Eva Alikaj: Ambicia ime artistike jashtë Shqipërisë, suksesi i djalit tim



E qeshur dhe plot nostalgji për çdo gjë në Shqipëri, aktorja Eva Alikaj rrëfen për suplementin “Koha Tjetër”, rikthimin e saj në skenën shqiptare si prezantuese e stinës koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH-së, lidhjen e saj me djalin Xhino dhe muzikën simfonike, si dhe rikthimin në një film shqiptar. “Ka qenë në fakt, një dëshirë e kahershme për të prezantuar një koncert ose një festival dhe aq më tepër një koncert të muzikës klasike. Personalisht muzika klasike më tërheq shumë edhe për faktin se djali im është muzikant”, - thekson Eva Alikaj. Kur ishte vetëm 21 vjeç, aktorja Eva Alikaj fitoi kupën si “Aktorja më e mirë” e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin “Njeriu i mirë” (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar. Edhe në teatër ka një fillim shumë të mirë, me rolin e Xhulietës në tragjedinë “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit. Vazhdon të luajë me sukses në film, duke u vlerësuar me çmime. Linda tek “Shirat e vjeshtës” (1984) i dhuron Medaljonin e Festivalit VI, Etleva tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988) - Çmimin e Dytë. Role të tjerë janë Ilona në “Botë e padukshme” (1987), Ana në “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Evgjenia në “I paharruari” (1984), Drita në “Vendimi” (1984), Irena në “Hije që mbeten pas” (1985), Edlira në “Stolat në park” (1988).

Orkestra Simfonike e RTSH-së ju rikthen në skenën shqiptare me një projekt mjaft të veçantë, siç është ai i prezantueses. Si ndiheni në këtë rol?
Jam edhe unë vetë kurioze se si do të shkojë koncerti. Ka qenë në fakt, një dëshirë e kahershme për të prezantuar një koncert ose një festival dhe aq më tepër një koncert të muzikës klasike. Personalisht, muzika klasike më tërheq shumë edhe për faktin se djali im është muzikant. Kur gjatë kohës ndjek fëmijën tënd, natyrisht që fillon e edukohesh më tepër dhe fillon dhe shijon më tepër! Ideja për të prezantuar çeljen e stinës koncertore të RTSH-së, ka qenë e David Tukiçit, ku rastësisht u takuam në një koncert dhe më shprehu këtë projekt në rolin e prezantueses. Në fakt ishte një e papritur, edhe pse si ide më pëlqeu, sepse më ngacmonte një nga ëndrrat e mija që i kanë pasur shumë vajza të reja. Në fakt, këtë propozim nuk e mora dhe shumë seriozisht, kur vetëm para një jave David Tukiçi më telefoni dhe më tha se çelet stina koncertore e Orkestrës së RTSH-së. Natyrisht që ftesën e pranova me kënaqësi edhe pse nuk pretendoj të bëj çudira, pasi unë jam aktore. Por, në vetvete kam një kënaqësi dhe kuriozitet dhe më duket si një aventurë e vogël, që jo rrallë të bie në dorë.

Një rikthim në skenë jo si aktore, por si prezantuese, mund të cilësohet një sfidë për ju?
Pa diskutim që është një sfidë. Unë do të përpiqem të ngelem tek ujërat e mija, të jem e natyrshme dhe modeste. Merita e këtij koncerti i takon Orkestrës Simfonike, edhe pse unë kam një pjesë të vogël dhe patjetër, që i jap më tepër ngjyrë këtij koncerti.

Duke qenë një nënë e një violinisti të talentuar, besoj se jeni dhe pjesë e atij publiku që jeni prezent në çdo koncert. Si janë raportet tuaja me djalin?
Tani bëj pjesë tek ai publik që nuk shkoj shpesh në koncerte, pasi djali është më i pavarur, por gjithmonë jam në kontakt. Mund të them se djali momentalisht studion në vitin e parë në Universitetin e Vjenës. Mund ta them pa modesti, jo se është djali im, ai tashmë është një talent i lindur, pasi të gjithë pedagogët që e ndjekin, e kanë pohuar këtë fakt. Në këtë moment, jam në një pozicion të tërhequr, sepse është dëshira e tij që të ecë vetë, pa ndihmën e askujt.

Si e priti lajmin, që ju do të jeni pjesë e një koncerti simfonik?
U gëzua shumë dhe për faktin se David Tukiçi tha se, “Nëse ai është vërtet kaq i talentuar, unë do ta ftoj në skenën shqiptare vitin që vjen”. Kultura muzikore që ka studiuar, më ka bërë dhe mua të jem një fanatike e kompozitorëve si; Shtraus Junior, Shubert, Shumann apo kompozitori Erich Wolfgang Korngold, një pjesë e të cilit është quajtur “Straussiana”, e cila në Shqipëri është premierë. Muzika klasike është art elitar, është një fat që tashmë jam bërë pjesë e kësaj sfide dhe përvoje të re për mua. Në Vjenë shkoj në shfaqjet e teatrove të ndryshme, por kjo nuk ma heq aspak dëshirën për të parë edhe operat, që shfaqen në TOB. Me ardhjen në Tiranë, pata fatin të shikoj operën “Toska”, e cila më pëlqeu shumë dhe më vjen shumë mirë që publiku shqiptar është aq i kultivuar, me gjithë mundësit shumë më të pakta që janë këtu.

Me çfarë po merreni momentalisht?
Rastësisht brenda një jave më erdhi propozimi i dy filmave, njëri ishte komedi, ndonëse prej vitesh ka qenë heshtje, papritur më erdhën dy filma. E lexova skenarin e filmit komedi dhe roli nuk më përshtatej edhe pse prej vitesh kam dashur t’i rikthehem një komedie. Kurse rolin në filmin “Amaneti” të Namik Ajazit e pranova, pasi është një rol shumë i bukur dhe shumë i vështirë, ndonëse është tepër dramatik dhe siç thash do ma kishte më tepër enda një komedi, sepse edhe njerëzit kanë nevojë të qeshin më shumë sesa të qajnë. Edhe pse ka shumë vite që nuk luaj në film, për mua është një kënaqësi e madhe edhe për faktin se publiku më do, po mbi të gjitha është një film shqiptar. Me shumë interes është në këtë film dhe fakti që operatori i filmit, është Nino Celeste, operatori italian i serialit italian “La Piovra 1” i Damiano Damianit në mos gaboj, gjithashtu grimierja është italiane dhe komplet stafi, është shumë simpatik. Deri tani, di që një nga partnerët e mi kryesorë është Amosi, një djalë që siç thonë, është shumë i talentuar, pasi është djalë i një aktoreje aq të talentuar si Yllka Mujo. Shpresoj që publiku të arrijë të kënaqet me lojën tonë.

Cila ishte arsyeja pse u larguat nga Shqipëria, mos ndoshta nuk ishit e plotësuar artistikisht?
Nuk jam larguar asnjëherë përfundimisht nga Shqipëria! Fakti e tregon që jam këtu. Përsa i përket plotësimit artistik, kam qenë dhe do të jem vetëm në Shqipëri e plotësuar. Asnjëherë nuk kam patur ambicie të bëj karrierë jashtë shtetit, asnjëherë, pavarësisht nga pjesëmarrjet e herë pas hershme. Ambicia ime artistike jashtë Shqipërisë, ka qenë suksesi i djalit tim. Skena e teatrit dhe ekrani i kinemasë shqiptare, më kanë plotësuar dhe do të më plotësojnë gjatë gjithë kohës.

Ekranit shqiptar i keni munguar prej kohësh. Mendoni se do të jepni maksimumin tuaj në këtë film?
Nuk them që është një rol që nuk diskutohet! Nëse në fillim e lexoj skenarin dhe e shikoj që roli më përshtatet dhe mund ta realizoj, nuk shikoj vështirësi. Në këtë rol do të jap gjithçka dhe do përpiqem ta justifikoj çdo gjë që pritet, si nga autorët e filmit dhe sidomos nga publiku.

Si e kujtoni komedinë “Pallati 176”. Kur e shikoni ndjeni nostalgji për këtë shfaqje, që edhe sot publiku e adhuron?
Ndonëse e shoh rrallë, më pëlqen shumë dhe është vërtetë e goditur! Kur e shikoj më kalojnë në mendje të gjitha momentet mbrapa skene dhe çdo detaj që kemi kaluar në kohën e provave deri në ditën e premierës. Tani pas kaq kohësh, mund të them se ne kemi qenë aktorë të frymëzuar dhe punonim me një pasion të jashtëzakonshëm, i cili na është shpërblyer me dashurinë dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme që pati publiku, vite e vite me radhë. Pas kaq vitesh, jam e lumtur që i kemi bërë të qeshin dhe të harrojnë vuajtjet.

Mendoni që në një të ardhme të afërt t’i ktheheni teatrit të komedisë?
Patjetër, nëse do të kem oferta, pse jo! Më pëlqen shumë komedia dhe mendoj që nuk luaj keq në këtë zhanër.

Po përsa i përket teatrit, keni menduar të jeni prezente më shpesh?
Në fillim të sezonit artistik në Teatrin Kombëtar, janë bërë audicionet për kastin me një regjisor amerikan për veprën “Ëndrra e një nate vere”. Nuk pata fatin të isha këtu në atë moment për arsye shëndetësore, edhe pse do kisha dëshirë të luaja në teatër, aq më tepër se ishte një Shekspir. Fakti që regjisori i kësaj vepre është amerikan, mua nuk më intereson kaq shumë, pasi më pëlqen bashkëpunimi me regjisorët shqiptarë, pasi e kam shuar këtë kureshtje, jashtë Shqipërie. Sidoqoftë, do të ishte një përvojë e mirë.

Si e shikoni sot zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare pas kaq vitesh?
Personalisht, unë nuk ndjej atë frymëzim që kam ndjerë më parë dhe për këtë, më vjen keq! Unë nuk mund të gjykoj, ndoshta me objektivitet, por një mikesha ime që ka qenë e pasionuar pas teatrit, para ca kohësh më tha “Teatri nuk është në stadin kur ju interpretonit në skenë. Shumë pak herë e frekuentoj”. Teatrit i ka humbur magjia edhe pse arsyet duhet të jenë të ndryshme dhe nuk më pëlqen t’i komentoj. Për momentin, teatri nuk është në lulëzimin e tij, por shpresoj shumë të jetë një fazë kalimtare.

Galeria e personazheve tuaja, tashmë evidentohen edhe nga publiku. Kë do të veçonit si më mbresëlënësin gjatë këtyre viteve karrierë?
Përsëri do të ndalem tek roli im i parë, tek filmi “Njeriu i mirë”. Për mua ai film në atë kohë ishte një magji edhe për faktin se isha shumë e re, për faktin se roli m’u përshtat shumë, një fakt tjetër që ishte Vangjush Furxhiu. Filmi u vlerësua me çmim të parë. Unë e quaj veten me fat që kam luajtur përkrah ikonave të filmit shqiptar dhe teatrit në atë periudhë dhe më vjen keq për aktorët që nuk ju jepet asnjë mundësi. Ndërkaq, role të tjera që më kujtojnë shumë nostalgji, janë roli në filmin “Treni niset 7 pa pesë”, i riparë nga një këndvështrim mund të them se është një rol i realizuar mjaft mirë. Një tjetër rol, është ai i Zhulietës, ndonëse nuk ka qenë një ndër rolet e mia të preferuara, më pëlqen. Një rol i rëndësishëm është për mua edhe roli i Martës tek “Kush ka frikë nga Virginia Wolf”. Ajo që mund të them në këto momente të karrierës sime artistike është; të gjitha rolet që kam interpretuar, i kam punuar me shumë dashuri dhe jam përpjekur t’iu jap jetë, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Një publik, i cili nuk më le asnjëherë në baltë.
Izaura Ndoj

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk