Një vepër arti në Shkodër që sinjifikon ndërtimin mbi shkatërrimin
Është ngritur në qytetin e Shkodrës një vepër e veçantë dhe
shumë sinjifikative arti. Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë
dhe krijimit të FA Shqiptare, paraditen e datës 24 nëntor, Ministria e
Mbrojtjes në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Shkodrës zhvilluan
aktivitetin për projektin “Në shërbim të hapësirave publike”. Ky projekt është
mbështetur nga Pen State University, Neë York Academy of Arts, Ministria e
Mbrojtjes dhe Bashkia Shkodër. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: kryetarja
e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, z. Arben
Imami, kryetari i bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, prefektja e qarkut, znj.
Voltana Ademi, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu, përfaqësues nga
zyra e OSBE, deputetë, gjeneralë, si dhe shumë banorë të qytetit të Shkodrës. Aktiviteti
ka nisur në sheshin para bashkisë së qytetit, ku pas ekzekutimit nga Orkestra
Frymore e FA të Himnit Kombëtar të Shqipërisë, fjalën e hapjes e mbajti
kryetari i bashkisë, z. Lorenc Luka. Ministri Imami, duke marrë fjalën në këtë
ceremoni u shpreh: “Në verën e vitit 2010 filloi kjo punë. Punët e mira duan
kohë dhe mendoj se i kemi kushtuar kohën, mundin, dedikimin e një grupi shumë
më të madh njerëzish sesa janë rreshtuar këtu sot. Njerëz që kanë punuar me
përkushtim , inteligjencë, talent dhe kreativitet të lartë”. Procesi i
demontimit të municioneve në mesin e vitit 2012 ishte i sigurtë, që do të
shkonte me atë ritëm drejt fundit në vitin 2013, dhe po mendonim: “Mirë që po
shkatërrojmë, po a do të jemi të aftë të tregojmë që FA tona të mund të
ndërtojnë mbi shkatërrimin? A mundet që mbi predhat e Luftës së Ftohtë të
krijohen Lulet e Dritës dhe Paviglioni i Dashurisë për një kohë paqeje, për një
kohë lirie? Ne filluam bashkëpunimin me një grup artistësh shqiptarë, si dhe
ftuam disa profesorë të universitetit të Pensilvanisë, që erdhën në dimrin e
vitit 2010-2011 dhe vendosëm që t’i sjellim në Shkodër. U zgjodh Shkodra për
vendosjen e këtyre veprave, sepse është një qytet me tradita dhe shtresa
mijëvjeçare kulturore. “E sollëm në Shkodër për të bërë pikërisht këtë
ballafaqim të lashtësisë së kësaj kryeqendre mijëvjeçare të shqiptarëve dhe të
ilirëve me një vepër moderne. Prandaj dhe unë jam shumë i lumtur që kjo bëhet
në Shkodër. Jam i lumtur sepse i gjithë serioziteti, përkushtimi, talenti i
kryetarit të bashkisë, z. Luka, i Këshillit Bashkiak dhe i qytetarëve të
Shkodrës është për ta ruajtur këtë qytet të bukur dhe të mrekullueshëm. Për
këtë patëm mbështetjen e plotë të deputetëve shkodranë dhe personalisht të znj. Topalli për çka edhe ju falënderoj” -
është shprehur ministri Imami.
Në fund të fjalës së tij, z. Imami falënderoi të gjithë ata
që morën pjesë në këtë punë të madhe, veçanërisht përfaqësuesin e OSBE në
Tiranë, për të gjithë mbështetjen që ka dhënë për realizimin e këtyre veprave
artistike me pjesë nga predhat e mortajave që u demontuan. Gjithashtu, ai ka
falënderuar SHBA, për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë procesit të demontimit
të municioneve të tepërta dhe në veçanti për realizimin e kësaj vepre, e cila,
siç theksoi z. Imami, është një vepër e përbashkët e pedagogëve dhe artistëve
të universitetit të Pensilvanisë dhe Akademisë së Arteve të Bukura këtu në
vendin tonë.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, në fillim të
fjalës së saj falënderoi në mënyrë të veçantë ministrin e Mbrojtjes, z. Arben
Imami për këtë dhuratë që i kanë bërë Shkodrës në këtë 100-vjetor të
Pavarësisë. Çdo vepër arti është e bukur, është një vlerë më shumë, tha znj.
Topalli, por shndërrimi i armëve të shkatërrimit në vepra arti është diçka
shumë e veçantë. Prandaj , një falënderim shumë i sinqertë i shkon artistëve që
kanë punuar me aq dashuri dhe pasion për të bërë një vepër të tillë. Më pas,
znj. Jozefina Topalli ka nënvizuar vlerat e Shkodrës, duke theksuar se ky qytet
ka lindur për të bërë art, ky qytet jeton për artin dhe ka lindur artin.
Shkodra ka nxjerrë njerëzit më të mëdhenj të historisë, luftëtarë, ideologë,
njerëz të mëdhenj të muzikës, kulturës, sportit, letërsisë, artit, fotografisë,
është shprehur ndër të tjera ajo.
Më pas, kryetarja e Kuvendit, znj. Topalli, ministri Imami
dhe kryetari Bashkisë prenë shiritin e përurimit të veprës artistike “Lulet e
Dritës” e vendosur në lulishten para bashkisë së qyteti, si dhe vizituan edhe
veprën tjetër “Paviglioni i Dashurisë”, e cila ishte vendosur në krah të
bashkisë. Në fund, znj. Topalli dhe z. Imami, të shoqëruar nga kryetari i
bashkisë dhe mjaft qytetarë të Shkodrës, bënë një shëtitje përgjatë gjithë bulevardit kryesor të qytetit
të kthyer tashmë në një pedonale.
Veprat artistike, që u përuruan sot në qytetin e Shkodrës,
janë pjesë e projektit “Në shërbim të hapësirave publike”. Ato u konceptuan nga
artistë të njohur amerikanë: prof. John Boëman, prof. Ann Sholstrom, prof. Ward
Shelley dhe Helen O’Leary, në bashkëpunim me një grup artistësh shqiptarë dhe
nën kujdesin e posaçëm të ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami. Këto vepra
janë realizuar me materialet e nxjerra nga procesi i demontimit të municioneve
të tepërta, duke qenë jo vetëm vepra të mrekullueshme arti dhe me funksion
urban për qytetin e Shkodrës, por duke mbartur një metaforë të madhe, atë të
kapërcimit të epokave. Ato janë dëshmi e faktit se, Shqipëria po le pas
trashëgiminë e Luftës së Ftohtë duke u bërë vendi i parë i ish-bllokut
komunist, që në vitin 2013 çlirohet përfundimisht nga mbetjet e së
shkuarës. Për vendosjen e këtyre veprave
artistike, një kontribut të veçantë kanë dhënë FA, ku u angazhuan 20 forca dhe
pesë mjete nga Brigada e Mbështetjes Rajonale dhe 20 forca të Batalionit të
Këmbësorisë Malore të Vaut të Dejës.
Comments
Post a Comment