ISMAIL KADARE, PËRBALLË MOSMARRËVESHJES SHQIPTARE




Artan Mullaj
E gjendur mes kundërshtive, në sundim apo edhe në liri, Shqipëria ishte dhe vazhdon të jetë simboli i një dhimbjeje. Përparimi  i natyrshëm i saj në drejtimin e duhur, shpesh nuk ka rezultuar i tillë. Si e gjendur në një tërheqje litari, mbi të cilin, Shqipëria zhvendosej herë nga Lindja osmane herë nga Perëndimi, ajo shqyhej gati në mes prej dilemave të shumta. Vështirë të gjendet një komb tjetër në planet me një paqartësi orientimi të tillë, ndërsa edhe në robëri, edhe në liri, kjo paqartësi ngre krye edhe sot, në formën e një furie gjykimi: do të ndjekë Shqipëria civilizimin perëndimor, përkushtimin, idealin e hershëm të Skënderbeut, apo joshja e Lindjes osmane, otomanizmi, do ta tërheqë për së fundmi në një tundim të ri.
I frenuar jo rrallë prej pushtetit të mentaliteteve dhe nostalgjive, trazimi i ndërgjegjes së kombit shqiptar, ka qenë një nga veçoritë që e kanë veçuar dhe e kanë dalluar midis kombeve të tjera të kontinentit, më shumë se kufijtë tokësorë, dhe më shumë se sundimet. Si e shpërndarë nëpër shekuj, beteja e egër për të bërë marrëveshje me vetveten, ka sjellë një polarizim të pakorrigjueshëm të njeriut shqiptar. Si një përçarje gjenetike, ky polarizim jo rrallë shfaqet si një mallkim edhe në ditët tona, të politikës modern. “Vullneti për të ndenjur bashkë”, që përmend Kadareja, në ribotimin përfundimtar të “MOSMARRËVESHJES”, si një kusht themelor i mbiqenies së kombit shqiptar, duke qenë i zëvendësuar me të kundërtin e vet, me “mosvullnetin, përbën rrezikun më të madh të shqiptarëve. Koha ka treguar se ky rrezik buron drejtpërdrejt nga brumi i tyre.
Ngaqë duke u rralluar, zërat e emancipuar në Shqipëri çdo ditë e më tepër shndërrohen në psherëtima, madje edhe më keq, ngjajnë me pëshpërima njerëzish të bezdisur nga vetëpërjashtimi i tyre nga çështjet e mëdha, aq më shumë Kadare gjen arsye të trazojë me librin e tij përgjumjen shqiptare, duke përdorur pushtetin e tij si një planetar i kulturës botërore: Kjo është një orvatje ciklonike për të ngjallur dashurinë e vështirë të bashkëkombësve të tij për veten dhe vendin e tyre.
(Dhe, nëse kjo orvatje ka bezdisur një pjesë të atyre që janë ndier të “provokuar prej nacionalizmit” të shkrimtarit dhe që guxojnë të analizojnë rolin dhe veprën e tij, si një aventurë mbi shinat e ksenofobisë, kjo nuk përbën një problem. Por nëse sulmi bëhet thjesht e vetëm për shkak të asgjëje, për shkak të mungesës së talentit, apo dhe për arsye të tjera, (xhelozira, mllefe), ose nëse ky sulm bëhet për shkak se, mediokër ose jo, sulmuesit janë pjesë e një klani apo i shërbejnë një doktrine të caktuar, kjo aq më pak përbën një problem).
* * *
Përkufizimit se kombi si koncept përbëhet prej “baltës”, “gjakut” dhe “vullnetit për të qëndruar bashkë”, që Kadare përmend te “Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, mund t’i shtohet natyrshëm edhe një element tjetër: “Ndjeshmëria kolektive” për kultet, mitet, figurat, heronjtë, legjendat. Pa asnjë dyshim, patriotizmi zë fill pikërisht në këtë ndjeshmëri. Shqipëria do të kishte dalë kokulur nga nata osmane, sikur përtej saj, mos kalëronte mes dritës së lavdisë Skënderbeu me kalë. Do të ishte si një pemë degëtharë, nëse rilindësit patriotë nuk do të kishin ndier dhe nuk do të kishin folur ashtu si folën e shkruan.
Ato çka supozohen si “kode sigurie” për një komb, pra, kujtesa, historia, heronjtë, mitet edhe figurat, shqiptarët i kanë pasur dhe i kanë ende të pakta. Dhe dihet që sa më pak lavdi, simbole, legjenda, sa më pak histori, sa më pak heronj, sa më pak mite, aq më i brishtë, aq më i vrazhdë, aq pa imunitet, aq më i sertë, aq më i rrezikuar është një komb, e ardhmja e tij. Kjo “pakësi” dhe kjo “qasje ç’patriotike”, aq më shumë përbëjnë arsye që shqiptarët të marrin seriozisht historinë, heronjtë dhe lavdinë e tyre dhe të kujdesen për mitet e tyre, si kujdesen për një gjë të shtrenjtë e të rrallë; kjo brishtësi kombëtare motivon me sa duket edhe shqetësimin e Kadaresë për përfaqësimin, për rolin që duhet të ketë ai, si përfaqësues i shqiptarëve në planet, dhe për rolin apo përgjegjësinë që duhet të kenë të gjithë bashkëkombësit e vet. Jo rrallë në historinë e tyre, shqiptarët janë ndëshkuar për papërgjegjshmëri në raport me vetveten. Mosdakordësinë e Kadaresë me këtë papërgjegjshmëri, shqetësimin e tij të sinqertë për Shqipërinë që vuan, që hesht, që duron, disa përpiqen, në fillim ta trajtojnë e më pas edhe ta shesin si nacionalizëm të sëmurë. “Mosmarrëveshja” provokon vëmendje pikërisht për këtë gjë. Qartazi, si një mallkim, patriotizmi u mungon shqiptarëve sot, e sidomos rimohuesve, aq sa, gati i tmerruar, gjeniu ynë ka zgjedhur të rrezikojë etiketimet që i vihen, duke i rënë kambanës së një rreziku që kërcënon jo aq lavdinë e tij personale, sa rrezikon kombin e tij. Konkretisht, ajo që nga disa etiketohet sot si “Nacionalizëm”, nuk është veçse patriotizmi i natyrshëm i një shkrimtari që vështron larg dhe analizon thellë për të zgjuar të tjerët. Duke dashur t’u delegojë bashkëkombësve krenari të shëndetshme për veten, për historinë e tyre, synon pikërisht atë për të cilën u përkushtuan edhe rilindësit tanë: frymëzimin kombëtar, dashurinë për veten, për historinë e paqartë, për të mëdhenjtë, për heronjtë e pakët…
* * *
Nëse duhet dhënë një shpjegim për arsyen e mbrojtjes së një miti, kujtesa e errët, mjegulla e historisë, armiqësitë, të gjitha këto  janë të mjaftueshme që, lavdia e shpërndarë mes heronjve që nuk ekzistojnë, të justifikojë ngutjen e Kadaresë për ta shkarkuar të gjithë këtë lavdi mbi të vetmin legjendar që ka kombi shqiptar, Skënderbeun…
“Rezonimi i kundërt” i famës së Nënë Terezës nga thellë misionit të saj murgëror, ndërsa shqiptarët nuk shquhen për ndjeshmëri të epërme fetare, (por as kombëtare), mbase është shkaku që shqiptarja më e famshme, duke qenë larg një miti, mbeti në përmasën e një simboli të shenjtë, nga ku, megjithatë, me përndritjen e saj, kultivon jo më pak frymëzim për shqiptarët.
Përfytyrimi se midis kombeve të tjera, të reja e të vjetra, vendi ynë përfaqësohet sot druajtshëm me mitin e mjegullt të Gjergj Kastriotit dhe me shenjtërinë e largët të Nënë Terezës, vërteton edhe më shumë këtë gjë: Duke mos qenë të mjaftueshëm për historinë e një populli (nga më të vjetrit në Europë), të shndërruara njëra në mit,(Skënderbeu) tjetra në simbol(Nënë Tereza), që i bashkon gjuha, origjina dhe pamundësia e vendit të tyre për t’i merituar, këto figura nuk janë shumë, por nuk janë as pak.
Ndërkohë që mbi figurën e Skënderbeut është hedhur mjegull, pas një sulmi të pakuptimtë, që vjen kryesisht prej antishqiptarisë, Kadare te “mosmarrëveshja” synon të betonojë lavdinë e një miti, duke i krijuar një mit, mitit të Skënderbeut. Duke e përdytësuar këtë mit, për të shpërndarë mjegullën e papërgjegjshmërisë, shkrimtari lëshon me nervozizëm një rrufe mes verbërisë shqiptare: “Njerëz, krenaria nuk vjen vetiu; ajo vjen veç duke mbjellë embrionin e saj në “baltën” dhe “gjakun” tonë”.
***
Shumica e shqiptarëve e ndiejnë qartësisht shkrimtarin Ismail Kadare, si një figurë pranë figurave të përmendura më sipër. Duke qenë i treti në radhë, ai ndodhet sot pranë mitit të Skënderbeut, për shkak të madhështisë, dhe afër shenjtërisë së Terezës,  për shkak të krenarisë që si krijues planetar, u frymëzon shqiptarëve. I pezmatuar, i sinqertë, i vetmuar si gjithmonë në madhështinë e vet, i gjendur në mes, Kadare është pranë krijimit modest të një përfaqësimi. Përfaqësimi është vetëm një hap larg krijimit të një miti: Krijimit të një miti i paraprin përherë madhështia, por ky mit nuk mund të jetë në finalizim, sa kohë lufta për ta ruajtur atë(madhështinë) nuk ka mbaruar…
Marrëveshja e shkrimtarit me veten, me Kadarenë e së shkuarës, shpërndarë mes madhështisë dhe marrëveshja me Kadarenë e së ardhmes, shpërndarë në lavdinë e çka zakonisht mbetet pas, është vazhdim i një pështjellimi psikoartistik që i paraprin krijimit të një miti… Mund të supozojmë se edhe në këtë ribotim, sprova letrare “Mosmarrëveshja”, në njëfarë mënyre, zbulon vetëdijen e shkrimtarit të madh që nxiton të shkojë drejt mitit…. Në këtë libër paralajmërohet modestisht afrimi i një miti të ri shqiptar, pikërisht përmes dilemës së gjeniut, se bashkëkombësit e tij nuk do të jenë të aftë të shpërndajnë hirin e famës dhe madhështisë së tij nëpër shekuj, sikundër kanë bërë në kohën e tyre, grekët me Eskilin dhe Aleksandrin e madh, anglezët me Shekspirin dhe Robin Hud-in, por nuk kanë bërë sa duhet shqiptarët as me Skënderbeun..
* * *
Thesar intelektual i shqiptarëve, shkrimtari sillet në vëmendje me një natyrë të dyfishtë. Kadareja tokësor, Kadareja me tepri patriotizmi për kombin e tij, shkrimtari që disa e quajnë edhe racist(ç’mënyrë barbare për të sulmuar madhështinë!), nga njëra anë dhe artisti hyjnor, në anën tjetër: të tillë e bën talenti dhe madhështia. Kadareja i vdekshëm, si çdo njerëzor, dhe Kadareja i përjetshëm, midis brezave që do të vijnë. Ashtu si Skënderbeu, ashtu si Nënë Tereza, pasi ka kaluar kufijtë gjeografikë të Shqipërisë, është gati të kalojë barrierat e vrazhda të historisë së saj. Për krenarinë e shqiptarëve, i gjendur mes të mëdhenjve, Dantes, Shekspirit apo Hygoit dhe shkrimtarëve të tjerë botërorë, në perceptimin shqiptar ai përfytyrohet si në një komunikim mbretërish, që shpirtërisht, por edhe djallëzisht, tinës vdekshmërisë së kësaj bote, kanë gjetur fijet e tyre, lidhjet, ngushëllimin, pas dëshpërimit që ka qenë e pamundur të gjenin njëri-tjetrin në shekujt e tyre, në epokën e tyre, në gjuhën e tyre, në madhështinë e tyre…
Por, nëse në sjelljen e tij tokësore ka diçka thelbësore që bie në sy, padyshim që kjo nuk është nacionalizmi. Është tjetër gjë, është shmangia: Mosmarrja pjesë sa duhet e Kadaresë në përditshmërinë e mërzitshme të shqiptarëve. Kadare u tangeton detajeve të tranzicionit shqiptar, nuk flet për to konkretisht. Është zhgënjim apo mosshpresë ajo që e shtyn të rrijë heshtur në qoshe? Ndoshta është një mënyrë që ai ka zgjedhur për të ndëshkuar papërgjegjshmërinë e liderëve të tranzicionit, që po shkatërrojnë vendin e tij. Gjeniu konstaton, por nuk analizon dhe as akuzon drejtpërdrejt klasën politike shqiptare të ç’meritur prej korrupsionit dhe ndotjes së moralit, për të ndriçuar shkaqet e kësaj ndotjeje.
Si drita e një makine fashit një fushë të errët në kthesë, edhe zhvëmendja e tij prek kalimthi sprovën shqiptare të demokracisë…
Shkrimtari nuk ndalon aty, si udhëtari i lodhur dhe i etur nuk pi ujë në burimin e turbullt.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk