Dren Abazi: Më pëlqejnë femrat me karakter të fortë e që kanë respekt për veten
Yllka Selita
Ai është jo vetëm kompozitor i këngëve të tij, por edhe i shumë
prej kolegëve të tjerë, ky është kantautori Dren Abazi, i cili në një
bashkëpunim të tijin të fundit me këngëtaren Ledina Çelo, ka korrur një tjetër
sukses në karrierën e tij muzikore. Megjithëse ka edhe një orkestër të tijën me
të cilën ka nxjerrë edhe këngë të tjera, duket se Dreni suksesin më të madh, e
ka në bashkëpunime me këngëtaret femra, kujtojmë këtu edhe këngën me të cilën u
bë shumë i njohur edhe këtu në Shqipëri, “Ti dhe unë”, një duet me këngëtaren e
njohur Anjeza Shahini. Në këtë intervistë të dhënë, Dreni tregon si lindi bashkëpunimi
me Ledinën dhe çfarë ka vlerësuar ai në këtë bashkëpunim. Ndër të tjera,
kantautori tregon se pas një pune të madhe që ka bërë me albumin e tij
“Afterparty”, Dreni do të bëjë një pauzë, por për t’u rikthyer me këngë dhe
klipe të reja.
Ju keni festuar
ditëlindjen javën e shkuar. Cila është dhurata më e bukur që morët?
Megjithëse jemi në një moshë, që në të vërtet nuk na bëjnë
shumë përshtypje dhuratat, përsëri unë do të veçoja njërën. Dhurata që do ta
veçoja, ishte ajo që më bëri nëna ime. Ishin një palë syze dielli që jo vetëm më
pëlqyen, por edhe më emocionuan, pasi ishin bërë nga njeriu më i dashur në botë,
që është nëna.
Ju kemi parë së
fundmi si kompozitor i këngës së Ledina Çelos, si lindi bashkëpunimi mes jush?
E gjithë kjo, nisi nga një telefonatë që më bëri Ledina. Ajo
kishte dëgjuar disa këngë të tjera që kisha kompozuar unë më parë dhe në veçanti
i kishte pëlqyer kënga "Ti dhe unë", ku jam në duet me këngëtaren e
mirënjohur Anjeza Shahinin. Ideja ishte, që Ledina donte të vinte në ekranet
shqiptare më ndryshe, pasi kishte disa vite që ajo kishte munguar në një farë mënyre
nga muzika. Normalisht, që nga momenti kur m’u bë ftesa, për mua ishte një kënaqësi
që të punoja me një këngëtare si Ledina.
Mund të veçoni diçka
që ju ka bërë përshtypje nga bashkëpunimi juaj?
Po sigurisht që puna me njerëz të ndryshëm, normalisht që kërkon
qasje të ndryshme ndaj tyre dhe punës me ta. Të punoja me një këngëtare profesioniste
si Ledina Çelo, ishte shumë e këndshme dhe e lehtë njëkohësisht. Ajo që mua më
bëri përshtypje për hir të së vërtetës ishte përgjegjësia, profesionalizmi dhe përkushtimi
që kishte ajo në punë. Cilësi, që nuk të ndodh t’i gjesh tek shumë njerëz sot.
Në të vërtetë kënga
"Më ndez", ishte një këngë shumë ndryshe nga ato që jemi mësuar të dëgjojmë
nga ju dhe nga Ledina...
Pikërisht kjo ishte ideja dhe ne ia arritëm qëllimit, me të
cilin nisi edhe bashkëpunimi ynë. Të gjithë ishin mësuar ta shihnin Ledinën me këngë
më ritmike, të rrymës dance etj,etj....Kësaj radhe ideja ishte të bënim diçka më
ndryshe..Titulli pastaj, mund të interpretohet në disa mënyra.
Po ju çfarë vlerësoni
më shumë tek një femër?
Më pëlqen më së shumti dhe është pikërisht kjo që më bie në
sy që në pamje të parë, të qenit vetvetja dhe jo një manekin apo një person i
shtirur. Më pas, më pëlqen dhe vlerësoj shumë karakterin e fortë tek një femër
dhe për të mos iu nënshtruar askujt.
Dhe çfarë nuk
honepsni dot tek seksi i kundërt?
Pikërisht të kundërtën e kësaj që thashë më lart. Nuk honeps
dot femrat që në radhë të parë s’kanë respekt për veten dhe kjo vjen sigurisht,
pasi ju mungon krenaria. Sepse, nëse dot kishin më shumë respekt për veten, do
të ishin në radhë të parë krenare për atë çka janë dhe në këtë mënyrë ju rritet
edhe vlerësimi për veten. Kjo është shumë e rëndësishme për çdo njeri në fakt,
pavarësisht se çfarë seksi është. Duhet të kesh respekt për veten, në mënyrë që
të tjerët të kenë respekt për ty.
Ju keni një shtatlartësi
për t’u admiruar, jeni marrë ndonjëherë me sport?
Jo vetëm që jam marrë, por edhe sot merrem me sport gati
rregullisht. Për një periudhë kohe kam qenë edhe futbollist dhe kam luajtur për
klubin e Prishtinës. Por s'mendoj se kjo ka të bëjë me gjatësinë apo ka ndikuar
që unë të jem i gjatë. Unë mendoj se është më shumë gjenetike, pasi të gjithë
pjesëtarët e familjes sime, janë njerëz kryesisht të gjatë.
A ju është dashur që të
sakrifikoni ndonjë gjë për muzikën?
Mund të them se më është dashur të sakrifikoj disa gjëra, jo
vetëm një. Por një gjë është më e rëndësishme për mua, nëse i shoh sot
sakrificat që kam bërë, nuk jam bërë asnjëherë pishman për to. Besoj, ia ka
vlejtur gjithmonë, sepse muzika është pasioni im më i madh. Dhe kur ka pasion
dhe dëshirë për të arritur qëllimin që i ve vetes, sakrificat të duken gjëra të
vogla para asaj që do të arrish.
Nëse do të ktheni kokën
pas, a ka diçka për të cilën jeni penduar që e keni bërë, apo që nuk keni
mundur ta bëni?
Çdo njeri normal me kalimin e kohës fillon të mendojë
ndryshe, për gjërat që ka bërë dhe për ato që mbase nuk ka bërë në jetë. Kjo
ndikon edhe në faktin që ti mund të pendohesh ndonjëherë për gjërat që ke bërë
apo për ato që s'ia ke dalë dot. Por e rëndësishme në jetë është që të bësh pikërisht
atë, për të cilën ndihesh mirë, edhe pse kjo ndonjëherë, mund të jetë edhe e gabuar
ndoshta.
A do ju shohim këtë
vit, pjesëmarrës në ndonjë nga festivalet qe organizohen?
Besoj që po. Me siguri që do të jem në ndonjërin prej festivaleve
që organizohen, por ende s’kam vendosur se ku saktësisht ...Për mua nuk ka rëndësi
shumë emri i festivali që do të jem pjesëmarrës, pasi më e rëndësishme është
fakti që kënga të jetë e bukur dhe të pëlqehet nga publiku.
Cilat janë projektet
tuaja më të afërta?
Ka pak kohë që kam përfunduar një nga projektet më të rëndësishme
për shumë këngëtarë, që është pikërisht bërja e një albumi të ri. Posa kam
hedhur në treg albumin e ri "Afterparty" dhe është e natyrshme që pas
kësaj pune intensive dhe me përkushtim, të bëj një pushim, sado të vogël....Por,
sigurisht që do të ketë këngë dhe videoklipe të reja nga unë. Pastaj siç e thashë
edhe më lart, besoj se do të më shihni edhe ne ndonjërin prej festivaleve të
radhës...
.
Comments
Post a Comment