Perplasja e gjeneratave, moshat ku thyhet kultura dhe respekti
A ju duket se gjeneratat e reja janë gjithnjë e më të
pakulturuara? Këtë gjë e konfirmon edhe një hulumtim i bërë kohëve të fundit.
Sipas tij, ka fare pak gjasa që të rinjtë e sotëm t’ju pyesin për shëndetin,
t’ju përshëndesin në rrugë, t’ju lirojnë ulësen, të japin bakshish...
Hulumtimi i portalit YouGov – i realizuar në 1,000 të
anketuar – i cili si pjesë të popullatës së re i konsideron personat me moshë
mes 18 dhe 34 vjeç, i konfirmoi të dhënat për të cilat ka kohë që flasin
njerëzit më në moshë. Në të vërtetë, sipas hulumtimit, ka fare pak gjasa që të
rinjtë e sotëm t’i përshëndesin fqinjët e tyre, apo të lirojnë një ulëse për më
të vjetrit, shkruan ditorja britanike ‘Daily Mail’. Po ashtu, është shumë pak e
mundur që ata t’i ofrojnë një pije një punëtori që punon diçka në shtëpinë e
tyre – siç bënin dikur prindërit e tyre, dhe aq më pak që të lënë bakshish
diku. Fqinjët injorohen nga rreth 35 përqind e pjesëtarëve të këtij grupi,
krahasuar me 15 të atyre me moshë mbi 55-vjeçare. Mundësia që një ulëse brenda
nje mjeti të transportit publik t’i lirohet një gruaje shtatzënë është më e
vogël se 17 përqind, ndërkohë që mundësia që e njëjta t’i lirohet një të
moshuari është edhe më e vogël, vetëm 12 përqind. Përderisa 83 përqind e
personave me moshë mbi 55 vjeçare thonë se punëtorëve që vijnë për të kryer
ndonjë riparim në shtëpitë e tyre do t’i ofronin një pije, këtë gjë do ta bënin
më pak se gjysma e të rinjve të anketuar.
Dhënia e bakshishit është dhe një element tjetër i
analizuar, i cili i dallon gjeneratat e reja nga ato më të moshuarat. Së
këndejmi, mundësia se do të mund të merrni ndonjë bakshish nga të rinjtë është
për 41 përqind më e vogël sesa mundësia që atë ta merrni nga një person më i
moshuar. Psikiatri, dr. Clive Sherlock, pohon se këto ndryshime në sjellje
paraqesin një dëshmi të qartë se shoqëria po bëhet gjithnjë e më vetjake dhe me
më pak respekt ndaj të tjerëve. “Njerëzit tani janë shumë më të preokupuar me
vetveten, dhe ata gjithnjë e më pak brengosen për njerëzit e tjerë. Kjo bashkësi
[e të rinjve] është e prirë që të mendojë vetëm për forcimin e vetë material.
Ky rregull për ta është shumë më i rëndësishëm sesa kujdesi për shëndetin e
fqinjit. Pra, respekti njerëzor ndaj vetes ka rënë shumë, e bashkë me të edhe
respekti ndaj ndjenjave të njerëzve të tjerë”, thekson Sherlock.
Për këtë dukuri dr. Sherlock, veç tjerash, fajëson edhe
teknologjinë e gjithëpranishme, e cila, sipas tij, i inkurajon njerëzit që të
përkujdesen vetëm për veten, por edhe që të mos vërejnë shumëçka përreth.
Comments
Post a Comment