Gabriel Garcia Marquez: Gjithçka përreth m’u shndërrua në letërsi



Gabriel Garcia Marquez është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës dhe ne si pjesë e saj jemi me fat që e kemi këtë gjeni të letrave dhe emocionit njerëzor ende mes nesh. Sivjet ai e festoi përvjetorin e ditëlindjes së 85-të, që këtë herë përkon edhe me 30-vjetorin e laureimit me çmimin Nobel për letërsinë. Më poshtë sjellim pjesë nga një intervistë e dhënë për ‘Paris Review’
A mendoni se një roman mund të japë më tepër se një shkrim shumë i mirë gazetaresk?
Jo. Nuk shoh ndonjë dallim mes tyre. Burimi është i njëjtë, materiali është i njëjtë, gjuha është e njëjtë dhe të dyja janë forma madhështore rrëfimtarie. Të pakrahasueshme.
A kanë përgjegjësi të ndryshme gazetari dhe shkrimtari në balancimin e së vërtetës përkundër imagjinatës?
Në gazetari edhe një fakt i vogël i rremë përmbys gjithë punën. Ndërsa në fiksion një fakt i vetëm i vërtetë i jep legjitimitet gjithë punës. Ky është dallimi i vetëm dhe ka të bëjë me anën subjektive të shkrimtarit, ashtu edhe të gazetarit.
Si keni nisur të shkruani?
Fillimisht kam pikturuar. Më pas në shkollë të mesme më doli nami se shkruaja mirë dhe të gjithë më drejtoheshin për ndihmë. Në universitet, falë formimit tim shumë të mirë letrar, isha në mënyrë të konsiderueshme mbi shokët e mi dhe në atë kohë nisa që të takohesha edhe me shkrimtarë të rinj. Një natë, njëri prej tyre më dha një libër me tregime të shkurtra të Kafkës dhe kështu nisa udhëtimin tim me “Metamorfozën”. Rreshti i parë më goditi. Isha tërësisht i befasuar: “Ndërsa Gregor Samsa u zgjua në mëngjes pas një nate me makthe, ai e pa veten tërësisht të transformuar dhe të shndërruar në një insekt gjigant”. Bëra çudi me veten se si lejoheshin njerëz që të shkruanin gjëra të tilla dhe në atë moment e kuptova që nëse do të mendoja se kjo do të lejohej, do të isha bërë shkrimtar shumë kohë më parë. Pas kësaj menjëherë nisa që të shkruaja tregime të shkurtra. Shkruaja në bazë të përvojës së leximeve dhe në atë kohë nuk e kisha gjetur ende lidhjen mes letërsisë dhe jetës. Ato u botuan në suplementin letrar “El Espectador” në Bogota dhe patën një sukses të vogël. Në atë kohë kam qenë tërësisht nën ndikimin e Joyce.
Cilat kanë qenë ngjarjet që kanë ndikuar në mënyrën e të shkruarit tuaj?
Ata që më ndihmuan të heq qafe këndvështrimin intelektual ndaj tregimit të shkurtër kanë qenë shkrimtarët amerikanë të Brezit të Humbur. E kuptova që letërsia e tyre kishte një lidhje me jetën, lidhje që nuk vihej re në tregimet e mia të shkurtra. Më pas ndodhi diçka që ishte shumë e rëndësishme. Ishte 9 prilli i vitit 1948 kur në Bogotazo u vra një lider politik dhe njerëzit dolën si të çmendur nëpër rrugë. Unë isha gati të drekoja kur e dëgjova lajmin dhe dola të bashkohem me njerëzit në rrugë. Vetëm në darkë vonë u ndërgjegjësova për vendin në të cilin jetoja dhe se sa pak lidhje kishin me të tregimet e mia të shkurtra. Nga ai moment ndryshova shumë.

Në vitet ’50, një tjetër ngjarje ndikoi tek unë si shkrimtar. Mamaja ime më kërkon që ta shoqëroja në vendlindje dhe të shisnim shtëpinë pas vdekjes së babait. Kur u ktheva në atë vend u trondita, sepse në atë kohë isha 22 vjeç dhe nuk kisha qenë aty që në moshën 8-vjeçare. Gjërat nuk kishin ndryshuar, por unë po e përjetoja këtë përvojë jo sikur po e shihja, por sikur po e lexoja. Gjithçka përreth m’u shndërrua në letërsi: shtëpia, rrugët, pemët. Nga ai udhëtim nisa menjëherë të shkruaja romanin tim të parë “Gjethet e shtrëngatës”. Atje kuptova që gjithçka më kishte ndodhur në fëmijëri kishte vlerë letrare për mua. Ishte momenti kur dëshira për t’u bërë shkrimtar m’u bë e fortë, e qartë dhe e patjetërsueshme.
Ju shpesh keni shkruar për temën e vetmisë së pushtetit?
Sa më shumë pushtet të kesh, aq më të vështirë e ke të kuptosh se kush të gënjen dhe kush të thotë të vërtetën. Kur arrin pushtetin absolut e humbet kontaktin me realitetin dhe kjo është vetmia më e madhe që mund të përjetojë një njeri. Një person me shumë pushtet, një diktator, është i rrethuar me interesa dhe njerëz që kanë si qëllim final ta izolojnë atë nga realiteti.
Po ç’mund të thonë për vetminë e shkrimtarit?
Ka lidhje me vetminë e pushtetit. Tentativa e shkrimtarit për ta portretizuar realitetin shpesh e çon në dhënien e një realiteti të deformuar. Pra izolimi të tjetërson. Gazetaria të ndihmon në mbajtjen e lidhjeve me realitetin. Kjo është arsyeja se përse kam dashur të mos e humbas lidhjen me gazetarinë. Vetmia më kërcënoi keq edhe gjatë shkrimit të “100 vjet vetmi” dhe nuk ishte vetmi shkrimtari, por vetmi fame, që i ngjan vetmisë së pushtetit shumë.
Sa e rëndësishme është disiplina për ju?
Nuk mendoj se mund të shkruash një libër pa disiplinë. Pa një disiplinë të jashtëzakonshme.
A janë ëndrrat për ju burime të mëdha frymëzimi?
 Fillimisht u kushtoja shumë vëmendje, por më pas e kuptova se vetë jeta është një burim i madh frymëzimi dhe se ëndrrat janë vetëm një pjesë e vogël e jetës. Ajo çka është e vërtetë tek unë, është se më intereson interpretimi i tyre. I shoh ëndrrat si pjesë të jetës në përgjithësi, por gjithsesi realiteti është shumë më i pasur. Unë personalisht kam ëndrra shumë të varfra.
Si i konsideroni përkthyesit në përgjithësi?
Kam një admirim të madh për përkthyesit, përveç atyre që bëjnë shumë shënime në fund të faqes. Ata kanë tendencë që t’i shpjegojnë gjithmonë lexuesit gjëra që më së shumti autori nuk i ka nënkuptuar aspak. Përkthimi është një punë shumë e vështirë, nuk të jep famë e para dhe mbi të gjitha paguhet shumë keq. Një përkthyes i mirë është gjithmonë një rikrijues i një vepre në një gjuhë tjetër. Një përkthyes i mirë është ai që e lexon librin dhe pastaj e rishkruan duke u bazuar në kujtimet dhe mbresat. Përkthyesit janë më shumë intuitivë se sa intelektualë.
Ju do të kishit dashur të përkthenit ndonjë libër?
Kur kam lexuar “Saint-Exupery” kam dashur që ta përkthej.
Fama dhe suksesi që i vijnë hershëm një shkrimtari a mund ta dëmtojnë atë?
Janë të dëmshme në çdo moshë. Do të kisha dashur që disa nga librat e mi të kishin marrë famë pas vdekjes sime. Për sa i përket famës, së pari ajo është e dëmshme, sepse të sulmon jetën private. Të merr shokët e vërtetë dhe kohën e kaluar me ta. Të izolon nga bota reale. Një shkrimtar i famshëm që kërkon të vazhdojë të shkruajë duhet që ta ruajë veten nga fama e madhe.
A e keni marrë me mend në kohën kur po e krijonit se “100 vite vetmi” do të ishte një fenomen?
Ajo që dija ishte se do të ishte një libër që do t’u pëlqente shumë miqve të mi, por kur e dorëzova dhe botuesi spanjoll më tha se do ta botonte në 8 mijë kopje si fillim, u shtanga, sepse librat e mi të mëparshëm ishin shitur pak. Pyeta se përse të mos e nisnim me më pak kopje dhe ai u përgjigj se edhe 8 mijë ishin pak. Librat u shitën për 6 muaj./zhurnal/

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk