Marguerite Duras, Letrat e dashurisë për Yann-in
Mmargarite “Vera ishte e keqe, nuk pihej. E pimë. Pastaj ju
u kyçët gojën sikur po kërkonit të gjenit se si të ma thonit atë që kishit për
të më thënë”. Këto rreshta, i shkroi në një pusullë për Yann Andrean, aktorin
që e kishte njohur gjatë xhirimit të filmit “Agatha”. Teksa mundohej të fuste
aktorin kryesor të këtij filmi brenda rolit të krijuar prej saj, padashur Duras
e afroi atë më shumë me veten. Ajo qëndron pas kamerës dhe e përdor atë si një
mjet për ta zotëruar dhe sunduar aktorin kryesor, i cili i hedh hapat e parë me
vështirësi. Ajo sillet autoritare ndaj tij. “Ec kështu, shih tek unë, mos u
shtir kurrë, shih vetëm tek unë, unë jam kamera”. Marguerite e drejton Yann-in,
e tjetërson, duke e bërë të futet me mish e me shpirt në imagjinatën e saj. Kur
të gjithë largoheshin nga sheshi i xhirimit, ata të dy mbylleshin në dhomën e
errët, duke dëgjuar detin, duke bërë dashuri e duke biseduar. Por, lumturinë e
suksesit të filmit më 1981 ajo nuk e shijoi, pasi është vrarë nga ndarja me
Yann. Atë e bën të vuajë mungesa e dëshirës së tij. Ka përshtypjen se mohohet
si femër dhe njëherazi mendon se këmbëngulja për ta dashuruar atë, gjithashtu
është pjesë e historisë së tyre. “Po mendoj përsëri për ne të dy, për dhomën e
errët, vendin e shurdhët, ku prej disa muajsh gjejmë çdo ditë atë ferrin e
veçantë, lumturinë e dashnorëve të mërguar…”. Ajo thotë më kot se në moshën e
saj nuk duhet të shpresojë më asgjë. Në të vërtetë, ndihet fajtore për
gjithçka. Fajtore që është femër që është plakë, që nuk di të provokojë, që ka
dëshirë të gjendet fare pranë tij. Natën ajo e mbyll derën e dhomës. “Nga kjo
anë, mos kini më asgjë frikë. Tashmë nuk shkoj deri atje. Ju jeni ndryshe. Ne
ndryshojmë në pikën ku shfaqet ndryshimi më i madh, në seksualitet”. Më tej i
shkruan “Jeta juaj largohet prej meje pa forcë, pa i lënë asnjë mundësi zërit
të dëshirës së të tjerëve”. Atëherë ajo fillon të punojë rreth pamundësisë për
të jetuar bashkë, të pranojë të patolerueshmen, të mbajë zi për seksualitetin e
saj, në një kohë kur, gjithsesi, shpreson se nëpërmjet shkrimeve mund ta kthejë
atë. “Duhet të shkruaj për këtë dashuri të çmendur që na lidh, të dënuar të
vdesim prej saj. Po të shkruaj gjë tjetër, për mua do të ishte njësoj si të mos
shkruaj. Tani, për mua të shkruaj do të thotë të shkruaj për ju, do të përpiqem
ta bëj këtë, do të shkruaj për veten lidhur me ju…”. Në një tjetër letër ajo
shkruan: “Kisha fshirë shtëpinë. Kisha pastruar gjithçka para varrimit tim. Nuk
mbetej më asnjë gjurmë jete, asnjë shenjë, pastaj thashë me vete, do të filloj
të shkruaj që të shërohem nga gënjeshtra e një dashurie të vdekur, kisha larë
plaçkat, nja tri–katër gjëra, gjithçka ishte e pastër, trupi, flokët, rrobat e
mia, kisha larë dhe vendin ku mbylleshin të gjitha edhe trupi edhe rrobat, pra
dhomat, shtëpinë, parkun”.
Librin “Njeriu atlantik”, Marguerite e shkruan vetëm për të
mbajtur Yann-in. Në një letër të gjatë dashurie dhe dëshpërimi, ajo shtjelloi
dhimbjen e thellë të kësaj dashurie, por njëherazi nuk kërkon ta prishë atë.
Ndërsa alkooli e bën dëshirën e saj më të rrëmbyer, më të ndezur. Ose t’i jepet
dëshirës, ose të shkruajë. Ose t’i jepet dëshirës, ose të vdesë. E gjendur
midis një rrethi të vogël adhuruesish fanatikë, Marguerite mendon se mundet
ende t’ia kthejë dëshirën e dashurisë fizike një mashkulli, që nuk i do gratë,
beson se mund t’i ndryshojë qeniet. Duke qenë e prerë dhe autoritare, Duras
mund të bëjë ndere, por nuk mund të detyrojë askënd që ta dëshirojë atë.
Atëherë, nëse lidhja midis tyre nuk është seksuale, çfarë natyre ka? Pas kaq
vitesh vetmie, ankthi, gati për t’u çmendur, Marguerite nuk mund të ndahet nga
ky i ri që është futur befas në jetën e saj. E megjithatë ai kërkon t’ia mbathë
përsëri. Atëherë ajo i shkruan: “Le të qëndrojmë prapë bashkë. Ajo dhomë është
e jotja. Nuk mund ta duroj idenë e ndarjes sonë. Mendoj se do të ishte gabim.
Edhe sikur midis nesh të mungonte dëshira, ndarja jonë do të ishte fatkeqësi.
Sonte fjeta pranë teje pa as dëshirën më të vogël për ty, dhe natyrisht, kjo
nuk varej nga unë. Pra, është e mundur të rrimë bashkë. Je i lirë. Bëj çfarë të
duash. E vetmja gjë që kërkoj prej teje është të mos mbash këtu uiski, të mos
mbërrijmë deri tek çmenduria vrasëse e asaj nate, kur u tmerrova. Si ti, ashtu
edhe unë, nuk i kemi shpëtuar ferrit të luftës. Ne u vramë. Unë jam krejtësisht
e dërrmuar, nuk di ku ta vë trupin, nuk di se si mund të mbahem ende gjallë”.
Cilin dashuron vërtet Duras, atë apo personazhin që ka krijuar e që madje i ka
shkruar para se ta takonte? Ajo mendon ta zëvendësojë atë. “E di se kjo natë e
fundit na ndan përgjithmonë, mbase do t’i shkruaj një njeriu tjetër, që do të
jetë në vendin tuaj. Gjithçka ka vdekur, është goditur, madje dhe dëshira që
kemi pasur për njëri-tjetrin në të kaluarën. Mori fund. Në botë jeni vetëm, pa
mua. Jeni i lirë. Ligjërata e hidhur që mbajtët mbrëmë për lirinë është dhe
fundi i historisë sonë…thatë gjithashtu se ju pëlqente më shumë jeta që bënit
para se të lidheshim bashkë. Sapo kam jetuar në një territor të rrethuar nga dy
gënjeshtra dhe më vjen keq për gjithçka qysh nga dita e parë, domethënë më vjen
keq për atë që nuk ka qenë dhe unë kam kujtuar se ka qenë”. Me filmin “Dialog
nga Roma” me metrazh të shkurtër, xhiruar sipas një porosie të “Rai”-t,
Marguerite sjell një përsiatje poetike në një sfond luftërash dhe apokalipsi,
një bashkëbisedim midis një burri dhe një gruaje që synojnë të ndahen me
mirëkuptim. Në Romë, Marguerite filmon pamje të qytetit, por çdo lëvizje e lodh
tej mase. Është vetëm dhe ndihet e mjerë. Mos ka lidhje Yann-i me subjektin e
këtij filmi, mos është frymëzuar nga jeta që bënte me të? Me sa duket, po. E
përfshirë nga dëshpërimi Duras filmon dhimbjen e pashërueshme të dashurisë. Nuk
ka asnjë ide, asnjë skenar. Filmon që t’i krijojë vetes përshtypjen se
ekziston. Kjo të ndihet në film, një film fjalëshumë, i gjatë, i errët. Ajo do
të kishte dashur ta filmonte Romën, por nga mesi i xhirimit kupton se është e
pamundur. Natën nuk fle mirë. Në dhomën e hotelit ngjitet për të fjetur shumë
vonë, me disa shishe verë të bardhë, që e dehin. Ketë herë, Yann-i është
zhdukur. Ajo pret prej tij ndonjë letër por ai nuk i dërgon asgjë. Kur kthehet
në Paris, filmin e xhiron në një gjendje ankthi dhe trullosje të thellë. Nuk e
përmban më pijen. “Pimë ngaqë jemi të humbur”, thotë ajo. Nuk ka më asgjë për
të humbur. Ç’të bëjë tjetër? Të vdesë? Të shkruajë? Niset për në Neauphle.
Shkruan ose në katin sipër, të dhomën e saj, ose poshtë, pranë pianos, ose në
hyrjen e madhe pranë derës së jashtme, ku dikur ishte hambari i të korrave.
Yann rikthehet. Ai e gjen atë në një gjendje të mjerueshme.
Takimi i tyre i parë u bë një kafene. Flasin për çdo gjë, përveç shëndetit. Ajo
i flet atij për Izraelin dhe nuk pushon së piri. Para se të largohet, ai thotë
se duhet të fillojë një kurë kundër alkoolit. “Ajo dëshiron të vdesë, herë
kërkon të dijë për spitalin ku do të shtrohet, e sërish fillon të pijë”, do të
shkruante Yann në shënimet e tij. Ai do t’i qëndrojë pranë duke e shpëtuar nga
vdekja. Kohë më pas, gjatë provave të “Savannah Bay”, Marguerite shfaqet si e
kthyer nga ferri. Ajo e rimerr tekstin pa u lodhur, bashkë me aktorët duke
dëgjuar muzikën e fjalëve, duke ripunuar ndonjë fragment të paqartë. Është e
çuditshme, e gëzuar dhe këndon këngën e Piaf-it. Vallëzon në skenën e zbrazur
duke murmuritur: “Është çmenduri që të dua, i dashuri im, i dashuri im”. Yann-i
qëndron i ulur pranë saj, i vëmendshëm, i druajtur dhe mbrojtës…
Gazeta Shqip
Comments
Post a Comment