Evis Mula: Tregoj sfidën, përballë ikonave të "La Scala"
Pasioni për muzikën ka nisur që në vogëli, duke hedhur
fillimisht hapat e parë drejtë muzikës në instrumentin e pianos dhe më pas të
studimeve për kanto. Kjo është Evis Mula, sopranoja, që ka prekur teatrin
operistik më prestigjioz evropian, të "La Scala". Në një intervistë
për "Koha Tjetër", këngëtarja lirike Evis Mula, rrëfen kthimin e saj
në skenën shqiptare me një koncert recital, eksperiencën e fituar në teatrin
"La Scala" të Milanos, sfidën përkrah ikonave të kësaj skene,
pritshmërinë e saj si këngëtare lirike, që po sfidon shumë role në opera të
vështira, si dhe projektet, që do ta ndjekin në vazhdim. "Ishte një
rikthim i imi në Shqipëri, një rikthim i Evisit për të shfaqur vlerat e saj
artistike si një këngëtare lirike", shprehet Evisi. Ajo, ishte vetëm 21
vjeçe kur preku për herë të parë skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe
Baletit, me një rol shumë karakteristik, siç ishte ai i Bess, një premierë
absolute, që erdhi në bashkëpunim me artistë amerikanë. Pas këtij suksesi në
2009-n, Evis Mula fitoi çmimin e parë në edicionin e 10-të të konkursit
ndërkombëtar "Marije Kraja", ku përmes këtij çmimi, fitoi të drejtën
për t'u kualifikuar si një ndër dhjetë këngëtaret lirike, pranë Akademisë së
Teatrit "La Scala" të Milanos, në periudhën 2009-2011, nën drejtimin
e njërës prej ikonave më të mëdha botërore operistike, Mirella Freni. Më tej
gjatë intervistës do të lexoni për një periudhë të shkurtër kohore, suksese, që
ka prekur sopranoja Evis Mula, në "La Scala".
Jeni rikthyer në
skenën shqiptare si një këngëtare lirike me një koncert recital. Si ndjeheni?
Koncerti recital titullohej, "Një mbrëmje lirike"
me sopranon Evis Mula dhe me pianisten Elda Laro, e cila erdhi enkas për këtë
koncert nga Gjermania. Ishte një rikthim i imi në Shqipëri, një rikthim i
Evisit për të shfaqur vlerat e saj artistike, si një këngëtare lirike. Përpara
se të ikja në Milano, i kisha shfaqur disa karakteristika si këngëtare lirike,
por këto tre vite në Milano, kam punuar dhe ky rikthim më bëri të tregoj frytet
e kësaj pune.
Si lindi bashkëpunimi
me pianisten Elda Laron, pasi ajo prej vitesh ka një karrierë artistike në
Gjermani?
Me Eldën jam njohur në vitin e parë kur ika në Milano,
rastësisht nga një mik i yni i përbashkët. Elda jetonte në Katania, por në atë
kohë e dëgjova se si luante dhe u dashurova me temperamentin e saj pianistik,
ku më pas më ftoi që të shkoja në Katania dhe të punonim bashkë. Pas shumë
bashkëpunimeve, na lindi dëshira për të realizuar një koncert në Shqipëri, një
rikthim të përbashkët në skenën shqiptare.
Koncerti
"dehu" publikun me veprat, që ju ekzekutuat dhe sollët në skenën e
Teatrit të Operës dhe Baletit?
Repertori ishte operistik, ku në pjesën e parë të koncertit
këndova disa romanca ruse nga kompozitorët si, Çajkovski dhe Rachmaninoff. Kjo
pjesë u përzgjodh qëllimisht pasi ja kushtova asaj, që ka qenë pedagogia ime
për tetë vite radhazi, njeriu të cilës i detyrohem shumë gjëra. Së pari
zgjedhjen e këtij profesioni dhe ajo është Nina Mula. Zgjodha këto romanca
ruse, pasi kanë qenë të parat vepra, që kemi punuar me profesoreshë Ninën, një
muzikë që ajo e ka dashur shumë dhe ma ka përcjellë dhe mua. Në pjesën e dytë
të koncertit kemi luajtur Moxart, një repertor pak më i sofistikuara dhe më pas
kemi kaluar te kompozitorët e italianë si, Verdi, Puçini etj.
Një rikthim i Evis
Mulës pas gati tre vitesh mungesë. Çfarë ka ndodhur me karrierën tuaj artistike
gjatë këtyre tre viteve në Milano?
Gjithçka nisi në vitin 2009, rreth kësaj periudhe ku
debutova në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit pasi fitova rolin kryesor
Bess të operës "Porgy dhe Bess" të autorit G. Gershwin. Bashkëpunimi
ishte i veçantë, pasi erdhi një trupë amerikane për të realizuar operën, duke
filluar nga dirigjenti, kompozitori dhe solistët kryesor. Pas operës vendosa të
merrja pjesë në edicionin e 10-të të "Marije Kraja", që zhvillohet në
Shqipëri, dhe për çudinë time u përzgjodha fituese e këtij festivali. E veçanta
e këtij edicioni, ishte se juria përbëhej nga drejtorë të teatrove të
Barcelonës, Milanos etj, të cilët u shfaqën entuziast ndaj aftësive të mija
vokale. Pas këtij evenimenti mora dy ftesa; njëra nga teatri i Barcelonës dhe
tjetri nga ai i Milanos. Zgjodha Milanon edhe pse vështirësitë ishin shumë të
mëdha për shkak të marrjes së vizës. Pas këtyre peripecive bëra audicionin
përballë trupës së Akademisë së Teatrit të "La Scala"-s, ku më
përzgjedhin si një ndër studentet e këtij institucioni. Konkursi ishte i
vështirë midis 250 të rinjve nga të gjitha vendet e ndryshme të botës dhe u
formua një grup prej 10 këngëtarë lirikë, për të studiuar për dy vjet në
"La Scala".
Me nisjen e studimeve
në Teatrin më prestigjioz siç është "La Scala", jeni gjendur përball
një sfide?
Pa diskutim që ishte një sfidë, me te cilën përballesha për
herë të parë! Ishte një sfidë, sepse të studiosh në këtë Akademi, nuk do të thotë
të studiosh thjeshtë në një shkollë të lartë. E para studimi në këtë Akademi,
ishte një master pas-universitar, një master, që ata e quajnë përsosmëria, një
shkollë që të çon drejt perfeksionimit duke të dhënë mundësinë të këndosh në
teatër. Akademia është një shkollë shumë e vështirë, çdo ditë që zgjohesh në
mëngjes, përballesh me një sfidë tjetër. Pasi kaluan dy vjet, pata fatin të
përballem me pedagogët, që dikur kanë qenë ikonat më të shquara të skenave
botërore operistike, si Mirella Freni, sopranoja që njihet si "Mimia e
shekullit" dhe këngëtarja që ka shkëlqyer përkrah Luciano Pavarottit, por
jo vetëm, një tjetër emër është Renato Bruson, tenori i famshëm italian, me
sopranon Luciana Serra, tenorin Luis Alva, etj. Në momentin e parë e kam ndjerë
vetën shumë të vogël, pasi me atë modestinë dhe kompleksin e të qenurit
shqiptare, por në art gjërat maten me aftësi dhe jo me kombësi. Aftësia është
elementi ku ato pretendojnë më shumë.
Pas diplomimit me anë
të konkursit, keni fituar disa role karakteristike. Një ndër këto ishte ai te
opera "Rigoleto"?
Në operën "Rigoleto" kam pasur rolin e Konteshës
Çoprano dhe ishte një produksion shumë i bukur, pasi erdhi përmes regjisë
klasike të mjeshtrit De Floo dhe nën dirigjimin e Gustavo Dudamel. Një pjesë e
mirë e këngëtarëve lirikë, këtë opera e kanë kënduar në disa nga teatrot më të
mirë në botë duke e sjellë në perfeksion në "La Scala", kështu që
prania ime dhe evidentimi i aftësive të mia vokale mes këtyre artistëve, ishte
arritje e madhe për mua.
Evis, vini nga një
familje me tradita muzikore, siç është babai juaj Osman Mula. Sa ka ndikuar ai
në zgjedhjet tuaja?
Fakti që kam qenë bijë arti, për mua ka qenë një lloj fati i
destinuar! Çdo gjë që ka ardhur, ka qenë rezultat i dëshirave të mija, por im
atë ka qenë gjithmonë aty për t'u konsultuar dhe për të dhënë mendimin, apo për
të kontrolluar se gjithçka po shkonte mirë pasi isha shumë e re. Ky ka qenë
fati i im i madh, që e kam pasur pranë dhe vazhdoj ta kem. Sot më pak se dikur,
pasi fakti që zgjodha operën, e bën atë më pak prezent në zgjedhjet apo
kontaktet. Im atë ka qenë kompozitor i këngëve të mija, pasi unë e kam nisur
karrierën duke kënduar muzikë të lehtë.
Fillimet e Evisit
kanë qenë nën ritmet e muzikës së lehtë shqiptare... si i kujtoni sot?
Evisi ka ndryshuar shumë. E para jam maturuar dhe
detyrimisht nga një vajzë lozonjare, tashmë e shoh botën me një sy tjetër.
Personaliteti reflekton kudo, që ti je prezent. Pas rikthimit tim në Tiranë,
kam qenë e ftuar në disa media ku më tregonin insertet me anën time si
prezantuese dhe këngëtare e muzikës së lehtë. Ajo që më bënte përshtypje ishte
se isha një vajzë ekspresive, ndërsa sot jam më e përmbajtur pasi të gjithë
energjinë, e ruaj për ta shfaqur në opera.
Pse zgjodhët muzikën
klasike si rrugë për të ecur përpara?
Që në moshën 14-vjeçare zgjodha të studioja opera, jo me
qëllimin për t'u bërë një këngëtare lirike, por për të marrë baza të forta
muzikore. Kjo dëshirë erdhi më pas në Konservator, kur fitova konkursin dhe
dola e para. Kam patur gjatë gjithë kohës një mbështetje të jashtëzakonshme nga
Nina Mula, e cila shikonte gjithmonë te unë një këngëtare të së ardhmes në
opera. Po në atë kohë kam marrë pjesë në disa Festivale të muzikës së lehtë dhe
kur ikja në Universitet, Nina gjithmonë më thoshte, pse zgjedh të jesh kaq e
shpërndarë mes muzikës së lehtë dhe asaj operistike. Duhet se s'bën të marrësh
një vendim, pasi nuk mund t'i bësh të dyja, sepse janë dy mënyra të ndryshme të
konceptuari, dy mënyra të ndryshme të kënduari. Duke patur përballë presionin e
vazhdueshëm të Profesoreshë Ninës dhe në të njëjtën kohë vazhdoja të studioja
kanton, dalëngadalë nisa të distancohesha pasi nisën të dilnin shumë këngëtarë.
Në kohën ku ju
spikatët si një talent i ri i muzikës, muzika nisi të komercializohej. Si ndodhi
me ju?
Muzikën e nisa në kohën kur filluan "Ethet e së premtes
mbrëma" dhe kisha përball moshatarë, që dinin të këndonin, siç ishte
Anjeza Shahini, Rosela Gjylbegu e shumë emra të njohur. Me kalimin e kohës,
muzika filloi të komercializohej gjithnjë e më shumë dhe të qenit
"trendy" me anë të zhveshjeve në video-klipe, të hiqnin dëshirën për
të ndarë të njëjtën rrugë. Nuk është kaq thjeshtë të jesh këngëtare, të marrësh
mikrofonin dhe të bësh sikur këndon. Kur nis të barazohesh me këto pseudo-këngëtarësh,
dalëngadalë fillon dhe zhvishet pasioni për të bërë muzikë të lehtë, sepse dhe
tregu nisi të lëvronte muzikë shumë të thjeshtë për t'u lëvruar. Në këtë kohë
nisa të zhytesha gjithnjë e më tepër tek opera. Kështu nisi rruga drejt operës
dhe "divorci" drejt muzikës së lehtë.
Para se të
largoheshit nga Shqipëria, keni patur disa eksperienca si prezantuese nëpër
evenimente të ndryshme. Si i kujtoni tani?
Prezantimi ka qenë dhe vazhdon të mbetet një pasion për mua.
Më pëlqen prezantimi, pasi ndjej se është një dhunti brenda meje rreth këtij
lloj zhanri dhe e dyta është se kur isha vetëm 16-vjeçe kisha dëshirë të
prezantoja "Top Select" ku bëheshin disa audicione të hapura. Pas
këtyre eksperiencave m'u besua prezantimi i edicionit të parë të "Top
Fest", ku nisa të punoja në televizion për një periudhë 6-mujore. Më pas
televizioni nisi të më merrte shumë kohë nga studimi dhe u detyrova të
shkëputesha paksa për t'i lënë radhën vetëm disa festivaleve apo eventeve
kulturore, që organizoheshin në atë kohë. Pas një viti u riktheva me një format
ndryshe siç ishte ai i "Netët e klipit shqiptar", një eksperiencë e
veçantë. Angazhimet e mija artistike për moshën që kisha, kishin arritur
kulmin.
Si nis një ditë e
zakonshme për ju?
Të them të drejtën tani jam më e lirë, pasi shkolla ka
mbaruar. Çdo fazë didaktike ka përfunduar për mua, tani jam një këngëtare
lirike e lirë, që funksionoj në bazë të kontratave. Momentin që kam në duar një
projekt, rri për orë të tëra dhe studioj partiturën, më pas provoj vokalin, por
ajo që nuk lë pas dore është studimi me zërin dhe në momentet kur jam sëmurë
nuk heq dorë. Studimi është i përditshëm pasi një këngëtar lirik, ka nevojë të
ushtrojë teknikën, zërin dhe veprën, që merr përsipër.
Një këngëtare lirike,
përveçse mishëron personazhin në skenë me anë të zërit të saj tregon dhe anën e
aktrimit. Sa e rëndësishme është për ju kjo pjesë?
Më shumë se paraqitja, është të krijosh personazhin që po
këndon. Sot, publiku pretendon që këngëtari të mos limitohet thjeshtë te
këndimi, por këngëtari duhet të jetë dhe një aktor në skenë. Sigurisht që të
ndihmon kostumografia, trupimi, por personazhi duhet të jetë brenda qenies
tënde, të jetosh dhe të mendosh si personazhi që je duke e kënduar. Për këtë
duhet një punë shumë e madhe, prandaj lexoj dhe shikoj shumë këngëtarë, se si
interpretojnë. Një ndër elementet e studimit është të dëgjosh dhe të shikosh
shumë nga të tjerët.
Përveç muzikës, cili
është pasioni që ju shoqëron gjatë kohës së lirë?
Sa herë kam pasur kohë, orët e palestrës janë një çlodhje
për mua. Aktiviteti fizik më bën mirë për shëndetin dhe në kuptimin estetik të
fjalës, por mbi të gjitha në çlodhjen psikologjike. Por, muzika është pasioni
im më i madh, pa lënë pas dhe pianon. Herë pas here ke nevojë të shkëputesh nga
angazhimet e përditshme në mënyrë që të bësh diferencën.
Nëse një ditë do të
kishe një ofertë për të interpretuar një vepër në Teatrin Kombëtar të Operës
dhe Baletit, do ta pranoje?
Absolutisht që po! Të them të drejtën në këtë 100-vjetor më
është ofruar të këndoja, qoftë në operën "Skënderbeu" të Prenk
Jakovës, por nuk pata mundësi pasi isha jashtë Shqipërisë. Oferta kam patur nga
TKOB-i, por do të doja që të vija për publikun shqiptar me operën "La Bohem".
Cilat janë projektet
e ardhshme, që do t'iu ndjekin jashtë skenës shqiptare?
Me operën "Rigoletto" që patëm premierën në
Milano, do të nisim një turne në Tokio si trupë e teatrit të "La
Scalës" dhe ky do të jetë një impenjim i Teatrit ku kam kontratën. Më pas
kam në plan të bëj një tjetër koncert recital me një tjetër repertor, duke
bashkëpunuar me një pianiste dhe këngëtar shqiptar. Çdo gjë ia lemë kohës.
Izaura Ndoj - Koha Jone
Comments
Post a Comment