Maqedoni: Kujdes më i madh për trashëgiminë kulturore
Përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë për trashëgiminë kulturore vlerësojnë se në Maqedoni duhet urgjentisht të respektohet dhe zbatohet Ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Policia e Maqedonisë në kuadër të aksionit ”Fallanga” ka zbuluar një grup kriminal i cili nga lokalitetet arkeologjike në territorin e Demir Kapisë, Sveti Nikollës, Kavadarit dhe Shkupit ka kryer gërmime ilegale të artefakteve me vlerë kulturore dhe arkeologjike. Ky grup kontrabandistësh ka bërë shitjen e artefakteve në vend dhe jashtë si dhe shitjen e ikonave për të cilat ekziston dyshim se e kanë prejardhjen nga objektet kishtare dhe kanë vlerë të çmueshme për trashigiminë kulturore. Në grupin e të arrestuarve ka edhe shtetas të Serbisë që sipas ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska është indikacion se bëhet fjalë për grup kriminelësh me karakter rajonal. Lajmi për vjedhjen e artefakteve ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion meqë në mesin e të arrestuarve ka edhe persona të punësuar në Drejtorinë për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe në dy muze. Ata kanë dhënë informacione për rëndësinë, vlerën dhe sigurinë e trashigimisë kulturore dhe njëherësh kanë mundësuar transportimin e sendeve arkeologjike nga një lokacion në tjetrin dhe shitjen e tyre jashtë Maqedonisë.
Artefaktet thesar të tashigimisë kulturore
Behixhudin Sheapi ish drejtor i Qëndrës nacionale për konservim thotë se Maqedonia posedon artefakte të shumta që u takojnë periudhave të ndryshme të historisë, të cilat me dhjetra mijëra eksponate gjenden në muzetë e Maqedonisë që paraqesin kontribut të rëndësishëm në trashigiminë kulturore. Historia e hershme antike, mesjeta, periudha bizantine dhe ajo e osmanëve në këto hapësira kanë vendosur monumente të rëndësishme, pjesë e të cilave ruhen në muzeume.
“Në Muzeun e Maqedonisë janë ruajtur më shumë se shtatë mijë artefakte. Trendi i zbulimit dhe sistematizimit të artefakteve është intensifikuar në dekadën e fundit kur në Maqedoni u krijua një ofensivë e grupimeve arkeologjike, veçanërisht në lokalitete antike dhe mesjetare ku edhe u krijuan dimensione politike për shkak të problemit të identitetit me Greqinë”, shprehet Sheapi.
Dëmtimi i lokaliteteve arkeologjike
Hulumtuesi arkeologjik Trenço Dimitrioski, prej 20 vitesh me rradhë hulumton trashigiminë kulturore në lokalitetet e Prilepit. Ai me keqardhje konstaton se lokalitetet arkeologjike në këtë rajon janë duke u shkatërruar nga “hulumtuesit e pasurisë”. Në lokalitetet arkeologjike ka shtresa kulturore të cilat janë dëshmi se në këtë hapësirë para mijëra vitesh kanë ekzistuar lagje, vendbanime që kanë pasur kulturën e tyre të jetës.
“Në rajonin e Prilepit është zbuluar një monedhë e një mbreti të Maqedonisë, ky fakt flet për potencialin historik që kanë lokalitetet arkeologjike për Maqedoninë. Këto lokalitete po shkatërrohen nga persona individualë dhe kompani që janë koncesioner të minerave. Askush nuk jep llogari për dëmin që bën”, shprehet Trenço Dimitrioski.
Nga Muzeu i Prilepit thonë se problemi kryesor për ruajtjen e lokaliteteve arkeologjike është mungesa e hartave arkeologjike.
“Nëse respektojmë listën e lokaliteteve të regjistruara arkeologjike, atëherë do të ndërpritej çdo lëvizje në rajonin e Prilepit. Është vështirë të jepet leja e kërkimeve arkeologjike nëse nuk posedon dokument historik se në atë vend me të vërtetë ekziston diç e tillë”, thotë Gordana Danillovska, Drejtore e Muzeut të Prilepit.
Kujdes i pakët për të kaluarën
Trashigimia kulturore është universale, ajo u takon të gjitha kulturave dhe popujve që jetojnë në Maqedoni dhe askush nuk mund të pretendojë për përvetësimin e kësaj trashigimie kulturore, respektivisht artefakteve. Bëhen përpjekje për ruajtje, si trajtimi adekuat i përmendoreve dhe artefakteve, por këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme, thotë Behixhudin Sheapi.
“Pak ndërhyhet nëpërmjet institucioneve shtetërore për restaurimin ose konservimin e përmendoreve të kulturës. Qytetet Kratova dhe Dibra si qytete më të vjetra që posedojnë komplekse interesante ose lëvizje urbane janë lënë pas dore”, thotë Sheapi.
Trashigimia kulturore të ruhet në institucione
Sipas Halide Palloshit, drejtoreshë e Galerisë kombëtare të Maqedonisë, trashëgimia kulturore është pasuri për gjeneratat e ardhshme. Duke patur parasysh vlerën dhe rëndësinë e pikturave që gjenden në galerinë kombëtare, ky institucion në mënyrë sistematike bën evidentimin e pikturave të cilat futen në arkivën e galerisë.
“Të gjitha pikturat dhe artefaktet janë të mbrojtura në mënyrë institucionale me vëzhgim vizual 24 orësh. Deri më tani nuk ka ndodhur që në Galeri të zhduket apo të dëmtohet ndonjë pikturë që ka vlerën e trashigimisë kulturore”, thotë Palloshi.
Popullata në rajone të ndryshme të vendit është shumë e vetëdijshme për thesarin kombëtar i cili me xhelozi ruhet në arka dhe çekmexhe. Mirëpo sipas Halide Palloshit, ruajtja e thesarit në arka në mënyrë individuale nuk ka ndonjë domethënie të madhe nëse e njëjta nuk rregullohet në mënyrë institucionale.
Përfaqësues dhe ekspert të trashigimisë kulturore janë unanim në qëndrimin se zhdukja, dëmtimi dhe shitja e artefakteve dhe sendeve arkeologjike jashtë vendit duhet të ngrihet si problematikë në rrafsh institucional, sepse në të kundërtën pasojat do të jenë të pariparueshme për trashigiminë kulturore të vendit.
DW
Comments
Post a Comment