Festa e Karnavaleve të Shkodrës, “100 vjet Pavarësi-100 orë Karnavale”
Festa e Karnavaleve të Shkodrës, “100 vjet Pavarësi-100 orë
Karnavale”, aktivitetet e së cilës startuan te shtunën, ku ishte e pranishme
edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar sot me ditën e dytë të
saj. Njëri prej organizatorëve kryesorë të spektaklit të karnavaleve, Edmond
Angoni, i cili është edhe administrator i punishtes së prodhimit të maskave me
qëndër në Shkodër, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, tha se “karnavalet e këtij
viti, të cilat që do të zgjasin për
katër ditë, janë planifikuar të zhvendosen në mjedise të ndryshme të
qytetit të Shkodrës”.
Sipas tij, mospërqëndrimi i aktiviteteve vetëm në qëndër të
qytetit duke u shpërndarë edhe në zona të tjera të qytetit, është një përpjekje
për rikthimin e kësaj tradite të hershme që ka pasur komuniteti i Shkodrës,
prej më shumë se 130 vitesh. Pas ditës së parë ku aktivitetet u zhvilluan
rrugën pedonale “Kol Idromeno” të qytetit të Shkodrës, sot përmes një
parakalimi nga sheshi qëndror i qytetit drejt hyrjes së qytetit, janë
stacionuar në sheshin pranë Bexhistenit, një tjetër histori e traditës së
mirëfilltë të këtij qyteti. Këtë radhë, karvanit të gjatë të karnavaleve i janë
bashkuar edhe karrot alegorike, ndërkohë që krahas interpretimit artistik nga
aktorët më në zë të qytetit, të pranishmit e shumtë kanë pasur rastin të
shijojnë edhe gatimet karakteristike shkodrane pranë tendave të ngritura
posaçërisht për këtë ditë.
Aktivitetet kushtuar festes së karnavaleve do të vijojnë
edhe për dy ditët e tjera në vazhdim, ku dita e fundit, ajo e së martës së 21
shkurtit, do të shoqërohet me një Mbrëmje Gala me maska në mjediset e Teatrit
“Migjeni”, gjatë së cilës do të shpërndahen edhe çmime të rezervuara nga
organizatorët për grupet më të mira pjesëmarrëse të kësaj feste.
Comments
Post a Comment