Debat për ksenofobinë në Greqi
Në koalicionin trepartiak grek debatohet aq ashpër, si kurrë më parë. Nuk është politika e kursimeve, që përçan koalicionin, por një ligj kundër racizimit dhe qëndrimi ndaj ksenofobisë në rritje.
Vetëm në dymbëdhjetë muajt e fundit në Greqi kanë vdekur tre vetë nga sulmet raciste, më shumë se 150 janë plagosur. Në fillim të majit "të panjohur" sulmuan në një rrugë në Athinë një afgan 14 vjeçar me shishe të thyer, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Vetëm pak ditë më parë në një plantacion grek luleshtrydhesh mbikqyrësit qëlluan me pushkë gjuetie disa punëtorë sezonalë nga Bangladeshi, pasi ata kishin kërkuar pagat e tyre të papaguara. Ndërkohë partia neonaziste "Agimi i Artë", e përfaqësuar në Parlament nga 18 deputetë, po e përforcon praninë e saj. Të mërkurën në mbrëmje (29.05.) radikalë të djathtë ekstremë marshuan për herë të parë me pishtarë në qendrën e Athinës.
Po të varej nga ministri i drejtësisë Antonis Roupakiotis, parlamenti grek do të kishte paraqitur me kohë një draft për një ligj më të ashpër kundër racizmit dhe dënime më të ashpra për shprehjet raciste, për simpatizantët e nazismit dhe mohuesit e holokaustit. Por vetëm disa ditë, pasi projektligji u paraqit në parlament, politikani i majtë u frenua menjëherë nga kryeministri konservator Antonis Samaras.
"Ligjet ekzistuese mjaftojnë"
Fillimisht u tha se projektligji duhet përpunuar, pastaj Samaras donte ta anashkalonte tërësisht këtë temë. Sofia Voultepsi, zëdhënëse e grupit parlamentar të partisë konservatore Nea Dimokratia, është e mendimit se nuk është aspak i nevojshëm një ndryshim i ligjit.
"Kushtetuta jonë dhe ligjet penale janë më shumë se të mjaftueshme për t'u përballur me racizmin dhe ksenofobinë në mënyrë të efektshme, ne nuk kemi mungesë ligjesh", thotë politikanja konservatore. Përveç kësaj nuk është racizmi problemi më i madh i Greqisë, por mjerimi ekonomik, që zgjat prej më shumë se shtatë vjetësh". Për këtë duhet të kujdeset qeveria, porosit Voultepsi.
Lidhur me vërejtjen se nga sulmet raciste në vend janë një problem i madh, politikanja greke reagon mjaft e rezervuar. "Çfarë doni të thoni me këtë? Që autorët nuk ndiqen penalisht?" përgjigjet Voultepsi e zemëruar. Fundja vendi ka ligje të mjaftueshme dhe ato zbatohen. E kundërta thuhet, vetëm me qëllim që Greqia të diskreditohet jashtë vendit.
Presioni nga jashtë mund të jetë i dobishëm
Sipas njoftimeve të medias greke Samaras i druhet kërkesave maksimale në partinë e tij, sikur në parlament të aprovohej një ligj më i rreptë kundër racizmit. Nëse, për shembull, mohimi i gjenocidit të dënohet me ligj, atëherë deputetët konservatorë ndoshta do të donin të sqaronin çështjen, nëse dikush, që mohon gjenocidin e armenëve, e ka vendin në burg. Një debat që mund të shkaktonte tensione në politikën e jashtme.
Tani grindja në koalicionin qeveritar në Athinë eskalon. Të dy partnerët më të vegjël të koalicionit, partia socialiste PASOK dhe e Majta Demokratike, së cilës i përket edhe ministri i Drejtësisë Roupakiotis, janë për ashpërsimin e ligjit kundër racizmit. Dhe ata kërkojnë ndihmë nga jashtë. Vetëm nën presionin e madh nga jashtë Samaras do të binte dakord për të bërë lëshime, shpjegon Maria Giannakaki, deputete e së Majtës Demokratike. Ligji ekzistues "tani është vjetëruar. Dhe prandaj sot kemi nevojë për një legjislacion të ri, të plotë", thotë Giannakaki.
Konfuzion në parlament
Tani socialistët dhe të majtët e moderuar duan të paraqesin një draft të përbashkët në parlament. Përveç kësaj partnerët më të vegjël të koalicionit kërkojnë të afrohen me opozitën radikale të majtë, por kanë njoftuar se do të paraqesin një projektligj të vetin. Kështu konfuzioni do të jetë i plotë: përfaqësuesit e popullit duhet të zgjedhin midis tre drafteve të ndryshme, prej të cilave asnjëri nuk ka perspektivë të aprovohet me shumicë. Me një dozë hidhërimi një komentator vëren, se sikur radikalët e djathtë të kishin patur sadopak humor, atëherë me siguri do të kishin propozuar një ligj të vetin kundër racizmit.
Për një gjë janë të një mendimit konservatortë dhe partitë e majta: vetem me ndryshime ligjore nuk mund të luftohet racizmi. Për këtë është i nevojshëm reagimi i gjithë shoqërisë greke, porosit deputetja Maria Giannakaki.
"Urgjentisht duhet hapur një diskutim për ksenofobinë", porosit politikanja nga Pireu. Në luftën e Dytë Botërore Greqia ka vuajtur nga terrori nazist si asnjë vend tjetër. Prandaj është krejtësisht absurde, që admiruesit e Hitlerit sot të kenë vend të parlamentin gek, zemërohet Maria Giannakaki.
DW
Comments
Post a Comment