Prishja e marrëdhënieve Shqipëri-BS në tregimin e Kadaresë
Shtypi ka botuar sot, tregimin e panjohur të Ismail Kadaresë "Vdekja e gruas ruse". Ai u shkrua në vitin 1985 dhe i dedikohet në një farë mënyre prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Si e përjetoi populli i thjeshtë këtë ngjarje që shkaktoi furtunë?
Radhët e kësaj copëze letërsie të shkrimtarit, me një mesazh të madh për të përcjellë, i dedikohet një ruseje të martuar në Shqipëri. Ajo quhet Nina dhe varrimi i saj, na thotë shumëçka për kohët e drunjta, që rrinë në ajër si pupla, kohët kur asgjë nuk pipëtin, ndonëse një grua hyn në "një dhe" ngushtë, kilometra larg prej atij në të cilin lindi. E në fakt, ky i fundit duket se nuk do ta marrë vesh se bija që i dha jetë, s'është më në jetë!
VDEKJA E GRUAS RUSE
Ismail Kadare
Nina F., moskovite. Martuar më 1959 me një oficer shqiptar. Pas fjalëve të dua, erdhën shëtitjet në parkun "Gorki", telefonimet nga kabinat e mbuluara me borë, dënesat s'do të më harrosh etj., etj., gjer te: qytetare Nina F. e pranon për burrë A. D. Dhe pastaj nënshkrimet, këmbimi i unazave, ardhja dhe muaji i mjaltit në Shqipëri.
Tani ajo është e shtrirë në arkivol në mes të dhomës së apartamentit, mijëra kilometra larg vendit të saj. Ka vite që s'ka marrë letër nga të vetët (letrat ishin të rralla pas prishjes së marrëdhënieve dhe vitet e fundit pothuajse janë prerë). Ajo nuk ka ditur saktësisht kush ka vdekur e kush është gjallë në familjen e saj, ashtu sikurse ata nuk do ta marrin vesh kurrë saktësisht nëse ajo ka vdekur vërtet e, aq më pak, vitin e vdekjes.
Rrotull arkivolit, një grumbull grash e qajnë në gjuhë të huaj. Janë motrat e oficerit, plaka tashmë. Për shkak të shamisë me lule, me të cilën ia kanë lidhur kokën, ajo ngjan edhe më shumë ruse dhe akoma më të trishtueshme e bën kjo të qarën në gjuhë të huaj për të.
Rrallë është vajtuar një grua nga kunatat e saj me kaq ngashërim. Ky është një mendim që edhe në qoftë se nuk thuhet me zë, ndihet menjëherë. Ashtu siç ndihet shpjegimi për të: qajnë në radhë të parë vetminë e saj. E, me siguri, të tyren.
Në të djathtë të arkivolit, pas shpinës së grave ngrihet një raft librash. Midis titujve, spikasin librat që flasin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, kryesisht librat politikë të udhëheqësit të vendit. Midis tyre dhe gruas ruse të shtrirë në arkivol është dënesa e grave.
Ora e varrimit po afron. Lëvizja në apartament bëhet më e dendur, sjellin mbulesën e arkivolit, gjëmojnë gozhdët që e mbërthejnë. Pas pak, autobusët me njerëzit e përzishëm ecin drejt varrezës perëndimore të qytetit.
Është një ditë e lagët, me shi. Megjithatë, askush nuk largohet para kohe nga gropa. Një grua, anëtare e kryesisë së Frontit të Bllokut, mban një fjalë fare të shkurtër, ku thotë se Nina F. ishte një nënë e bashkëshorte e mirë dhe një punonjëse e ndërgjegjshme, që në punën dhe jetën e saj kishte pasur përherë parasysh mësimet e Partisë dhe të udhëheqësit të saj.
Asnjë fjalë për kombësinë e saj, atë kombësi që i kishte dhënë asaj vetminë më të madhe që mund të përfytyrohet.
Lamtumirë, Nina!
Këto janë të vetmet fjalë të natyrshme që thotë anëtarja e kryesisë së Frontit.
- Po më e natyrshme se ato është zhurma e baltës dhe e guriçkave që bien mbi arkivol me një gjuhë universale, shumë më të kuptueshme se ajo e njerëzve, ndonëse varrin për gruan e vdekur nuk po e jep toka e gjerë ruse, por trualli i ngushtë shqiptar, i cili mezi mjafton për varret e të vetëve.
Dhjetor 1985
Comments
Post a Comment