Ibrahim Kodra vjen në Tiranë me “Shqipëria Fantastike”



Në vitin 1938 Shqipëria e ëndrrave të tij ishte larg përkimit me realitetin. Asokohe, si një 20 vjeçar, piktori Ibrahim Kodra shihte diçka që të tjerët nuk e shihnin, shihte një peizazh i cili më vonë u bë emblema kryesore e një të riu që dëshironte ndryshime rrënjësore për Shqipërinë.
Gjithçka të menduar në kokën e tij, Kodra e paraqiti në një peizazh shqiptar, pikturë kjo e cila është midis 48 të tjerave që do të jenë pjesë e ekspozitës “Ibrahim Kodra- Shqipëria Fantastike” një retrospektivë kjo në gati 5 mijë vepra që Kodra i famshëm kishte bërë gjatë jetës së tij. Ekspozita në fjalë, e cila do të hapet sot në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës me fillim nga ora 19:00, sjell kryeveprat e Kodrës, vitet e 70-ta dhe kulmin e sukseseve të tij, bursën e marrë nga vetë Ahmet Zogu dhe pikturën e fundit, e bërë disa javë para ndarjes nga jeta.


Vetë kuratori i kësaj ekspozite, Rubens Shima, tregon se nevoja për ta sjellë Kodrën në Shqipëri ishte e domosdoshme.“Ai gjithmonë ka qenë një piktor i madh, i njohur por asnjëherë i studiuar në kuptimin didaktik të zhvillimit. Unë kam punuar shumë, brenda dhe jashtë vendit, duke e studiuar lëndën dhe materialin e tij pamor” tregon Shima.
E njëjta ekspozitë ishte dhënë edhe për publikun shqiptar, në prill të këtij viti në Galerinë Kombëtare të Tiranës. Erzen Shkololli, drejtor i kësaj të fundit, thotë se është nder që piktori vjen kaq i elaboruar në Galeri në nder të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë shqiptare.“Asnjëherë nuk janë bërë kërkime të këtij lloji për Kodrën. Ai mund të jetë studiuar në një cikël të jetës së tij, por kjo ekspozitë e sjell atë në faza të ndryshme të zhvillimit artistik. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës kemi gati 20 vepra nga koleksioni i Kodrës” tregon Shkololli.
Shima thotë se ideja kryesore është të risjellën edhe njëherë në pah tri elementet kryesore të krijimtarisë së Kodrës: tradita moderniste e pikturave të tij, paraqitja e imazhit të vendlindjes dhe sidomos imazhi i një vendi të shkatërruar që Kodra ka përjetuar në zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore. “Në ekspozitë kemi paraqitur punime të Kodrës që nga fillimi i karrierës e deri në fund, deri në pikturën e fundit e cila duket e pakompletuar dhe është punuar disa javë para se të vdiste Kodra. Ai ka pikturuar rreth 5 mijë vepra prandaj do të ishte e palogjikshme të mos studiohej një krijimtari e tillë” tregon Shima. Ai ka ftuar adhuruesit të Kodrës të jenë të pranishëm në ekspozitë, duke kërkuar edhe një proces meditimi për pikturat dhe informacionet që fshihen pas tyre. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor.








Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk