Heroi tragjik dhe konfliktinë katër tragjeditë e Shekspirit



Që nga fillimi kritika për Shekspirin ka qenë në raport sinonimi me kritikën e heronjve të tij, të cilët domosdoshmërisht paraqiten brenda kontekstit historik, social, politik dhe të imagjinuar. Heronj të njohur që vijnë në situata të veçanta. Shekspiri njohu mirë audiencën të cilës i drejtohej me karakteret e tij të çmuara. Ai solli situata aktuale të asaj kohe, duke i sprovuar vlerat sociale në të gjitha kontekstet, që në përgjithësi në teatrin Elizabetian ishin të mirëpritura për audiencën e kohës. Personazhet kryesorë i pajiste me epitete të heronjve të mëdhenj të cilët tundoheshin nga fati, fatkeqësia, vendimmarrja e gabuar, si dhe paaftësia për të shmangur veprimet e tyre të cilat gjithashtu ishin të ndërlidhura me kontekstin social. Situata të atilla ku personazhet paraqiten të motivuar, të udhëhequr nga ndjenjat dhe që veprojnë në afekt, e cila i bënë ata të duken herë si heronj të pazëvendësuar, herë injorantë që nuk arrijnë të kapin situatën në duart e tyre, siç e kemi Hamletin, hezitimin e tij dhe dilemën e pashpresë ndaj obligimit të madh dhe të tejçmuar në shoqërinë në të cilën ai i takon, si imazh i përvetesishëm dhe i nevojshëm. Kjo e bën edhe më të ndjeshëm komunikimin me audiencën që siç duket për ta, paraqitjet e tilla skenike flasin vetë, një imazh të paqëndrueshëm, një situatë e brishtë, plot aktivizëm, eufori dhe ndjenja. Ku ngjyrimi artistik dhe ai përshkrues i japin edhe më shumë kohezion veprimit të tejskajshëm në aktivitetin letrar të tij, i cili bëhet edhe më i qartësuar në skenë kur Shekspiri vjen në teatrin Elizabethian me heronjtë tragjikë.
Heronjtë tragjikë në tragjeditë e Shekspirit janë heronjtë që kanë famë dhe pozitë të mirë sociale. Nuk janë thjesht heronj të rastit, që papritmas ballafaqohen me fatin e tyre. Ata janë heronj të përzgjedhur nga Shekspiri për t’i sfiduar me konflikte të ndryshme siç janë: ambicia për pushtet, urrejtja, tradhtia, xhelozia dhe vetë fati i tyre. Hamleti si princ i Danimarkës sfidohet nga dilema e madhe Hamletiane, e cila e vë në sprovë veprimin e tij pa të cilin e tërë skena do të ishte e papërfunduar. Karakteri i Hamletit, jo vetëm që është një figurë e tejskajshme, gjithëpërfshirëse, plot ngjyrime artistike, por ai me gjenialitetin që shpreh fuqinë poetike, rrëfimin modular të ngjarjeve dhe elokuencën, e përmbushin aspektin kontekstual të përshkrimit që Shekspiri ka aloduar në katër tragjeditë e tij të famshme “Hamletin”, “Makbetin”, “Othellon” dhe “Mbretin Lir”.
Avantazhi kryesor në këto katër tragjedi është doza e rritur e subjektivitetit që përdoret te personazhet apo heronjtë për të tejkaluar sfidat individuale dhe ato rituale në kryerjen e veprimeve që dalin të përcaktuara nga konteksti social dhe rendi shoqëror. Kemi Hamletin, i cili tejkalon të gjitha sfidat për të ardhur deri te momenti i çmuar, hakmarrja. Zonja Makbet harron çdo gjë që është e shenjtë për të në fillim, për të çimentuar ndjenjat e saj ambicioze. Othello nga injoranca e tij zhytet në thellësi të veprimeve duke mos i kontrolluar ato. Ndërsa Mbreti Lir, pëson nga vendimet e tij të marrë si rezultat i mosbarazisë atërore gjatë sundimit të tij.

Rrjedha e konflikteve në tragjeditë e Shekspirit është shkak pasojë. Gjithçka fillon nga një ide, mendim që ndodhet i ngulitur thellë në mendjen e heronjve të tij. Më pastaj ajo shfaqet aty-për-aty dhe si rrjedhojë krijohet një ngjarje, e cila kërkon gjithë vëmendjen e karaktereve tjerë duke u instaluar si pasion tek shumica. Dhe për të zgjidhur këtë ngjarje, Shekspiri modifikon qëllimin e tij me pasionet e çastit dhe krijon konfliktin që çon në tragjedi duke e bërë qe audienca të mbahet gjithë kohën aktive.
Ka dy lloj konfliktesh tek personazhet e Shekspirit, konfliktet e brendshme dhe të jashtme, që fillojnë gjatë rrjedhës së ngjarjes dhe më pastaj aty për aty konkretizohen, bëhen të paqarta dhe të paevokueshme deri në një përfundim të papritur. Konflikti i brendshëm tek Hamleti paraqitet si rrjedhojë e ndjenjave të tij, perceptimit, si dhe natyrës se si ai i qaset problemeve. Hezitimi i tepërt për të besuar në fantazmën e babit të tij, paragjykimet, besëtytnitë, të gjitha këto e nxjerrin Hamletin të dalë një personazh i heshtur, i panatyrshëm dhe shumë neglizhent. Kjo dilemë Hamletiane është studiuar me vite si nevojë e kapjes së pjesëve të përbashkëta dhe të natyrshme të rrjedhës së ngjarjes. Ndërsa konflikti i jashtëm paraqitet si rrjedhojë e konfliktit të brendshëm, në formë të ngjarjeve dhe sekuencave tjera që zhvillohen gjatë gjithë kohës.
Hamleti nuk është thjesht një karakter i atypëratyshëm, Shekspiri e sprovoi artin e tij me gjithë fuqinë letrare për ta bërë atë një nga karakteret më të ndërtuara dhe më të ngritura në gjithë letërsinë e botës. Botëkuptimi i tij, elokuenca, fuqia për të fantazuar, të gjitha këto janë një version i të menduarit Shekspirian, i llojit të veçantë. Pra, të menduarit Shekspirian është një çështje që duhet të studiohet dhe të sprovohet mirë para se të fillohet performimi eventual i ndonjë vepre të këtij autorit. Për më tepër, pa të menduarit Shekspirian, i gjithë koncepti ynë bie, mbetet i pazbërthyer mirë, që në shumicën e rasteve audiencën e nxjerr të hutuar, ngase ngjarja ka një kronologji në mes të konflikteve të brendshme dhe të jashtme. Ndërsa audienca nuk është gjithherë e gatshme të kapë këtë përftim të natyrshëm të gjithë ngjarjes. Kështu që në shumicën e rasteve audienca rrallëherë arrin të kuptojë saktësisht një mesazh të tillë.
http://www.zeri.info

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk