Rexhep Qosja , enverizëm made in Kosova
Alfred Lela
Në bardhezinë e përgjithshme, a ka vend për ndërhyrje? Kjo
mund të ishte një prej kureshtive lindur pas pyetje-përgjigjeve mes gazetares
Rudina Xhunga dhe akademikut Rexhep Qosja. Bardhezi, sa me totalitarizmat e
pyetjeve, ashtu dhe përmes atyre të përgjigjeve. Një pyetje e këtij lloji, për
shembull, ishte ‘i kujt është 100-vjetori, i Ismail Qemalit apo i Ahmet Zogut?”
Atyre që janë të vëmendshëm ndaj medias mund t’ju kujtohet një intervistë e
kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në revistën ‘Java’, me
lajtmotivin ‘Pavarësia është e Vlorës, jo e Burgajetit”.
Duket sikur Profesor Qosja u thirr në studion e Xhungës për
të gardhuar me akademizëm dhe autoritet, që në fakt u kthye në totalitarizëm,
mosrehatinë e përgjithshme të së majtës me ridimensionimin e figurave të
paragjykuara e të cunguara nga historiografia komuniste. Nëse kërkohet
ridimensionimi i Ahmet Zogut, kjo nuk ka pse merret si përpjekje që paralelisht
shoqërohet me fundosjen e Ismail Qemalit. Në panteon mund të rrinë fare mirë ai
bashkë me Zogun, Nolin e Konicën. Nëse ata, në të gjallë të vet, edhe pse e
përndoqën njëri-tjetrin me fjalë e fizikisht u pajtuan, (qeveria e Nolit e pat
dënuar Zogun me vdekje), kush është Rexhep Qosja apo historiografët e tjerë,
ende komunistë, që të vazhdojnë të kërkojnë gjakun e falur të të tjerëve?!
Ka kaluar pa ndonjë spikamë në vëmendjen mediatike, por
javën e dytë të tetorit Tiranën dhe Oborrin Mbretëror e vizitoi familja e Hasan
Prishtinës. Nipi i Hasan Prishtinës u përshëndosh me nipin e Ahmet Zogut.
Ndërkohë që historiografët vazhdojnë të mos ia falin gjakun e Hasan Prishtinës Ahmet
Zogut! Sigurisht që në histori është shpërbërë ajo vija delikate mes
porositësit dhe dorasit: personazhet këmbejnë shpesh vendet; herë vetë, e herë
me shtysën e të tjerëve.
Këtë herë shtysën e madhe të dorasit të madh, Enver Hoxhës,
e bën akademiku Rexhep Qosja, një njeri i kultivuar me një të folur të butë,
profili gri dhe i druajtur i të cilit ta shkon mallin e profesorëve britanikë
të Oxford-it. Z. Qosja i tha Rudina Xhungës se Hoxha ndërtoi një shtet modern,
ndërsa Zogu ishte një despot. Nuk e di pse dukej sikur Qosja ishte thirrur bash
për këtë, për t’i vënë fre ‘ardhjes’ së Zogut në historinë shqipe dhe për të
thënë se aty është Ismali Qemali, po se po, por edhe Enver Hoxha. Në fakt, aty
janë të gjithë: mbërritja e Zogut, Mustafa Krujës, Abaz Kupit, Mit’hat
Frashërit e të tjerëve nuk përkthehet me dëbimin e Ismail Qemalit, Avni
Rustemit, Luigj Gurakuqit a ndonjë tjetri.
Por të paktën Rexhp Qosja është koherent me idetë dhe
bindjet e tij. Edhe pse është inkoherent me kohën dhe të vërtetën historike. Ai
e mbron komunizmin dhe Enver Hoxhën, e ka bërë këtë gjithmonë, por nuk e ka të
drejtën t’ua japë si model shqiptarëve shtetin e tij dhe ta quajë modern.
Luftën dhe krusmën me Enver Hoxhën e kanë pasur shqiptarët, dhe jo Rexhep Qosja
dhe enveristët e Kosovës. Dhe, kush predikon luftë duhet t’i rrijë asaj. Si
burrat. Në këtë pikë profesor Qosja takohet edhe njëherë me inkoherencën e tij.
Ai e pat kritikuar ashpër presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova për pacifizëm
ndaj serbëve. Por, kur lufta mbërriti në Kosovë, ai nuk ndenji për t’u
përballur me të, me fëmijën e tij të mendimit. Ata me aktivitet publik duhet të
kenë guximin të përballen me fëmijët e tyre të mendimit.
Comments
Post a Comment