Kadare në “NOOR”:Shqipëria nuk do të kishte ekzistuar pa tolerancën mes myslimanëve dhe të krishterëve
Numri i parë i revistës filozofike franceze “NOOR” hapet me intervistën e
shkrimtarit Ismail Kadaré dhe një tregim të Ylljet Aliçkës. Janë dy shqiptarë
që zënë një vend me rëndësi në një botim të çdo përgjashtëmuajshëm, në një
revistë të themeluar nga një grup i njohur intelektualësh francezë.
Në intervistën e tij Kadare ndër të tjera thekson se “Shqipëria nuk do
kishte ekzistuar, nëse ne nuk do kishim tolerancën mes myslimanëve dhe
krishterëve” dhe se “ishte jeta jonë e vështirë që na bëri të kuptojmë logjikën
dhe nevojën e tolerancës”. Revista gjashtëmujore “NOOR” u shfaq suksesshëm këtë
pranverë si një ide e një grupi filozofësh të njohur si Malek Chebel, Mark
Ferro, etj, me synimin “të nxisë debate dhe reflektime mbi spiritualizmin dhe
laicitetin, mbi racizmat dhe radikalizmat në ngjitje, sinjale këto të një bote
që po vdes nga frika dhe që ushqehen gjithnjë e më shumë nga absolutizmi i
mendimit dhe nga humbja e pasioneve kolektive”.
Vendi juaj, nën regjimin e Hoxhës ishte i vetmi vend mbi planet që u
deklarua krejtësisht ateist, duke frenuar të gjitha fetë. Cila ishte arsyeja e
kësaj mase të jashtëzakonshme. Si reagoi populli shqiptar? Po ju vetë, si e
përjetuat zhdukjen e Zotit me dekret?
Hoxha e justifikonte vendimin e tij, si përgjigje ndaj “kërkesës” së rinisë
shqiptare. Kur e vuri në jetë këtë vendim në vitin 1968, ai përfitoi nga
konteksti i lëvizjeve të atij viti në disa vende europiane, koha e lëvizjeve
studentore dhe e revoltave sociale, ku ndër të tjera pati dhe lëvizje kundër
kishës. Hoxha u përpoq ta justifikonte si një lëvizje progresiste. Edhe sot,
unë ende nuk e kuptoj arsyen e vërtetë të këtij vendimi. Apo mos ndoshta kjo
ishte një çmenduri e pastër e Hoxhës, një trill i një diktatori megalomaniak?
Apo mos ndofta donte të imitonte “miqtë tanë” kinezë, në mënyrë që të fitonte
simpatinë e tyre? Kush e di?
Si reagoi populli? U rebelua për t’i mbrojtur këto vende kulti?
Populli pothuajse nuk reagoi. Njerëzit kishin probleme të tjera, jeta e
përditshme ishte tmerrësisht e vështirë. Kishat dhe xhamitë ishin braktisur
prej 20 vjetësh më parë në diktaturë.
Ju vetë, prindërit tuaj ishit të besimit bektashi. Si e përjetuat këtë
diktat?
Unë jam rritur në një shtëpi intelektualësh. Nuk shkonim as në xhami, as
miqtë tanë të krishterë nuk shkonin në kishë. Një ndër krenaritë tona të rralla
është bashkëjetesa paqësore e tri besimeve, shprehje e një tolerance fetare të
jashtëzakonshme. Nuk do desha të them se kjo është rezultat i një pjekurie
specifike shqiptare, ne nuk jemi më të ndriçuar se të tjerët. Ndofta ishte
rezultat i jetës së vështirë, që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e
tolerancës. Edhe para ardhjes së turqve ne ishim mësuar me bashkëjetesën e dy
besimeve të krishtera. Më pas u bënë tri besime, s’kishte arsye të ndryshonim.
Pse u konvertuan shqiptarët me ardhjen e ushtrisë otomane?
Një pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dhunë. Disa
të tjerë ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një fenomen tepër
të rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman kishte të drejtë të
mbante armë. Shqiptari ishte para dilemës: si do mundte ai të mbronte
dinjitetin e familjes së tij pa armë? Ndodhte që një vëlla i po të njëjtës çati
konvertohej dhe një tjetër jo. Pra, psikologjikisht ne ishim të përgatitur ndaj
një jete sociale të tolerancës. Por pushtimi otoman nuk krijoi asnjë liri,
pavarësisht iluzioneve, duke nxitur konfliktet mes klaneve. Feudalët ishin “të
lirë” të bënin luftë mes tyre. Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia përpiqet
përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria
otomane duket se po rivjen në një tjetër formë.
Pas rënies së diktaturës, fetë e mëdha, nëpërmjet emisarëve të tyre u
përpoqën të riinvestojnë shoqërinë shqiptare?
Ka tendenca radikalizimi dhe kjo s’është gjë e mirë. Prej mbi 20 vjetësh
shoqëria shqiptare përpiqet të rindërtojë identitetin e saj kulturor, social e
politik, që i përshtatet. Por pavarësisht mjaft rindërtimeve të xhamive apo
kishave, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të rëndësishëm në zakonet e
bashkëpatriotëve të mi. Nga ana tjetër, disa madje tentojnë të rishkruajnë
historinë tonë duke minimizuar veprën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
që sipas meje duhej të ishte përfshirë në historinë europiane. Padyshim që
politika kërkon të përfitojë nga gjithfarëlloj radikalizmash, fundja si kudo.
Ju vetë jeni shënjuar nga literatura antike dhe mitologjitë helenike.
Atëherë çfarë influencash keni pasur?
Letërsia më ka mbrojtur nga çdo influencë, ideologjike apo fetare. Ashtu
dhe populli im, i cili ka të tjera probleme për t’u ndikuar. Ne shqiptarët jemi
popull i emancipuar, ndofta më i emancipuari në botë. Europa duhet ta marrë
seriozisht në konsideratë tolerancën tonë. Ajo duhet ta mbrojë dhe mbështesë
vendin tonë, pasi ne përfaqësojmë një shembull unik dhe tepër të çmueshëm.
Çfarë rreziku paraqet në vendet e Europës Lindore “nacionalizmi” i ri?
Patriotët shqiptarë, shumë përpara se Shqipëria të ekzistonte si komb, kanë
zgjedhur Marsejezën si himnin e ardhshëm kombëtar, pasi ajo simbolizonte
lirinë, vëllazërinë, barazinë.
P.Hajnrih Bël ka thënë “Gjuha ime është djepi im”. Nëse ju zëvendësoni
termin djep me komb, atëherë nuk është i njëjti kuptim?
Në diktaturë, liria e vetme që i mbetet një shkrimtari është gjuha e tij.
Për këtë arsye ne lexonim male me libra. Për pasojë realiteti zhdukej pas
këtyre librave…
Comments
Post a Comment