Giuseppe de Siati - Gjermani me zemër shqiptare
Emrin e Giuseppe de Siatit shumë artistë, shkrimtarë e intelektualë shqiptarë e lidhin me njeriun që iu hapi dyert e botës së artit dhe kulturës në Berlin. Në Prill ai u nda papritur nga jeta në moshën 67 vjeçare.
Në Maj ish-botuesi Giuseppe de Siati kishte planifikuar të bënte një udhëtim nëpër Shqipëri, do të ishte njëri nga udhëtimet e shumta në vendin ku e prisnin me shumë dashuri miqtë dhe artistët - vendin që ishte kthyer si në një vendlindje të dyte prej vitesh. Ky udhëtim tanimë nuk do të zhvillohet kurrë, pasi më 18 Prill në moshën 67 vjeçare, Giuseppe de Siati ndërroi jetë papritur në shtëpinë e tij në Berlin. Një lajm i trishtueshëm dhe shokues për familjen, miqtë, për kolegët e tij të „Bodrumit të librarëve“ në Berlin, ku ai ishte mjaft aktiv dhe drejtues i projektit deri në vitin 2004, por edhe për miqtë e tij shqiptarë në Tiranë.
„Shqipëria pasion jete“
Ndoshta jo shumë vetë në publikun shqiptar e njohin emrin e Beppos, siç e thërrisnin shkurt Giuseppe de Siatin, gjermanin energjik me rrënjë pulieze në qytetin Taranto në Itali. Megjithatë për artistët, shkrimtarët shqiptarë që kapërcyen kufijtë menjëherë pas viteve 90-të, dhe mbërritën në Gjermani, Bepo u kthye në një pikë kontakti, në një vatër familjare që qëndronte gjithmonë e hapur, jepte ngrohtësi dhe këshilla për një brez artistësh e shkrimtarësh që i sapodalë nga diktatura duhej të orientohej në botën e madhe, e të gjente profilin e vet në perëndim. Piktorë si Vladimir Myrtezai e Edi Hila, apo shkrimtari Fatos Lubonja e shumë të tjerë nisën kështu në ato vite një udhë të gjatë miqësie me Beppon.
Peter Platzmann, njohës i mirë i Shqipërisë dhe anëtar i Shoqatës së Miqësisë Gjermano-Shqiptare e përshkruan kështu ish-botuesin dhe bibliotekarin: „Pasioni i madh i Bepos ishin libri, filmi dhe Shqipëria. Falë angazhimit të tij u bë e mundur që të shfaqeshin filma shqiptarë për vite me radhë duke filluar nga viti 1978 nga Shoqata e Miqësisë Gjermano-Shqiptare në kuadër të Berlinales. Ai vërtet e kishte lënë zemrën në Shqipëri.“ Ndërsa publicisti i njohur Fatos Lubonja kujton se sa herë e kishte takuar Beppon kishte kuptuar „se lidhja që ai kishte me Shqiperine ishte një gjë e ndjerë së brendshmi, që i ngjallte atij entuziazëm. Shqipëria ishte si të thuash një projekt jete për të.“
Ai ishte një shtegtar mes botëve, Gjermanisë, Italisë dhe Shqipërisë e vlerëson atë gazetarja dhe drejtuesja e projektit „Bodrumi i librarëve“ në Berlin, Cornelia Staudacher. „Në Shqipëri ai u prit gjithmonë krahëhapur, kishte shumë, shumë miq. Ai nuk linte të kalonte ndonjë vit, pa fluturuar së paku njëherë në Shqipëri, por shpesh ai udhëtonte disa herë atje . Edhe në Bibiliotekën e Landit në Berlin ai angazhohej për Shqipërinë dhe blinte libra të shkrimtarëve shqiptarë për këtë bibliotekë. Në „Bodrumin e librarëve" ai është i pazëvendësueshëm. Prej tij erdhën idetë që lidheshin me letërsinë europianolindore, ruse dhe nga Europa Juglindore. Pa të ne jemi varfëruar.“
Angazhim për artin dhe letërsinë shqipe
Giuseppe de Siati është i njohur prej vitesh për angazhimin e tij për prezantimin e letërsisë shqipe në Gjermani. Në shtëpinë botuese „Neuer Malik Verlag“, të themeluar nga ai vetë bashkë me miqtë në Kiel, ai arriti të botojë romanin e parë të letërsisë shqipe të përkthyer në gjermanisht, romanin „Dasma“ të Ismail Kadaresë, i përkthyer nga vetë Giuseppe de Siati, i cili e njihte edhe gjuhën shqipe. Më pas pasuan romane të tjerë të Kadaresë e Dritëro Agollit, e albume të poetëve të tjerë shqiptarë. Në vitin 1992, de Siati u bë iniciator dhe botues në Gjermani i librit “Albanien” – “Shqipëria” një album fotografik dhe letrar, i shoqëruar edhe me ese të autorëve gjermanë. Giuseppe de Siati i ofroi publikut gjerman Shqipërinë e panjohur, për dekada me radhë e izoluar, e ndodhur në vitet më të vështira menjëherë pas daljes nga diktatura.
Shkrimtari i madh gjerman, Bertolt Brecht shkruan se „njeriu është vërtet i vdekur, vetëm kur askush nuk kujtohet më për të“. Giuseppe de Siatin nuk kanë për ta kujtuar gjithmonë vetëm familja dhe miqtë e tij gjermanë, por edhe miqtë nga Shqipëria e largët. Ndoshta ky është një ngushëllim i vogël për humbjen e Giuseppe de Siatit, gjermanit me zemër shqiptare.
DW
Comments
Post a Comment