me programin e
saj të qartë europianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore
dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po
rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.”
Është detyra jonë të ruajmë respektin
e rilindasve per të gjitha besimet fetare, sepse kjo është një çeshtje
personale e qytetarit. Ai ekuilibër dhe paqe mes besimeve fetare të ndryshme në
jetën shqiptare, duhet të na japë krenari. Duke folur për rolin e botes katolike
duhet te shpreh bindjen per rolin e madh të të gjithë popullit pa dallim feje,
sepse të gjithë kanë vuajtur dhe janë sakrifikuar gjatë robërisë otomane dhe
asaj komuniste e secili ka kontribuar
sipas idesë dhe mundësisë vetiake. Vemendja kah katolikët rjedh nga fakti që regjimi dëmtoi më shumë të
krishterët për ngjashmërinë që ata kishin me botën europiane edhe permes fesë,
si një nga tiparet e përbashkëta të tyre. E.Hoxha i shihte myslimanët si të
ambjentuar me botën otomane, si më te
mësuar me diktaturen. Natyrisht ai gaboi, si në shumë gjëra të tjera.
Intelektualë dhe patriotë si vëllezërit Frashëri, Tahsini, Murat Toptani,
Konica, Boletini, etj. janë vetëm disa nga emrat e shquar të tyre. Jeta
shqiptare, idetë dhe qëndrimi i
rilindasve e bëjnë unikal shembullin
shqiptar për bashkëjetesën dhe harmonine ndërfetare, sikunder theksoi ne 5 maj
2012 papa Benedikti XVI në takimin me
Presidentin shqiptar.
Flijimi i Át Vinçencit ishte heroik dhe i lidhur si me veprën fetare dhe patriotike
të tij. Ajo duhet interpretuar kryesisht me vlerën që ka kisha katolike e
vendit tonë si urë mes nesh e familjes së vendeve perëndomore, të cilës
Shqipëria i përket që nga lindja e krishtërimit, madje dhe më pare se vetë
Europa. Ai u flijua për të mos ndarë kishën katolike nga Vatikani, sepse vetëm
kështu do ta mbante vendin në orbitën e kulturës perëndimore dhe ideali i
lirisë do të ishte i pranishëm në ndërgjegjen e popullit edhe gjatë robërisë
komuniste. Kjo e lartëson figurën e jashtëzakonshme të Vinçenc Prennushit, së
pari si patriot në kuptimin laik të fjalës, pastaj edhe për aktin e fundit të
jetës, që ka rrënjën në traditën e lashtë të kishës shqiptare.
Martiri
Vinçenc Prennushi natyrshëm na kujton martirin e Shën Astit. Asti i Durrësit u
lind dhe vdiq në Durrës rreth viti 100 dhe ishte një katolik shqiptar. Peshkop
i dioqezës së Durrësit, themeluar në vitin 58 e.r., nderohet nga kisha katolike
në datën 5 korrik, si shenjtor dhe me atributin Palma e Martirit. Shën Asti u
arrestua me urdhër të prefektit të Ilirisë, Agricolao. I kërkuan të adhurojë ritin e Dionisit, por ai refuzoi. E
rrahën barbarisht, i lyen trupin me mjaltë dhe e lidhën në kryq duke e
braktisur në vapë deri sa dha shpirt. Të nesërmen një grup kristianësh që u kishin shpëtuar ndëshkimeve, shkonin
drejt Durrësit. Ndeshën në kufomën e
Shën Astit martirizuar në kryq. Të frymëzuar nga flijimi i peshkopit të
Durrësit, hynë në qytet dhe nuk patën frikë të deklarohen si kristianë, gjë që
shkaktoi edhe vrasjen e tyre.
Kjo
është tradita e kishës antike shqiptare, të cilës i përket Át Vinçenc
Prennushi. Ky peshkop i kohëve moderne,
në krye të dioqezës më antike të Europës e që dikur e drejtonte Shën Asti, u
flijua për kishën dhe demokracinë e popullit të tij, për bindjen që ky popull
nuk mund të kuptohet jashtë Europës dhe
traditave të saj.
Comments
Post a Comment