Ideja gjithëkombëtare nga Rexhep Qosja



Kosova e Shqipëria më 1912 dhe Shqipëria e Kosova më 2012.
Shqiptarët kudoqofshin ata sot – në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, në Luginë të Preshevës, në Turqi, në Itali, në shtete të tjera të Bashkimit Evropian, në SHBA, në Kanada, në Australi, e shënojnë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si ngjarjen më të madhe jo vetëm në historinë e saj, por edhe në historinë e tyre.
E kuptueshme.
Shqipëria shtetërore u ka bërë të mundshme atyre të mbahen në histori e të ruajnë identitetin e përbashkët duke arritur me atë identitet të festojnë 100-vjetorin e saj.
Për krijimin e shtetit shqiptar kanë menduar dhe kanë punuar paraardhësit e të gjithë këtyre shqiptarëve, pavarësisht ku jetonin atëherë, në cilat vilajete dhe në cilat ngulime shqiptare.
Ideja kombëtare, e krijuar në epokën e madhe të Rilindjes shqiptare, prej fillimeve ishte ide gjithëkombëtare. Ajo ishte përcaktuese programore e mendimeve dhe e veprimeve politike të shqiptarëve në gjithë gjeografinë ku jetonin si popullsi e vetme a si shumicë etnike. Por pikërisht pozita gjeografike do të bëjë që disa prej tyre më herët a më vonë t’i përkushtohen krijimit të shtetit shqiptar.
Përvoja historike na mëson se gjeografia mund të jetë përcaktuese si e fatit historik të popujve ashtu edhe e krahinave të tyre të veçanta: ajo mund të bëjë që ato të jenë më herët a më vonë të pushtuara apo më herët a më vonë se krahina të tjera të çliruara prej pushtuesve.
Mund të besohet se gjeografia do të bëjë që Kosova, prej kohës së Krizës Lindore, të luajë rol të veçantë, në lëvizjen kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Lufta serbo-turke në vitet 1876-1877 kur shqiptarët e rretheve të Nishit, të Prokuples, të Vranjës, të Pirotit dh të Leskovcit do të përjetojnë masakra të mëdha dhe do të jenë të dëbuar prej trojeve të tyre dhe Kongresi i Berlinit kur Serbia dhe Mali i Zi njihen shtete të pavarura do t’i ballafaqojnë shqiptarët e Vilajetit të Kosovës me rrezikun që të jenë të shkëputur prej tërësisë gjeografike shqiptare dhe të mbeten të pushtuar prej këtyre dy shteteve sllave.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Mund të besohet se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si organizatë politike dhe ushtarake, krijohet pikërisht në vitin 1878 si fryt i vetëdijes së shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës dhe të bashkëkombësve të tyre të tjerë për atë rrezik kombëtar që u ishte bërë i qartë pas luftës serbo-turke dhe Kongresit të Berlinit. Ne, sot, nuk mund të dimë sigurt se në mendjen e cilit shqiptar, cilit shqiptar kosovar, a cilit rilindës do të jetë nyjëtuar më së pari ideja për krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ashtu siç nuk mund ta dimë sigurt se prej kujt dhe ku do të jetë bërë propozimi që Kuvendi i kësaj Lidhjeje të mbahet pikërisht në Prizren. Por ne, sot, e dimë, sigurt, se Kuvendi i Lidhjes Shqiptare mbahet pikërisht në Prizren për t’u dhënë të kuptojnë qoftë fqinjëve ballkanikë, qoftë fuqive të mëdha evropiane se shqiptarët e të katër vilajeteve janë një komb, se ky komb duhet të ketë shtetin e vet kombëtar, si kombet e tjera të Ballkanit, dhe se trojet e veta do t’i mbrojë edhe me gjak.
Siç dihet, ka më shumë se një tregim për rolin e Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar. Dhe, disa prej këtyre tregimeve janë më shumë imagjinare, romantike, kurse disa më shumë realiste. Por të dhënat historike e bëjnë realist, të vërtetë, tregimin prej të cilit mësojmë se Shqipëria e 1912-it, është: e para, fryt i mendjes së elitës intelektuale shqiptare, domethënë i rilindësve, Pashko Vasa, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali ndër të cilët, siç shihet, deri në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë nuk kishte asnjë kosovar, dhe, e dyta, fryt i kryengritjeve dhe i luftërave çlirimtare që prej vitit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878 e deri në vitin 1912 bëhen në Vilajetin e Kosovës apo fillojnë në Vilajetin e Kosovës e, mandej, shtrihen edhe në vise të tjera shqiptare, kryesisht veriore e dikur edhe jugore. Këtë rol luftues të Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar e dëshmojnë edhe emrat historikë të trajtuar në letërsinë artistike a të kënduar edhe në këngët popullore të prijësve të këtyre kryengritjeve dhe luftërave siç janë Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Ali Pashë Gucia, Idriz Seferi, Bedri Pejani, Mic Sokoli, Sef Kosharja, Isa Boletini, Bajram Curri, Nexhip Draga, Hasan Prishtina e të tjerë.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë
Me gjithë përpjekjet e mëdha politike, diplomatike dhe luftarake për krijimin e shtetit shqiptar prej të gjitha tokave në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë etnike, Kosova, Çamëria, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Plavës e Gucisë, Hoti e Gruda, pjesë e madhe e Ultinës së Liqenit të Shkodrës do të mbesin jashtë kufijve të Shqipërisë – nën pushtimin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë?
Pse ndodh kjo?
Pse, me gjithë ato kryengritje dhe luftëra që bëhen në Kosovë prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në vitin 1912, Kosova dhe ato trojet e tjera shqiptare mbesin nën pushtimin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë?
Studiuesit tanë, që merren me historinë e krijimit të Shqipërisë dhe mbetjen e Kosovës dhe trojeve të sipërpërmendura shqiptare jashtë kufijve të saj, ngurrojnë ta shqiptojnë një të vërtetë, që është: me gjithë rolin e saj jashtëzakonisht të madh, që ishte rol luftarak, për krijimin e Shqipërisë, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare do të mbesin nën pushtimin e Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë për shkak se për mbrojtjen e tyre nuk do të bëhet luftë kombëtare. Në luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër sulmeve të ushtrive serbe e malazeze pothuaj nuk do të ketë shqiptarë edhe prej pjesëve të tjera të gjeografisë kombëtare. Ndryshe prej shteteve ballkanike – Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, që me ushtri të organizuar, të organizuar sepse ishin shtete, thonë se bëjnë luftë gjithëkombëtare kundër Perandorisë Otomane në vitin 1912, në të vërtetë luftë pushtuese ndaj shqiptarëve. Shqiptarët, qoftë edhe pse ishin të pushtuar prej asaj Perandorie, bëjnë vetëm luftëra lokale. Si të tilla, si luftëra lokale, ato nuk mund të luanin rolin as luftues, as politik, as diplomatik, që do të luante lufta gjithëkombëtare, për çlirimin e gjithë gjeografisë shqiptare dhe krijimin e shtetit kombëtar në gjithë atë gjeografi.
Dhe, kështu, Kosova, e cila që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me kryengritje e me luftëra e nyjëton idenë nacional-çlirimtare për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, mbetet jashtë këtij shteti, nën pushtimin e pushtuesve të ri – Serbisë dhe Malit të Zi!
Kosova pas krijimit të Shqipërisë
Me krijimin e shtetit shqiptar, në vitin 1912, fillon drama e madhe politike, shoqërore, kulturore dhe historike e Kosovës së pushtuar prej Serbisë dhe më vonë prej Jugosllavisë. Shteti pushtues - Serbia, më vonë Jugosllavia, me përjashtim të viteve 1945-1948 dhe 1968-1980 do ta bëjë të pamundshëm çdo komunikim të Shqiptarëve nga të dy anët e kufirit me Shqipërinë shtetërore! Megjithëse ashtu të veçuar prej bashkëkombësve të vet të Shqipërisë shtetërore, shqiptarët e Kosovës nuk do të pushojnë të mendojnë dhe, kohë pas kohe, të veprojnë për të ndryshuar fatin e tyre tragjik. Do të bëjnë luftë kundër pushtimit serb dhe malazez në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Plavë e Guci gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore; do të organizohen në çeta kaçakësh, që do të organizojnë edhe kryengritje si ato të Azem Bejtës; do të organizojnë Komitet për Mbrojtjen e Kosovës, siç ishte Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në Shqipëri; do të miratojnë rezolutë për bashkim me Shqipërinë siç ishte ajo e Bujanit në vitin 1944-1945; do të bëjnë kryengritje si ajo e Shaban Polluzhës në fund të Luftës së Dytë Botërore; do të organizohen në organizata politike, siç ishte ajo e Adem Demaçit, në vitin 1961; do të krijojnë grupe a organizata politike siç ishin grupet dhe organizatat e majta deri në vitin 1981; do të organizojnë demonstrata siç ishin ato në vitin 1968, në vitin 1981 e, mandej, kohë pas kohe, deri në vitin 1997, domethënë edhe pas organizimit në parti politike në fund të vitit 1989.
Dhe, kështu Kosova bënte ç’ishte e mundshme të bëhej në kushte pushtimi për t’u bashkuar me Shqipërinë apo për t’u bërë shtet i lirë e i pavarur.
Por, ç’bënte Shqipëria shtetërore për Kosovën?
Kjo pyetje përmban shumë tema që presin kërkime e trajtime të shumanshme dhe botime të shumëvëllimshme.
Këtu, në këtë kumtesë, unë mund të përmend vetëm disa ngjarje, disa veprime e disa vendime politike a shtetërore të Shqipërisë shtetërore në lidhje me Kosovën, që përfliten më shpesh në opinionin kombëtar.
Kosova, Shqipëria mbretërore dhe Shqipëria komuniste
Populli shqiptar dhe inteligjencia shqiptare në Shqipërinë shtetërore kurrë s’e kanë heshtur mospajtimin me shkëputjen e dhunshme të Kosovës e të trojeve të tjera të sipërpërmendura prej Shqipërisë shtetërore. Dëshmi për këtë që thuhet janë veprat e shumta historike, publicistike, letrare, artistike në përgjithësi, që ka krijuar elita intelektuale për Kosovën dhe ato troje të tjera të pushtuara.
Por, ç’mund të thuhet për qeveritë shqiptare?
Qeveritë shqiptare deri në fund të vitit 1924 do ta kundërshtojnë pushtimin e Kosovës së pari prej Serbisë e pastaj prej Jugosllavisë. Ky përkushtim i shtetit shqiptar ndaj Kosovës do të jetë i ndërprerë prej vitit 1925 dhe deri në vitin 1939. Kryetari i Shqipërisë prej vitit 1926 e deri në vitin 1928, që do të shpallet mbret i Shqipërisë prej vitit 1928 e deri në vitin 1939, Ahmet Zogu, i cili në pushtet do të vijë me ndihmën e Jugosllavisë, në të vërtetë me ndihmën e forcave ushtarake serbe dhe bellogardiste ruse, që në Beograd kishin gjetur strehim pas Revolucionit të Tetorit, do ta heshtë plotësisht dhe gjatë gjithë sundimit të tij pushtimin e Kosovës! Për të plotësuar marrëveshjen e nënshkruar me kryeministrin serb, Nikolla Pashiq, ai do të përjashtojë prej administratës kosovarët, do të organizojë vrasjen e anëtarëve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Hysni Currit, do të bashkëpunojë me Pashiqin për vrasjen e Azem Bejtës dhe do të ndalojë veprimtarinë e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Kosova dhe një pjesë e trojeve të tjera etnike shqiptare të pushtuara prej Jugosllavisë do të bashkohet me Shqipërinë, të pushtuar së pari prej Italisë, kurse prej tetorit të vitit 1943 prej Gjermanisë. Domethënë: gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova e çliruar prej pushtimit të Jugosllavisë, bashkë me Shqipërinë shtetërore bie nën pushtimin e Italisë dhe të Gjermanisë.

Fatin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të pushtuara prej Serbisë e Malit të Zi nuk do ta ndryshojë as Shqipëria komuniste. Megjithatë, Shqipëria komuniste nuk do t’ia dhurojë Serbisë dhe Jugosllavisë Kosovën si Shqipëria mbretërore. Pas rënies së komunizmit, për qëndrimet e Shqipërisë komuniste ndaj Kosovës janë shqiptuar dhe janë shkruar më shumë gënjeshtra se të vërteta. Të vërtetat, siç dëshmojnë materialet arkivore ruse, jugosllave, shqiptare, kosovare e të tjera dhe dëshmitarët e gjallë, janë këto: e para, gjatë vizitës në Jugosllavi sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, në takim me sekretarin e Parë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, do t’ia përkujtojë këtij premtimin se shqiptarëve të Kosovës mbas Luftës do t’u bëhet e mundshme të bashkohen me Shqipërinë. Titoja do t’i përgjigjet: Serbia nuk do ta kuptonte kurrë këtë. E dyta, politikën e mëvonshme të Shqipërisë komuniste ndaj Jugosllavisë në vazhdimësi do ta përcaktojë politika e Jugosllavisë ndaj Kosovës e mbisunduar prej nacionalizmit serb, në njërën anë, kurse rrethanat politike ndërkombëtare, në anën tjetër. Mund të hamendjesohet se e nxitur prej asaj politike serbe dhe prej atyre rrethanave ndërkombëtare do të jetë përkrahja e hapët, politike dhe shtetërore, që Shqipëria komuniste u jep demonstratave të rinisë studentore dhe shkollore në Kosovë në vitin 1981 dhe kërkesave për statusin e Kosovës.
Kosova dhe Shqipëria demokratike
Ç’do të bëjë Shqipëria për Kosovës dhe viset e tjera shqiptare të pushtuara prej Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 1912 pas rënies së komunizmit?
Politika e Shqipërisë ndaj Kosovës pas rënies së komunizmit, e cila tashmë e kishte jetuar dhe përvetësuar thellësisht e gjithanshëm procesin e vonuar të iluminizmit kombëtar, do të ketë lëkundje, ngritje dhe rënie, që do të varen jo vetëm prej rrethanave politike ndërkombëtare, por edhe prej marrëdhënieve asnjëherë të qëndrueshme mes forcave politike të majta e të djathta shqiptare. Udhëheqjet politike e shtetërore shqiptare, si e djathta ashtu edhe e majta, pas rënies së komunizmit në vazhdimësi ndaj Kosovës do të kenë atë qëndrim që do të kenë edhe faktorët kryesorë ndërkombëtarë, para së gjithash, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Largim prej kësaj politike servile do të ndodhë vetëm në kohën kur kryetar i Shqipërisë të jetë Rexhep Meidani. Në këtë kohë në politikën shtetërore shqiptare nyjëtohet qëndrimi, kohë pas kohe i shprehur edhe para faktorëve ndërkombëtarë, se vetëm pavarësia e zgjidh çështjen e Kosovës. Politika e Shqipërisë shtetërore ndaj Kosovës, ndërkaq, do të përmbyset posaçërisht shumë, duke u bërë politikë jokombëtare dhe johistorike, sidomos në kohën kur në krye të saj, qoftë në cilësinë e kryetarit të shtetit, qoftë në cilësinë e kryeministrit të shtetit, do të bëhet kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Dëshmi e kësaj që thuhet janë: deklaratat e tij të tipit se Kosova është djep i binjakëve shqiptarë dhe serbë; furnizimi i Serbisë, në të vërtetë i Jugosllavisë së mbetur, me naftë në kohën kur OKB-ja kishte vënë embargo ekonomike ndaj Serbisë; dëbimi prej Shqipërisë i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kishin ardhur për t’u ushtruar ushtarakisht; kualifikimi si terroristë i atyre shqiptarëve kosovarë që predikonin qëndresën aktive, domethënë luftën, si mjet për çlirimin e Kosovës; deklaratat e tij qoftë në mbledhjet e qeverisë, qoftë të Kuvendit të Shqipërisë, qoftë në takime me gazetarë vendës, qoftë në institucione evropiane e amerikane, qoftë para mediave të huaja se zgjidhja e vetme për çështjen e Kosovës është autonomia në kuadrin e Serbisë apo të Jugosllavisë së mbetur; mospajtimi i të njëjtit me mbajtjen e Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje; përkrahjet e vazhdueshme që u jepeshin zgjedhjeve të organizuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat mbaheshin me parullën “zgjedhje të lira dhe demokratike”, në kushtet e dhunës dhe të terrorit shtetëror të Serbisë, me të cilat rezistenca kombëtare zhvlerësohej, Kosova turpërisht paqesohej, kurse regjimi serb ligjësohej! E të tjera.

Pavarësisht prej një politike të këtillë, jokombëtare, madje, kundërkombëtare ndaj Kosovës, të kryetarit, mandej, të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, mund të themi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk do të mund të bëhej pa Shqipërinë. Për më tepër, mund të thuhet se roli i Shqipërisë shtetërore në këtë luftë çlirimtare të Kosovës prej vitit 1997 e deri në vitin 1999 do të jetë jashtëzakonisht i madh. Dhe, ky rol nuk do të jetë luftues, siç kishte qenë roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar prej vitit të mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në vitin 1912, në të vërtetë deri në vitin 1919, por në radhë të parë natyror –gjeografik dhe gjeostrategjik. Shqipëria ishte prapavija natyrore prej nga Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i vinin të gjitha ato që i duheshin jo vetëm për të luftuar, por edhe për t’u mbajtur. Por, këtë rol natyror, gjeografik dhe gjeostrategjik, të Shqipërisë në luftën çlirimtare të Kosovës e bën njëkohësisht rol atdhetar e historik edhe pjesëmarrja e një vargu luftëtarësh, oficerësh dhe sidomos e disa oficerëve të lartë të Shqipërisë shtetërore në këtë luftë.
Kosova, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian
Megjithëse shqiptarët kanë sot dy shtete, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, nuk mund të thuhet se programi kombëtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, prandaj as ideja nacionalçlirimtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, janë të realizuara plotësisht. Jo. Shqiptarët vazhdojnë të jenë të ndarë jo më në tri shtete, si në kohën e Shqipërisë mbretërore e të Shqipërisë komuniste, po në gjashtë shtete.
Programi kombëtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ideja nacional-çlirimtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të mund të quhen kryesisht po jo plotësisht të realizuara vetëm në qoftë se Kosova do të bashkohej me Shqipërinë në një shtet, trajta politiko-shoqërore dhe kushtetutare - juridike e të cilit do të caktohej prej popullit në referendum.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë sot është një çështje shumë më tepër se politike dhe ekonomike: është një çështje ekzistenciale historike. Mund të thuhet kështu për disa arsye.
Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipërinë shtetërore janë paraqitur vetje, grupe, ndoshta dhe forca politike, që shprehen dhe, madje, veprojnë për shpërbërjen e përbashkësisë identitare shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë. Predikohet jo vetëm veçimi i identitetit shtetëror të Kosovës, por edhe njohja e identitetit kombëtar kosovar; punohet, më hapur a më sofistikueshëm, për rrënimin e themeleve të gjuhës standarde kombëtare dhe për krijimin edhe të një standardi të ri apo, së paku, të standardizimit të dialektit të gegërishtes; bëhen përpjekje që të dëshmohen rrënjët e mëvetësisë si kulturë dhe qytetërim, madje edhe si entitet, të Kosovës prej kohësh më të hershme edhe pse Kosova deri në vitin 1912 ishte një përbërës gjeografik, kulturor, qytetërues, politik dhe, natyrisht, etnik i pandarë i asaj tërësie që quhej Shqipëri.
Përpos arsyeve të sipërthëna, idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë shtetërore e bën historikisht më të rëndësishëm dhe, them, kombëtarisht më të domosdoshëm, integrimi i shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Përpos shumë mundësive që u krijon Kosovës dhe Shqipërisë për përparimin e tyre të përgjithshëm, Bashkimi Evropian, pa dyshim, përfaqëson edhe një sfidë për ruajtjen e identitetit të popujve të vegjël që i bashkohen, prandaj edhe të shqiptarëve. Në Evropën e Bashkuar, në të cilën mbizotërojnë sot dhe do të mbizotërojnë gjithnjë e më gjithanshëm dhe gjithnjë e më thellueshëm kombet e mëdha me identitete shumë të fuqishme shtetërore, etnike, kulturore, fetare, politike, të cilat pa ngurrime po shprehen sot kundër multikulturës, shqiptarët e ndarë në shtete të veçanta e kanë të vështirë të ruhen si komb: të ruajnë identitetin e tyre të përbashkët kombëtar, gjuhësor, kulturor, trefetar, historik. Ideja e bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës mbasi të hyjnë në Bashkimin Evropian, që po e përsërisin tani e sa kohë disa vetje politike, është ide demagogjike dhe mashtruese: bashkimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në Bashkimin Evropian është si bashkimi i Shqipërisë a i Kosovës, fjala vjen, me Francën, me Gjermaninë, me Çekinë, me Greqinë a me Luksemburgun. E të tjera. Një bashkim i tillë i ndarë, jo vetëm se nuk mund të jetë bashkim, por mund të jetë largim gjithnjë e më i përshtrirë identitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe, këtu mund të jetë burimi i dobësimit, madje, i shpërbërjes së identitetit të shqiptarëve. Nuk e thoshte kot një mendimtar i njohur: kaosi ndodh aty ku ndahen ato që duhet të jenë bashkë dhe bashkohen ato që duhet të jenë të ndara.
Në Bashkimin Evropian shqiptarët do të mund të mbahen shumë më sigurt si komb me identitetin e tyre në radhë të parë në qoftë se Shqipëria dhe Kosova bashkohen para integrimit në atë Bashkësi shtetesh. E ruajtja e identitetit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës së bashkuar në Bashkimin Evropian do t’u bëjë të mundshme të ruajnë identitetin edhe shqiptarëve në ato katër shtetet e tjera ballkanike: në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Greqi.
• Ky fjalim i shkrimtarit të njohur është dashur të mbahet në Konferencën e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk