Rosela Gjylbegu: Tallavanë e tallin pikërisht ata që e kërcejnë
Karakterizohet nga një talent dhe thjeshtësi e lindur. Në skenë, në punë, në rrugë, me kolegët, publikun… Rosela Gjylbegu mbetet një nga këngëtaret më të dashura dhe origjinale të muzikës së lehtë shqiptare. Viti 2012 ka qenë mjaft i suksesshëm për të dhe jo më pak i mbarë duket se ka nisur edhe 2013. Pas lançimit me klip të këngëve “Formula e dashurisë” (bashkëpunim me Sinan Vlasalliun), “Pafundësi” dhe pjesëmarrjes me “Dëshirë” në Festivalin e fundvitit në RTSH, Gjylbegu premton edhe surprizat e radhës, por siç është edhe natyra e saj… pa u ngutur. Ndiqni intervistën që i dha suplementit “Koha Tjetër” në “Koha Jonë”.
Në aspektin profesional, 2012-ta duket se ka qenë një vit
mjaft i suksesshëm për ju. Po muajt e parë të 2013-ës si kanë nisur?
Është e vërtetë që 2012 ka qenë një vit i suksesshëm në
aspektin profesional. 2013-ta mendoj se, ka nisur qetë dhe me përgatitje të
planeve për të sjellë diçka të re e të freskët për publikun.
Me çfarë po merreni momentalisht, përveç punës në
Kuvendin e Shqipërisë? Keni ndonjë material në dorë që po punon?
Sigurisht që unë kam një jetë aktive dhe i gjej gjithmonë
punë vetes, ndaj sigurisht që puna në administratë ka rëndësinë e vet dhe pjesa
tjetër e ditës më pas është me angazhime të tjera, si pjesëmarrje në aktivitete
të ndryshme, koncerte, por gjithashtu edhe me projektet e reja muzikore, që
shpresoj do të jenë gati shumë shpejt.
Pas suksesit që patët me “Formula e dashurisë”,
bashkëpunim me Sinan Vlasalliun, më pas me këngën “Pafundësi”, si dhe me
pjesëmarrjen e fundit në Festivalin e RTSH-së, cila do të jetë surpriza e
radhës?
Unë gjithmonë përpiqem të sjell diçka ndryshe në treg, të
re, të freskët, por edhe koherente, ndaj s’dua të flas para kohe, sepse gjërat
janë ende në fazë përgatitore, por uroj që çdo gjë të jetë gati në kohën e
duhur e të pritet mirë nga publiku, pasi ky është qëllim im dhe i çdo artisti.
Sa për qind të suksesit tuaj ia dedikoni bashkëpunëtorëve?
Pa diskutim që bashkëpunëtorët zënë një vend të rëndësishëm
në suksesin e këngës që unë lançoj. Kam fatin të punoj me artistë shumë të mirë
dhe të përgjegjshëm, ndaj më lehtësojnë edhe mua shumë gjatë punës, por
gjithashtu janë edhe garanci për të nxjerrë në pah një këngë të mirë, me
cilësi, jetëgjatësi dhe që të mirëpritet nga publiku.
Shquheni për një raport të mirë me publikun, e veçanërisht
me dashamirësit e muzikës që ju bëni. Cili është sekreti i këtij suksesi
Rosela?
Nuk e di. Është pak e vështire kjo pjesa që unë duhet të
flas për veten, por me sinqeritet di t’ju them se, përpiqem të jem thjesht UNË.
T’i jap zë ndjenjave dhe emocioneve të këngës, t’ia transmetoj publikut sa më
mirë këtë. Ndoshta kjo është një mënyrë e mirë për të qenë sa më afër dhe e
vërtetë ndaj tyre.
Një mënyrë e mirë promovimi dhe kontakti, me të cilat
personat publikë komunikojnë me fansat e tyre janë edhe rrjetet sociale, si FB,
Twitter, What’s Up, etj.. Po ju sa e dhënë jeni pas tyre?
Po. Tashmë kjo është mënyra më e mirë për të qenë në kontakt
me dashamirësit dhe njerëzit që ndjekin e duan këngët që këndoj unë.
Personalisht përpiqem të jem prezente aq sa mundem e t’u përgjigjem e t’i informoj
ato për daljet e pjesëmarrjet e mia dhe them që është një mënyrë shumë e mirë
për të publikuar mesazhet, apo edhe për të të njohur më mirë ato që ndjekin
faqet tona.
U ktheni përgjigje të gjithë mesazheve, apo komenteve që
merrni në FB?
Mesazheve përpiqem t’ju përgjigjem gjithmonë. Komenteve jo
gjithmonë, sepse s’më premton koha.
Cili është mesazhi, apo komenti më i bukur që keni marrë
në rrjetet sociale?
T’ju them të drejtën marr shumë mesazhe në ditë dhe më
besoni ka edhe nga ato që më prekin e ndjehem aq e lumtur që arrij të depërtoj
në zemrat e njerëzve. Gjithashtu ndjej edhe shumë përgjegjësi për të bërë
gjithnjë e më tepër këngë të mira, për të qenë koherent me kohën e shijen e
publikut. Mesazhet që më kanë emocionuar janë aq shumë, sa s’do dija të veçoja,
por meqë më jepet rasti, i përshëndes dhe i falënderoj të gjithë ndjekësit e mi
në FB, për mbështetjen, kënaqësinë dhe kohën e tyre që më japin tek më
shkruajnë e tek komunikojnë me mua.
Sa kohë shpenzon në FB?
Aq sa kam mundësi. Edhe pse shpeshherë më ndihmon vëllai im
që është po ashtu administrator i faqes. Kur unë e kam të pamundur të publikoj
diçka ia delegoj atij, por pjesa tjetër është nën mbikëqyrjen time. Pra, aq sa
kam mundësi rri në FB, nuk jam e sëmure pas tij, në kuptimin që të fiksohem.
Si këngëtare, tashmë e afirmuar në skenë mund të na
thoni, si e shikoni nivelin e muzikës shqiptare, atë të viteve të fundit?
Unë përpiqem të jem sa më e kujdesshme për të dhënë
opinione, sepse gjithsecili ka të drejtë të bëjë çdo gjë. Nuk dua të gjykoj
askënd. Jetojmë në një vend të vogël dhe po kalojmë ato faza në muzikë, që i
kanë kaluar të gjithë. Të paktën flas për Ballkanin. Koha dhe publiku kanë për
të treguar vlerën e secilit prej nesh. Sado që, për momentin në muzikën tonë
kanë hyrë ca zhanre që po e shkatërrojnë vlerën e muzikës mendoj se kjo gjë do
te jetë momentale. Njerëzit do dinë të kuptojnë e të vlerësojnë atë ç’ka
vërtetë mbetet.
Hyn në shijet e tua muzika “tallava”?
Jo. S’është në shijet e mia aspak, por them se është kthyer
në modë kohët e fundit. Të gjithë e qeshin, apo e përflasin, por të gjithë sapo
i dëgjojnë tingujt e parë çohen e kërcejnë. Absurde, por e vërtetë. Ky është
realiteti, por jam optimiste se, me kohën gjërat do ndryshojnë dhe vlerat e
vërteta të muzikës së bukur s’do të bien kurrë.
Kujt ia dedikoni suksesin tuaj Roselë?
Prindërve të mi. Ato kanë bërë çdo sakrificë, çdo përpjekje
që mua të mos më mungojë asgjë dhe që unë të jem këtu ku jam sot, ndaj u jam
mirënjohëse atyre deri në pafundësi.
Si nis një ditë e zakonshme për Roselën dhe kur përfundon
ajo?
Krejt zakonshëm. Zgjohem herët për të shkuar në punë dhe më
pas pasditja ime është në varësi të situatës. Mbase kam një aktivitet, më duhet
të udhëtoj për diku, mbase duhet të regjistroj ndonjë këngë për ndonjë emision
ku jam e ftuar, ose ndonjë intervistë. Nëse jo, atëherë kam kohë për vete, për
të shkuar në shtëpi, për t’u çlodhur, ose për të dalë me miqtë e mi. Ndoshta
pak sport dhe kështu vjen darka, ku përpiqem të lexoj diçka para se të fle dhe
kështu nis dita tjetër.
Hobet e tua?
Sporti, noti, të lexoj. Nëse ka diçka të bukur në Teatër
përpiqem të shkoj patjetër, ose në kinema.
Fundjava e preferuar, jashtë Tirane, në Shkodër, mal, apo
bregdet?
Fundjava e preferuar jashtë Tirane. Në Shkodër shpeshherë,
por edhe në Durrës më pëlqen dhe më shijon shumë me miqtë, familjen.
Raporti yt me leximin, librat?
I dua shumë librat dhe në familjen tonë ka një bibliotekë
gjigande. Sa herë që kam kohë ulem dhe lexoj me shumë qejf.
Cili ka qenë romani i fundit që keni lexuar?
Momentalisht kam në duar romanin “Hija e Erës” të Zafon.
Jeta e natës. E frekuentoni?
Nuk kam kohë t’ju them të drejtën. Daljet e mia janë me
raste.
Prej disa sezonesh keni qenë pjesë e “100 Këngët e
Shekullit”. Si e cilësoni këtë eksperiencë Roselë?
Shumë e kënaqur dhe e nderuar që kam qenë pjesë e disa
puntatave në këtë sezon, po ashtu edhe në sezone të tjera. Është një
superspektakël, me shumë cilësi dhe përkushtim nga producentët, të cilët i falënderoj
që më kanë bërë pjesë të këtyre netëve.
Cilat janë ndjesitë që përjetoni teksa këndoni hitet më
të mëdha të muzikës së mirëfilltë shqiptare?
Oh… një kënaqësi të papërshkrueshme, por edhe përgjegjësi
për t’i risjellë ato sa më korrekt, duke marrë parasysh që janë kënduar nga
artistë që kanë bërë epokë në muzikën tonë shqiptare.
Projektet, diçka konkrete në muzikë?
Po punoj për një këngë të re. Jam ende në fazë përgatitore,
ndaj s’po flas para kohe. Shpresoj të sjell diçka të mirë e të pëlqehet.
Comments
Post a Comment