David Tukiçi: Muzika shqiptare vuan nga mungesa e kritikës!




Janë të rrallë artistët që sukseset i ndajnë me atdheun e tyre. Ky është David Tukiçi, kompozitori dhe dirigjenti i njohur i skenave si brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, prej disa dekadash. Në një intervistë për “Koha Tjetër”, David Tukiçi rrëfen punën e tij si drejtues artistik pranë Orkestrës Simfonike të RTSH-së, rikthimin e tij pas 18 vitesh në Shqipëri, qëllimin e tij për t’i dhënë muzikës shqiptare një frymë evropiane, si dhe mungesën e kritikës, një element që muzikës shqiptare i mungon së tepërmi. “Të jesh drejtor i Orkestrës së Radio televizionit, do të thotë që mos ndalosh asnjëherë së punuari, sepse orkestra dhe institucioni jonë është si një fabrikë që prodhon vazhdimisht aktivitete”, - shprehet Tukiçi. Por, ajo çka është me rëndësishmja për Tukiçin, është lidhja e tij me muzikën dhe traditën familjare. “Nëna dhe babai na kanë edukuar me këtë qëllim: Nuk ka art pa disiplinë! Rezultatet e sukseseve tona janë të lidhura me faktin se nuk shkëputemi asnjë moment nga muzika dhe punojmë gjatë gjithë kohës dhe mendja na punon për muzikën vazhdimisht”, - pohon Tukiçi. Kompozitori dhe dirigjenti David Tukiçi ka lindur në vitin 1956 në Shkodër. Deri në vitin 1992 ishte redaktor i simfonisë së muzikës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH). Ka kompozuar një numër të madh të simfonive, instrumentaleve dhe këngëve. Më poshtë në intervistë do të lexoni risitë dhe projektet në vazhdim.

Jemi në ditët e para të dhjetorit dhe ju si drejtues i Orkestrës Simfonike të RTSH-së jeni gjendur mes disa aktiviteteve... Një përgjegjësi jo e vogël?
Të jesh drejtor i Orkestrës së Radio Televizionit, do të thotë që mos ndalosh asnjëherë së punuari, sepse orkestra dhe institucioni ynë është si një fabrikë, që prodhon vazhdimisht aktivitete. Një ndër evenimentet më të rëndësishme është Festivali i RTSH-së, jo vetëm i RTSH-së, por gjithë kombit shqiptarë përsa i përket gjinisë së këngës, sepse kjo këngë që fiton këtu përfaqëson vendin tonë në “Eurovizion”. Promotori i të gjithë aktiviteteve është Orkestra Simfonike. Pra, përveç festivalit të fundvitit meqë jemi te kënga, Radio televizioni ka krijuar dhe një festival tjetër që është ai i “Këngës Popullore Qytetare”, që u realizua para dy muajve. Orkestra, meqenëse është simfonike, gjatë gjithë vitit është e mbushur me aktivitete. Madje, çdo fundjavë në sallën e Universitetit të Arteve, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ne kemi realizuar koncerte me artistë të ftuar nga vendet e botës. Në këtë drejtim Orkestra Simfonike është unike në llojin e saj, duke ditur këtë funksion jam përpjekur që të kemi aktivitete sa më cilësore.

Në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë, Orkestra simfonike e RTSH-së pati dhe 50-vjetorin e krijimit të saj. Ishte mbrëmja “Gala” që ngjiti në skenë artistë më të mirë të skenës shqiptare?
Të kesh një orkestër, që ka 50-vjet që funksionon nuk është pak! Koha është ajo që i vlerëson apo i zhvlerëson gjërat, dhe me të vërtetë koha e ka vlerësuar këtë Orkestër. Në fillimet e saj u krijua si orkestër për kinematografinë dhe për muzikën e lehtë shqiptare, e më vonë për televizionin. Me kalimin e viteve kjo Orkestër Simfonike, ka marrë drejtimin e duhur, që jo vetëm i ka shërbyer kinematografisë dhe mikrofonit, por tashmë gjallërimit të jetës koncertale në kryeqytet. Në këtë orkestër kanë dhënë kontributin e tyre kompozitorët më të mirë të skenës shqiptare si; Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Kujtim Laro, Feim Ibrahimi e shumë artistë të tjerë.

Tashmë krijimtaria juaj artistike ka arritur të depërtojë dhe të njihet në çdo skenë të botës. Sot, si i kujtoni fillimet tuaja në muzikë?
Fillimet e mija, gjithmonë lidhen me Orkestrën Simfonike, pasi pas tri vitesh stazh që bëra në Krujë dhe Laç, u ktheva në Radio Televizion si redaktor i muzikës së lehtë dhe asaj simfonike. Pas këtij 10-vjeçari si redaktor në muzikë, zgjodha të largohem për një periudhë 18-vjeçare në Itali dhe Francë. Prej dy vitesh jam kthyer në Shqipëri ku kam marrë një funksion më të rëndësishëm se më parë, prandaj përgjegjësia ime është shtuar pasi duhet t’i jap një drejtim kësaj orkestre dhe muzikës shqiptare.

Cila ishte arsyeja e rikthimit në Shqipëri pas kaq vitesh, duke parë dhe sukseset tuaja artistike në skenat evropiane?
Kur ikën në një moshë më të madhe, gjithmonë jeton me nostalgji dhe me kokën pas. Mendimet dhe zemra ime rrihnin për Shqipërinë, ndonëse unë jetoja me suksese artistike të vazhdueshme. Një tjetër arsye ishte dhe oferta që më bënë për të qenë drejtues i Orkestrës Simfonike së RTSH-së, të jepja eksperiencën që unë kisha fituar në Itali dhe Francë për 18-vite. Gjatë kësaj periudhe jo vetëm që punova si kompozitor, por u diplomova dhe në dy shkolla të vyera përsa i përket formimit të muzikës. Mendoj se kthimi im në atdhe, ishte vendimi më i saktë që kam bërë ndonjëherë, pasi muzika shqiptare ka nevojë për një eksperiencë evropiane, ka nevojë për shumë artistë, të cilët duhet të kthehen dhe të sjellin me vete eksperienca e tyre.

Si i kujtoni bashkëpunimet me emrat më të njohur të muzikës evropiane?
Gjatë këtyre viteve që isha larg Shqipërisë, jam thelluar në drejtim të kompozicionit dhe në dirigjim. Bashkëpunimi më i rëndësishëm ishte për të shkruar një opera dhe erdha dhe e vendosa në Shqipëri në vitin 2010-të “Jeta është ëndërr”, me libret Calderon de la Barca dhe ripunuar nga një dramaturg Giacomo Carbonen. Pra, puna dhe eksperienca ime e gjatë në Francë dhe Itali gjithmonë është sjellë në Shqipëri dhe të them të vërtetën këto dy vite, që drejtoj Orkestrën Simfonike kam sjell emrat më të njohur të muzikës simfonike nga Italia dhe Franca, për t’i dhënë publikut dhe orkestrës një eksperiencë të re. Këto bashkëpunime mbartin me vete një kujtim të mirë nga artistët e huaj dhe ne mundohemi ti njohim me veprat e muzikës shqiptare.

Si ekspert i muzikës simfonike dhe të lehtë, çfarë i mungon muzikës sot?
Meqenëse unë kam punuar dhjetë vjet në epokën e diktaturës dhe jam rikthyer në demokraci, ka ardhur momenti që rregullat e lojës duhet të ndryshohen. Në kuptimin që, Orkestra e RTSH-së nuk duhet të jetë vetëm e këtij institucioni, sepse kjo orkestër ka vlera më të mëdha se kaq. Nëse do të më pyesnin mua do të thoja, që është një orkestër kombëtare, pranë Radio televizionit pasi këtu i ka kushtet për të punuar. Orkestra duhet të ketë një status të ri dhe të njihet nga qeveria, por ama të jenë ato që vendosin për fatet e Orkestrës Simfonike. Sot, meqenëse Shqipëria është kandidate për të hyrë në Evropë duhet të ndryshojnë rregullat e lojës në muzikë. Të gjithë institucionet duhet të fillojnë të kenë kontrata, jo kontrata kolektive, por individuale dhe vazhdimisht me anë të konkurseve muzikantët që ngelen mbrapa të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre për publikun. Të ketë një qarkullim të gjakut, mos të ketë tromboza. Jeta është lëvizje, por dhe arti është lëvizje. Prandaj, studentët nuk gjejnë vende pune se kontratat janë kolektive dhe të përjetshme. Çdo gjë duhet parë me syrin e eksperiencave evropiane.

Koncertet dhe festivalet shoqërohen vetëm nga lavdet dhe mungon kritika e mirëfilltë. Si e shikoni këtë fenomen?
Muzika është art, por është e lidhur shumë me shkencën. Muzika ka shumë matematikë brenda saj dhe orkestra ka raporte fizike. Gjini si muzika operistike, e lehtë dhe popullore duhet se s’bën të shoqërohen me kritikë muzikore. Pra, kur luhet një vepër dhe përgatitet nga një kompozitor, duhet të ketë dhe një kritikë të përgatitur enkas për gjinitë përkatëse të muzikës. Nga eksperienca ime gjatë gjithë atyre viteve në skenat evropiane, kam vërë re se të përditshmet e shtypit i kushtojnë një faqe kritikë, emrave të njohur të gjinive të muzikës. Fjala kritikë nuk do të thotë të kritikosh për keq, por për të kritikuar për mirë. Për të nxjerrë në pah mangësitë e një vepre apo koncerti, është më tepër një sugjerim kritiku ku në raport me publikun e gjerë është më tepër një mendim orientues. Në Shqipëri, shpesh shkruhet nëpër media për koncertet dhe veprat e reja, por këto shkrime janë sipërfaqësore, vetëm japin një lajm dhe në përgjithësi nuk i hyjnë në thellësi problemeve. Duhet patjetër të ketë kritikë që të japin mendime më kualitative dhe profesional, njëkohësisht do ti bëhej mirë jo vetëm publikut por edhe institucioneve. Në Shqipëri janë disa kritikë, por që nuk aktivizohen më. Mungesa e kritikës në Shqipëri është shumë e dukshme në çdo fushë.

Një baba artistit si Ibrahim Tukiçi, ka trashëguar tek dy djemtë e tij një pasion për muzikën. Ndoshta kultura familjare ju ka ngulitur këtë rrugë të bukur arti?
Çdo gjë e lidh me familjen! Genci dhe unë jemi dy muzikantë që njihemi, por kemi dhe një motër që ka një profesion që nuk bie në sy siç është muzika, ajo është mjeke në Nju Jork. Ne në shtëpinë tonë që në vogëli jemi mësuar me rregull ushtarak përsa i përket shkollës. Për ne shkolla ishte shkollë, pushimet ishin pushime. Nuk kishte kompromis me shkollën. Nëna dhe babai na kanë edukuar me këtë qëllim; Nuk ka art pa disiplinë! Rezultatet e sukseseve tona janë të lidhura me faktin se nuk shkëputemi asnjë moment nga muzika dhe punojmë gjatë gjithë kohës dhe mendja na punon për muzikën vazhdimisht. Nuk merrem me politikë dhe nuk kam ndërmend të merrem, pikërisht se mendoj se një njeriu duhet të bëjë mirë atë profesion për të cilin ka talent. Ndoshta po të merresha me politikë do të kisha më shumë para, por nuk më intereson, pasi ajo për të cilën unë kam studiuar dhe i kam kushtuar jetën është muzika. Babai ishte një artist, pasi studioi në shkollën më të madhe të botës në Moskë dhe San Peterburg. Gjithmonë na thoshte, muzika në dukje është një profesion i lehtë, por vështirësia brenda saj është shumë e madhe, sepse muzikën nëse e le, ajo është regresive.

Cili ka qenë momenti më i vështirë dhe i bukur që ju jeni gjendur në skenë?
Jeta është lëvizje, jeta është luftë! Çdo ditë që zgjohem kam përpara një mori vështirësish dhe momentesh të veçanta. Gjatë gjithë karrierës sime muzikore kam ndjerë shpesh herë sadifaksion, por kam ndjerë edhe tension. Gjithmonë një njeri që pretendon nga vetja, është në një lloj tensioni, por shpesh herë zgjohem nga partiturat që punoj ditën. Prandaj, një njeri që dëshiron të arrijë rezultate në punën e tij duhet të punoj jo vetëm ditën, por edhe natën. Shpesh herë thuhet se kam fat, por fati vjen aty ku punohet dhe ka përgatitje.

Cilat janë projektet që do t’iu ndjekin në vazhdim?
Gjithmonë jam në një proces krijues. Kam dëshirë të shkruaj një vepër të madhe simfonike për Orkestrën e RTSH-së dhe jam në hapat e para. Puna krijimtarisë është si puna e pemës, që duhet të presësh deri sa filizi të rritet. Nuk mund ta shkruash një vepër për një kohë të shkurtër, duhet t’i lesh kohë për t’u përgatitur artistikisht.







Teatri/ “Burrneshat” në Teatrin Kombëtar të Komedisë në Tiranë

Virgjëreshat e përbetuara i rikthehen skenës shqiptare

Izaura Ndoj

Gratë që betohen se do të vdesin të virgjëra, që sillen dhe jetojnë si burra, janë në fokus të komedisë “Burrneshat”, e cila pas Prishtinës vjen premierë sonte në Tiranë. Teatri “Oda” dhe ai “Blessed Unrest”, nga Nju-Jorku me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë janë bashkuar për të tretën herë me radhë për të sjellë në jetë komedinë “Burrneshat”, me autor Matt Opatrny dhe Lirak Çelaj dhe regjisor Jessica Burr dhe Florent Mehmeti. Tradita e hershme e gruas shqiptare, sakrifica dhe personifikimi i gruas për të qenë një burrneshë, sjell në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë, artistët shqiptaro-amerikan me një rrëfim brilant. Duke komentuar për temën dhe idenë e shfaqjes por edhe për rrjedhën e punës për shfaqje, regjisori i shfaqjes Florent Mehmeti, ka thënë: “Si përherë teatri ‘Oda’, vjen me tema unike e të ndjeshme për publikun. Me këtë shfaqje kemi dashur që të paraqesim një traditë të popullit tonë, traditën e deklarimit të gruas shqiptare në burrë e të betohet se kurrë nuk do të këtë ‘punë’ me meshkuj dhe obligohet që t’i kryejë të gjitha obligimet e burrit”. Ndërsa për aktoren Ilire Vinca shfaqja rrëfen një traditë të femrave shqiptare. “Shfaqja flet për traditën e lashtë shqiptare të “Burrneshave” ku femra shqiptare ka pasur të drejtën të deklarohet mashkull, të betohet se kurrë nuk do të ketë “punë” me meshkuj dhe do të sillet e veprojë e do të kryej të gjitha obligimet që bën një burrë”. Ngjarjet e komedisë “Burrneshat” zhvillohen ne një fshat malor, në familjen e një këpucari i cili është tepër i moshuar, por ka një pasion te madh për armët. I biri i cili është emigrant në SHBA vjen për të takuar të afërmit. Së bashku me bashkëshorten amerikane, ato i kanë ndihmuar familjarët, prej vitesh por tashmë ato nuk ja dalin dot, për shkak të krizës ekonomike. Kjo është njëra anë e shfaqjes, e cila ngjall jo pak konflikt. Nga ana tjetër është figura e Medllin Ollbrajt, e cila vjen në fshat për të marrë pjesë në përurimin e statujës së saj e cila është realizuar nga daja i protagonistëve. Një ushtar amerikan dhe një reporter i “Nju Jork Times” vijnë për të mbuluar ngjarjen, ku krijohen shumë keqkuptime dhe zbulohen sekrete. Të gjitha këto vijnë në skenë përmes lojës autoriale të Sora Baek, Ilire Çelaj, Jessi Blue, Eshref Durmishi, Damen Scranton, Armend Ismajli, Matt Opatrny e Liridona Shehu. Kostumet e kësaj shfaqje i ka përgatitur Vesa Kraja kurse menaxhere e skenës është Jaimie Van Dyke.

Izaura Ndoj


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk