Mitizimi i banales

Ardian Ndreca
Procesi dhe vetë ideja e çmitizimit, në sensin e vet hermeneutik, përcillet historikisht prej Etënve bollandista të shekullit XVII deri tek interpretimi bashkëkohorë i Rudolf Bultmann (1884-1976), i cili e trajton çmitizimin (Entmythologisierung) si nji proces purifikues që lejon spikatjen e mesazhit fillestar dhe origjinal të nji teksti. Çmitizimi apo demitizimi ec përkrah me mitizimin. Dikund në shkrimet e tija Mircea (Mirça) Eliade kujton sesi në nji katund rumun kishte ndeshë ende gjallë personazhet e nji historie mitike që ndërkaq kishin humbë çdo lidhje me ngjarjen në fjalë, e cila trajtohej si e pamvarun prej protagonistave.
Historianët, ata seriozët, çmitizojnë tue ndërtue, pse kanë intuitë, metodë të vlertë shkencore dhe talent. Ata jo seriozët çmitizojnë tue shkatrrue, pse në vend të intuitës kanë teorema, në vend të metodës dinamike kanë vetëm struktura nocionale, në vend të talentit kanë thjesht nji titull. E kemi pa edhe kohët e fundit sesi nji historian i huej tue dashtë me çmitizue Skënderbeun përfundoi në disa teza absurde që fluturonin shumë përtej edhe vetë premisave të tija logjike. Historiani nganjiherë i ngjet kopshtarit, që tue dashtë me tregue kujdes të tepërt për pemën nisë e ia zbulon rranjët e fillon me ia pre e me ia cungue, e pa kuptue e thanë atë.
Në qoftë se në nji krah kemi historianin që orvatet me çmitizue, në krahun tjetër nji mekanizëm kompleks – që përfshin ligjërimin, rrëfimin, interpretimin, shkrimin dhe përcjelljen e historisë – mitizon në nivele të ndryshme historinë tue e projektue atë në nji kornizë mrekullibase që e largon prej realitetit por njikohsisht e afron me realitetin vetëm nepërmjet kësaj përmase joreale.
Mitizimi i historisë asht përdorë dhe konsumue gjanësisht prej diktaturave të shekullit XX. Nganjiherë as vetë vdekja dhe madje as profanimi i mitit nuk mjaftojnë për me e shkatrrue mitin. Në përmasa krejt modeste ne kemi pasë mitizimin e Ahmet Zogut, e në këtë hulli ka lëviz politika shqiptare sa herë që e ka përdorë, n’daç për keq, n’daç për mirë. Koha e Zogut ka fitue njifarë aure tue dalë herë si nji belle époque që s’ka ekzistue asnjiherë, herë si nji kohë mjerimi, i cili ka qenë vetëm relativ; ndërsa ai vetë del herë si monark i ndriçuem, herë si nji demon. Të dyja këto përceptime i largohen përmasave reale të Zogut si shtetar, koordinatat e të cilave përcaktohen vetëm nepërmjet dokumentimin të veprimit të tij politik. Edhe me Enver Hoxhën ka ndodhë diçka e ngjashme. Sa qe gjallë, e sidomos menjiherë mbas vdekjes, figura e tij u projektue si e largët dhe e paarritshme. Vetë zgjedhja e piramidës si simbol i tiji, por edhe dhanja e emnit kooperativave që s’kishin as njiqind lopë e dhi, mbas vdekjes tregon për mitizimin e vetëdijshëm nga ana e atyne që donin me vijue me e përdorë figurën e diktatorit komunist për me përfitue politikisht sa ma shumë prej shqiptarëve.
Deri në gjysmën e viteve ’90 në Shqipni ekzistonte miti i Sali Berishës së ndershëm. Për gjanat e këqija që ndodhnin asokohe përgjegjës ishin “ata tjerët”: përfituesit, brejtësit, do arsimtarë katundesh të improvizuem burra shtetit, ish komunistat, të paaftët, megallomanët… kurse ai vetë ishte i ndershëm edhe atëherë kur gabonte, madje edhe kur bante faje të randa.
Vetë Sali Berisha ka kontribue me e çmitizue vetveten. Nji fjalë e urtë e popullit thotë se burri njihet me të vërtetë vetëm kur i rriten fëmijët. Mbas vitit 2005 prestigji i Berishës ka pësue nji ramje eksponenciale. E keqja, ose e mira e kësaj gjaje asht se atë prestigj që ai e humbte nuk e fitonte kurrkush tjetër. Kjo gja shenjoi nji zbrazti të gjatë. Mbrenda partisë së vet ky fenomen largoi çdo mundësi konkurrimi, ndërsa në arenën politike i siguroi nji jetëgjatësi të pazakonshme. Sot Berisha dhe klani i tij paraqiten tejet të konsumuem. Në fakt, ai po ra nuk bjen vetëm. Problemi asht se si do të bijnë: ndejun, në shpinë, apo thjeshtë do të konsumohet si nji surrat boret!
Që gjendja e tij politike asht kritike, pamvarsisht prej mossukseve të kësaj opozite të lodhun prej mosveprimit, e tregon fakti se Berisha po mitizohet. Njerëzit kanë nisë me mendue se ai nuk ka me ikë kurrë. Madje tash së fundit kanë fillue me i kushtue edhe kangë. Nji farë kangëtari prej Fierit, me nji za të përdredhun e me stil magjypor, i ka kushtue tash së fundi nji kangë. Qe edhe strofa e vetme e asaj kange:
“Krahët hapi kënga ime, / lart ne qiell porsi skifteri, / Hajde o Sali Berisha, / krenaria je dhe nderi”. Këto vargje nuk kanë nevojë për asnji koment. Kanga (në qoftë se do të marrim guximin me e quejtë kështu) tingllon pak a shumë si ato që rapsodët e para disa dekadave i këndonin Enver Hoxhës: “Dy luanë ka bota, / nji Azia nji Europa”, dhe: “Enver Hoxha e Mao Ce Duni / janë si buka e nji brumi”. Situata paradoksale në të cilën ndodhet sot Berisha asht se ai, edhe në qoftë se nuk e ka porositë vetë atë palo kangë, tashma nuk mundet as me e ndalue. Marria kolektive asht si lapsi i karikaturistit, përvijon në mënyrë të trashë konturet, pse kështu nxjerr në pah ma mirë esencën e figurave. Por Berisha nuk asht se kërkon kangë, as buste, e madje as ironi.
Ai kërkon që dikush ta fusin në histori si mit të paprekshëm e me garanci të plota. Pra, kërkon shumë ma tepër se tendera, privilegje të padrejta, kompromise, përfitime të paligjshme, kërkon me e shkrue historinë siç ia ka ânda atij. Por historianët që ka afër janë thjesht gazetarë, e puna e gazetarëve asht si shkuma e detit, zhbahet shumë shpejt. Shkrimtarët që i sillen nepër kambë janë përdorë aq shumë si lehësa sa që tash u asht marrë zani. I vetmi që e mitizoi qe Sabiani, nji kangëtar që s’ka as mbiemën, jo ma talent!
Por, sa kohë don për me u harrue motivi i Sabianit? E keqja asht se ai motiv nuk harrohet pse ato akorde Sabiani dhe dymijë shokët e tij të tallavasë shqiptare i përdorin në të gjitha kangët që këndojnë. Ky asht banalizimi i mitit nepërmjet mitizimit të banales. Vetëm kaq mbërrijnë me ba shqiptarët për Sali Berishën, dhe gjithsesi asht shumë ma tepër sesa ajo që ai vetë ka mbërrijtë me ba për ta.



Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk