Albana Shala: Vetëm në poezitë e mia gjej strehë
Pyetësori i Prustit
Poetja shqiptare Albana Shala konsiderohet si befasi në letrat shqipe. E njohur së pari jashtë Shqipërisë e më pas në vendin e saj, ajo është rreshtuar mes emrave të spikatur të poezisë shqipe. Jeton prej vitesh në Holandë, por “takimi” me vendlindjen është udhëtimi i saj i preferuar.
Cila është ideja jote për lumturinë?
Një gjendje e mrekullueshme, por shumë jetëshkurtër, që karakterizohet nga të qenit e munguar dhe nga një ndjekje për ta gjetur.
Cila është frika më e madhe?
Të humb miqtë e familjen.
Kë person të gjallë admironi më shumë?
Të gjithë ata që me punë kapin majat e profesionit të tyre, e u ndriçojnë rrugën të tjerëve.
Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
Të qenit të kufizuar mendërisht dhe fizikisht.
Ekstravaganca jote më e madhe?
Nuk e di.
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Nëse mendoj mjetin, atëherë do të thosha një udhëtim me biçikletë apo me anije me vela. Është një udhëtim drejt së panjohurës, me një tempo njerëzore. Nëse e shtrij në kohë, atëherë çdo udhëtim për mua është i mrekullueshëm, pavarësisht nga mjeti dhe destinacioni, sepse të qenit në udhëtim ka vetë shumë kuptim. Nëse bëhet fjalë për destinacionin, padyshim kthimi në Shqipëri. Jo vetëm se takoj disa miq të mirë, por këtu takoj e ‘laj hesapet’ edhe me vetveten. Kjo më jep fuqi për të bërë përpara. Nëse imagjinoj një udhëtim të preferuar, ai do të ishte në kohë, në të kaluarën, kur ende nuk ishte ‘zbuluar’ Amerika dhe në të ardhmen, kur njerëzit të mos shfrytëzojnë planetin ashtu siç bëjnë tani, por të kenë arritur të shfrytëzojnë energji alternative.
Në ç’rast mund të gënjesh?
Kur mendoj që duke thënë të vërtetën lëndoj.
Personi që përçmon më shumë?
Një polic apo gjykatës i korruptuar.
Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
Shpesh përdor pa vend fjalën ‘më fal’. Ndoshta me vend fjalën ‘bir’ apo ‘zog’ kur iu drejtohem fëmijëve të mi.
Pengu yt më i madh?
Përpiqem t’i lëshoj pengjet e të mos i mbaj me vete.
Kur dhe ku ke qenë e lumtur?
Mendoj se lumturia më troket çdo ditë në derë, por duhet të jem e kujdesshme e t’i vë veshin që ta dëgjoj…
Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
Përgjithësisht të mirë, sepse kam disa ide e plane të cilat ndikojnë të jem pozitive
Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Do të ngutesha më pak.
Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Ndoshta të ndërtuarit e një jete të re e të pavarur në Holandë. Nuk e di a mund të quhet arritje…
Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Nëse do të besoja në mishërimin, do të më pëlqente të kthehesha në këtë botë si një zog shtegtar. Do t’i porosisja të gjithë miqtë që të mos vrisnin zogj e të mos hanin pata e rosa të egra…
Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
Një biçikletë me dy çanta të mëdha, të cilën e ngarkoj si gomar sa herë bëj pazar. Më mbaron punë.
Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?
Kur njerëzit nuk kanë mundësi të ushqejnë, kurojnë apo shkollojnë fëmijët e tyre.
Ku do të pëlqente të jetoje?
Përpara disa vitesh kam shkruar një poezi me titull: “Mirë jam këtu ku jam”. Është një ode për Holandën dhe Amsterdamin, me dëshirën që të ndihesha mirë në vendin e ri që kisha zgjedhur për të jetuar. Shpeshherë mendoj që në të vërtetë ndihem mirë vetëm në një botë imagjinare që e krijoj vetë. Ashtu siç thotë Slauerhoff, poeti i madh holandez i shekullit të kaluar: “Allen in mijn gedichten kan ik wonen”, që e përkthyer është: “Vetëm në poezitë e mia mund të gjej strehë”.
Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?
Të lexuarit. Pa këtë nuk do të isha një qenie e lumtur.
Cila është karakteristika juaj më e spikatur?
Ndoshta dëshira e pakurueshme për të krijuar një realitet që nuk ekziston, në të cilin ka vend për gjithçka që dua.
Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?
Humori
Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?
Eleganca
Cilët janë shkrimtarët e preferuar?
Të panumërt. Dhe aq sa frymëzohem prej tyre, po aq edhe ndruhem nga mjeshtëria e tyre.
Cili është heroi yt në art dhe kulturë?
Antiheroi.
Kë ke heronj në jetën reale?
Nuk kam. Kam njerëz që më frymëzojnë, por jo heronj. Që fëmijë kam ëndërruar të isha mike e Ana Frankut, Djemve të Rrugës Pal, Pinokut, Remit, Martin Eden, Jayne Eyere, David Cooperfield, Tom Saywer-it.
Cilat gjëra nuk të pëlqejnë fare?
Të qenit cingun dhe servil.
Si do të të pëlqente të vdisje?
Me mend në kokë. Në kohë paqeje me veten dhe me botën. Pa dhimbje.
Cila është motoja juaj?
Carpe Diem!
Mapo
Comments
Post a Comment