Wagneri i ndaluar – vjen për herë të parë në Shqipëri

Premierë absolute e operas “Tannhauser”- në vitin muzikor të Wagnerit, për nder të 200 vjetorit të lindjes.

Skena e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë është në prag të një ngjarjeje të madhe artistike: premierës absolute të operas Tannhauser” të kompozitorit të shquar gjerman të shek. XIX, Richard Wagner. Tirana i bashkohet kështu kryqyteteve të botës në këtë vit muzikor të shpallur “viti i Wagnerit” për të përkujtuar 200 vjetorin e lindjes së gjeniut gjerman të muzikës. Tannhauser” vjen këtë të shtunë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, nga një ekip artistësh të famshëm nga SHBA, Gjermania, Skocia, Anglia që po bashkëpunojnë me artistët shqiptarë që nga prilli i këtij viti. Tenori amerikan Roy Stevens, me famë botërore për debutimet e tij në Metropolitan Opera në New York, La Scala në Milano, Teatrot e Operas në Barcelonë, Drezden, Frankurt etj. do të interpretojë rolin kryesor, atë të djaloshit Tannhauser. Por përtej këtij roli ai është edhe producenti, shpirti i kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme si është vënia në skenë e Wagnerit.
Në foto, Roy StevensNë foto, Roy Stevens
“Wagneri është i vështirë, kërkon orkestra dhe kore të mëdha, ka stilin e tij krejt ndryshe nga operat italiane. Në 10 vitet e fundit në Teatrin e Operas dhe Baletit erdhën veprat e kompozitorëve si Bach, Brams, Moxart, Bethoven dhe tani Wagner, të ndaluar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, kur në skenë viheshin vetëm opera të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre italianë si Verdi dhe Pucini. Ne, artistëve të Perëndimit na duket e pabesueshme sesi edhe veprat e kompozitorëve italianë viheshin të cunguara, psh. nga opera “Tosca” e Pucinit hiqej akti i parë sepse ai zhvillohej në një kishë!!” thotë Roy Stevens.
Wagneri në Tiranë- një simbol integrimi kulturor i Shqipërisë
Kohët ndryshuan dhe rrugët u hapën të shfaqej dhe shijohej “e ndaluara” në art. Ideja për të sjellë Wagnerin në skenën e TOB, pikërisht ketë vit, në 200 vjetorin e lindjes së tij erdhi nga maestro i mirënjohur Zhani Ciko, ish Drejtor i TOB. Tenori amerikan Roy Stevens kishte interpretuar në vitin 2009 në skenën e këtij teatri, në operan e Richard Strauss “Salome”, pjesë e aktiviteteve të Tetorit gjerman të atij viti dhe në operan “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, vitin e kaluar, rolin e Skëndërbeut, në gjuhën shqipe. Ideja për të sjellë Wagnerin në Tiranë e mahniti: mori përsipër të gjejë ekipin ndërkombëtar që do të mësonte, trajnonte këngëtarët vendas për të interpretuar në stilin wagnerian dhe për më tepër në gjermanisht.
“Gjeta profesionistë shumë të mirë, njerëz me zemër, që veç virtuozitetit kanë si dimension edhe filantropinë, njerëz që dëshëronin të ndihmonin artistët shqiptarë për shfaqjen e Wagnerit. Filluam të trajnojmë orkestrën, korin, artistët, i mësuam të shqiptojnë qartë fjalët në gjermanisht deri në shqiptimin e saktë të tingujve, Wagner shkruajti vetë edhe fjalët e operave të tij, në një stil krejt origjinal. Është një eksperiencë e mrekullueshme per mua që ia vlen mundin. Opera e Wagnerit është simbol i riintegrimit kulturor të Shqipërisë në botë, është një hap i madh drejt integrimit kulturor europian", thotë për DW, Roy Stevens.
Wagner –mesazhi universal i operas “Tannhauser”për të gjitha brezat
Opera “Tannhausser “ cilësohet nga kritika botërore si një operë rinore, drithëruese, shpërthyese, e pasur me ide dramatike dhe gjetje muzikore. Regjizori i premierës së saj në TOB Daniel Helfgot, argjentino-amerikan, me përvoja profesionale në të gjithë botën thotë se mesazhi i saj është universal, i gjithëkohshëm.
“Personazhi kryesor i operas, djaloshi Heinrich Tannhausser është në luftë me vetveten: të zgjedhë Venusin sexy apo Elisabeth, gruan e dlirë, fetare? Është një luftë gjatë gjithë historisë së njerëzimit: burri dëshiron t'i ketë të dyja por veç e veç, duke i ndarë ato. Por ato janë në fakt e njëjta grua. Dhe gratë duhen lejuar të kenë të dyja këto elementë: ka një Venus në çdo grua dhe një Elisabeth në çdo Venus. Qëllimi im si regjizor është të prezantoj këtë dualitet si një të vetëm, dualitet që shfaqet nga hipokriza e shoqërisë, e cila predikon vlera të rreme dhe fsheh dëshirat njerëzore”, thotë Daniel Helfgot.
Wagneri në Tiranë- një simbol integrimi kulturor i Shqipërisë - Pamje nga provatWagneri në Tiranë- një simbol integrimi kulturor i Shqipërisë - Pamje nga provat
Mbështetje financiare ndërkombëtare për të sjellë në Tiranë Wagnerin
Roy Stevens, i njohur si Skëndërbeu amerikan nuk përzgjodhi dhe solli në Tiranë vetëm ekipin ndërkombëtar, nuk trajnoi vetëm këngëtarët shqiptarë të këndojnë Wagnerin në gjermanisht. Ai siguroi edhe mbështetjen finaciare ndërkombëtare, pa të cilën kjo premierë nuk do të mund të realizohej.
“Kam ngritur fonde nga SHBA dhe Europa për të sjellë në Shqipëri Wagnerin, gjeta sponsorë të fuqishëm ndërkombëtarë si Fondacionin Ndërkombëtar të Muzikës dhe Artit, në Lichtenstein, në Zvicër, që sponsorizon Operan e Zyrihut dhe Muzetë e mëdha në Zvicër, Shoqatën e Adhuruesve të Wagner në SHBA etj. Por tranzicioni i pushtetit ka sjellë disa pengesa ligjore për të paguar punën e jashtëzakonshme, ekstra të artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Na duhet të gjejmë mbështetje financiare prej 15- 20 mijë Euro.Deutsche Welle në Bonn po përpiqet të sensibilizojë filantropë të njohur gjermanë dhe adhurues të Wagner-it. Në Shqipëri nuk është traditë sponsorizimi i TOB pasi e shohin si një strukturë që i përket shtetit, në fakt i përket publikut. Por kjo po ndryshon: nje biznesmen nga Tirana Shkëlqim Pelingu, kur shkuam në dyqanin e tij për të blerë disa kostume për këngëtarët, kur i shpjeguam për çfarë i donim nuk na la të paguanim, mori përsipër t'i sponsorizojë të gjitha veshjet për shfaqjen tonë. Fara është hedhur tanimë”, thotë Roy Stevens.
Derë e hapur për skenat e Europës
Roy Stevens nuk përpiqet të fshehë emocionet e tij. ”Kam qarë dje, kur pas një pune shumë të madhe kori për herë të parë u shoqërua nga orkestra. Kam qarë nga bukuria e asaj që dëgjoja, të kënduar në gjermanisht. Kjo do t' u hapë derën e teatrove të operas në Gjermani dhe në Europë solistëve shqiptarë si Armand Likaj, Irida Dragoti që interpreton Venusin, Sonila Baboçit që interpreton Elisabeth. “Shqipëria ka dy këngëtarë ndërkombëtarë operistikë Saimir Pirgun dhe Inva Mulën, por pas Wagnerit në Tiranë ata do të shtohen” beson Roy Stevens.
Në foto, Petra Behlke-CamposNë foto, Petra Behlke-Campos
Petra- Behlke Campos, Drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, partnere e Institutit Goete, një nga mbështetëset financiare të premierës “Tannhaussen” thotë për DW: “Jam shumë e lumtur që munda të kontribuoj. Jo vetëm se ky është viti muzikor kushtuar Wagnerit por është edhe 60 vjetori i Teatrit të Operas dhe Baletit. Për mua është e mrekullueshme të dëgjosh artistët shqiptarë të këndojnë Wagnerin për herë të parë në jetën e tyre dhe të shqiptojnë saktë fjalët dhe tingujt në gjermanisht. Janë 55 këngëtarë në kor dhe 15 fëmijë që këndojnë gjermanisht”, thotë ajo për DW.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk