Kadare, ngadhnjyesi i epokave dhe mendësive



Ismail Kadare vazhdon të mbetet sfidues. Koha dhe ai rendin. Përreth, shtjella mendësishe dhe mllefesh, inatesh dhe xhelozishë, kuturisin refuzimin për të.  Kolegë dhe lexues janë ndarë në kampe. Pjesa më e madhe është vendosur në transhenë e kundërshtarëve. Gjithnjë ka zjarr në këtë front. Ai vazhdon të jetë në mes. Vepra e tij  gjithashtu ndërkallet dhe shugullon përmes kësaj atmosfere “tymi” dhe “baruti”. E prapseprapë ai është aty, në mes, duke ecur. Krah për krah vepra dhe fama e tij. Edhe në këtë 77-vjetor të lindjes ai është këtu. Na ofron papushim lëndë për të kumtuar. Dhe rend me anatemën e njeriut dhe shkrimtarit.  Të hënën, Ismail Kadare, njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, mbushi 77 vjet. Kadare u lind më 28 janar 1936, në Gjirokastër. Është fakt se që nga vitet e 60’a Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit shqiptar. Ismail Kadare është autor i shumë poezive e prozave, laureat i shumë çmimeve kombëtare, disa herë kandidat për çmimin Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale. Vepra e Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë, i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ai është autor i disa romaneve, të cilat cilësohen legjenda të letërsisë shqipe, si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer në të paktën tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perëndive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", “Kronikë në gur”, “Kështjella”, "Dimri i madh", etj. E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin nga një këndvështrim i ri të temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani "Dimri i madh" (1977). Edhe poezia e Kadaresë konsiderohet si njëri prej zhvillimeve më novatore në letërsinë shqipe të gjysmë shekullit të fundit. Në këtë mes, vlejnë t5ë përmenden veprat "Frymëzime djaloshare" (1954), "Ëndërrimet" (1957), "Ëndërr industriale" (1960), "Shekulli im" (1961), "Poemë e blinduar" (1962), "Përse mendohen këto male" (1964), "Shqiponjat fluturojnë lart" (1966), "Motive me diell" (1968), "Koha" (1976), "Shqipëria dhe tri Romat", etj. Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së kaluarës, dhe evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzave që e ndoqën ndër shekuj, përfshirë këtu edhe akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën, dhe peng i saj. Përpos çmimeve të tjera të shumta, në vitin 2005 Kadare ka fituar edhe çmimin "The Man Booker Prize", dhe është dekoruar nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009 ai u nderua me çmimin e madh spanjoll "Princi i Asturias për Letërsi".

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk