Mira Mezini, shqiptarja që fiton çmimin ERC prej 2.3 milionë euro
Mira Mezini, profesoreshë e informatikës në Universitetin e
Darmstadtit, Gjermani, është fituese e çmimit ERC Advanced Grant me shumën prej
2.3 milionë që akordohet nga Këshilli Evropian për Studimet Shkencore, ERC.
Ky është çmimi me vlerën më të lartë monetare që ndahet në
Evropë. Me këtë shumë parashë profesorja në fushën e informatikës planifikon të
hulumtojë koncepte të reja bazë të programimit, në mënyrë që ato t'i përgjigjen
sfidave të realitit të ri të "kalkulimit në Cloud". Ky çmim jepet nga
Bashkimi Evropian që nga vitit 2007. Me çmimin ERC Advanced Grant, Mezini është
shkencëtarja e parë e informatikës nga Gjermania që fiton një çmim të tillë
elitar. Mimoza Cika-Kelmendi me një portret të Prof. Dr. Mira Mezinit.
Me planifikimin për të ardhur në Gjermani në vitin 1989 për
mbrojtjen e temës së doktaraturës, nis edhe rruga e karrierës së Mira Mezinit,
në atë kohë pedagoge në Univeristetin e Tiranës, dega Informatikë, sot
Profesore në Univeristetin Politeknik të Darmshtatit. Trazirat që nisën në ato vite
bënë që ëndrrat e saj të shuheshin shpejt pas anullimit të të gjitha bursave
për studime jashtë shtetit për shkak të situatës politike.
Por Mira me iniciativën e saj kontakton drejtuesin e qendrës
informatike të Universitetit të Siegen-it që e kishte njohur gjatë një vizite
të tij në Universitetin e Tiranës e më pas edhe me Profesorin që do ta
drejtonte në dhënien e doktaraturës. Kështu në fund të shtatorit 1989 ajo u
gjend në Gjermani, në Qendrën e Informatikës në Siegen. Dhe këtu e ka
zanafillën e ardhmja e saj ambicioze. Fillimisht katër muaj, pastaj një vit e
kështu me radhë projekte dhe titulli Doktore e shkencave inxhinjerike. Pas
kësaj vijon një periudhë si Profesore në Universitetin Northeasten në Boston të
SHBA-së dhe që prej vitit 2002 ajo është Profesore dhe drejtuese katedre në
fakultetin e informatikës në Universitetin Politeknik të Darmshtatit, në atë
kohë Profesorja e parë femër dhe më e reja në moshë në këtë fakultet.
Pak fat në fillim dhe
vullnet në vijim ajo realizon ëndrrat
Vajza nga Tirana që kishte studiuar për informatikë në
kryeqytetin e Shqipërisë diktatoriale nuk e fsheh faktin se jo pak, atë e
kishte ndihmuar edhe fati: „Njohja menjëherë e diplomës shqiptare nga
autoritetet gjermane ishte vërtet fat, pasi më pas procedurat ndryshuan. Por
fat ishte edhe profesori i doktoraturës, i cili më ftoi në shtëpinë e tij dhe
më trajtonte si vajzën e tij. Kjo më ndihmoi shumë në atë fillim të vështirë
dhe pa përvojë“.
E mirëpritur në punën, që nisi në Qendrën Informatike të
Siegenit, Mira filloi të përballonte më lehtë sfidat që kishte përpara. Për
punën e saj shkencore dhe hulumtimet e bëra në fushën e informatikës në
Universitetin Teknik të Darmshtatit, ajo ka fituar dy herë çmimin „IBM Eclipse
Innovation Award", duke u renditur ndër pesë fituesit gjermanë të këtij
çmimi. Përmes këtij çmimi, koncerni kompjuterik IBM promovon shkencëtarët që
pasurojnë me ide të reja teoritë, metodat dhe mjetet për rritjen e
prodhimtarisë në programimin e softwarit.
Puna e saj shkencore
vlerësohet nga koncerni IBM
Inxhinjerja Mezini është autore dhe bashkëautore e disa
librave shkencorë për informatikën në gjuhën gjermane dhe angleze e respektuar
në komunitetin internacional shkencor në fushën e saj, ka drejtuar disa
konferenca dhe shoqata ndërkombëtare shkencore. Ajo është zevëndësdekanja dhe
dekanja e ardhëshme e fakultetit të informatikës dhe në bordin drejtues të dy
institucioneve shkencore.
Rruga e saj e sukseshme do të përballonte edhe një sfidë
tjetër të saj, atë të të qenit nënë e një vajze. Ishte pikërisht vullneti dhe
dëshira e Mirës që të bënte realitet edhe këtë ëndërr: „Kam pasur mendimin se
nuk do t'i përballoja dot, prandaj u bëra mama pak më vonë, se sa duhej të isha
bërë. Megjithatë tani që jam bërë mama them që gjërat me një vullnet gjithmonë
arrihen.“
Inxhinierja Mezini është autore dhe bashkëautore e disa
librave shkencorë për informatikë në gjuhën gjermane dhe angleze. Sot Mirën, që
e quan fat që ka ardhur në Gjermani dhe jeton mes gjermanëve, nuk e pengon
fakti që është shqiptare, sepse „vetë arritjet, puna ime më bëjnë të jem
krenare, edhe pse në Gjermani ka ende njerëz që kanë imazh jo të mirë për
vendin tonë“, thotë ajo.
Të qenit pedagoge,
një ndjesi shumë e mirë
Kanë kaluar më shumë se dy dekada në Gjermani, dhe Mira
përsëri e kthen kokën pas duke ndjekur nga afër auditorin e Tiranës, kolegët e
saj në këtë degë. „Më vjen keq që atje mungojnë punët kërkimore shkencore dhe
që mungojnë kushtet e mirëfillta për pedagogët dhe studentët e kësaj dege dhe
mbi të gjitha respekti i shoqërisë së sotme shqiptare për edukimin dhe punën
shkencore. Mungon kreativiteti i studentëve dhe dëshira për të bërë një mësim
më aktiv".
Mësimdhënia në gjuhë të huaj është një sfidë për Mirën. Por
ajo e adhuron profesionin e saj, faktin që punon mes të rinjve, studentëve dhe
bashkëpunëtorëve shkencorë të etur për dije dhe për të "ndryshuar
botën", konfrontimi i vazhdueshëm me ide të reja, me projekte kërkimore
shkencore që kërkojnë ta mbash trurin gjithmonë në aktivitet, thotë ajo. Për
projektet e saj në të ardhmen, ekspertja për informatikë, Mira Mezini nuk e
përjashton edhe rrugën e komercializimit.
DW
Comments
Post a Comment