Dashuria që nuk vdes / Të mëdhenjtë e shekullit XX, Drita, 2013
Ndue Ukaj
“Nga të gjitha gjërat e vlefshme, që njeriu s’i ka marrë dhuratë nga natyra, por e ka shpikur vetë, librat janë shpikja më e vlefshme”, shkruante nobelisti i letërsisë, shkrimtari Herman Hesse.
Nëse ndalemi dhe analizojmë historinë e zhvillimit të bashkësisë njerëzore, qoftë atë të largëtën, qoftë edhe ma të afërmen, s’ka se si të mos pajtohemi me këtë mendim. Libri është zgjatim i kujtesës, thoshte një shkrimtar tjetër i madh, argjentinasi Huse Luis Borges. E pikërisht në këtë këndvështrim, e vlerësoj librin e Don Lush Gjergjit, “Dashuria që nuk vdes - Të mëdhenjtë e shekullit XX“, një libër që ndihmon në zgjatimin dhe ripërtëritjen e kujtesës dhe për ma tepër, një libër që ndihmon në luftimin e harresës.
Libri përfshin personalitete të shquara të shekullit XX dhe vjen si jehonë e zërave të përvuajtur që ngadhënjyen përballë kohëve plotë mynxyra e tmerre. Nën trysninë e katrahurës së luftërave, diktaturës, shtypjes, varfërisë dhe padrejtësive, shfaqen këta engjëj rojës, që me dashuri luftuan për drejtësi dhe ngadhënjyen mbi të keqen, varfërinë, luftën dhe padrejtësitë. Mjafton për ilustrim këtu të përmendin Gandin, Martin Luter Kingun, Nënë Terezën, Edit Stein apo Mikel Koliqin.
Personazhet e paraqitura dhe të trajtuara me mjeshtëri e elokuencë nga Don Lush Gjergji, secili në mënyrën e vet, janë gur i fuqishëm, mbi të cilët mund të ndërtohet një botë e prirur kah lumturia, paqja, toleranca dhe dialogu ndërfetar. Në këtë aspekt, figurat e trajtuara këtu, me tërë përmasën dhe madhështinë e tyre, dëshmojnë fuqishëm se përtej dhunës dhe terrorit, është paqja e mirësia, përtej urrejtes, është dashuria. Në këtë kontekst, këto personalitete janë tharm i mirë, për ta kuptuar ma mirë epokën e tyre. Ata s’bën asgjë ma shumë, por u vunë në shërbim të njeriut e Zotit, siç thotë Nënë Tereza, si “laps i Zotit” dhe e vulosën çdo ditë me mirësi.
Shekulli XX njihet si shekull i kontrasteve të mëdha. Bota përjetoi dy luftëra botërore, pastaj diktatura, varfërinë, por përjetoi edhe zhvillimin ma të hovshëm ekonomik dhe teknologjik. E në hullinë e këtyre zhvillimeve, u gjenden edhe personalitet e spikatura që analizohen në këtë libër. E këto figura kanë vepruar në rrethana të vështira, por kudo kanë lënë gjurmë rrezatuese, duke u bërë simbol mirësie, humanizmi, dashurie dhe paqeje.
Libri përfshin 26 personalitete, që kanë një ndikim planetar, e influenca e të cilëve, shtrihet në fushën e kulturës, artit, dijes, humanizmit, politikës, religjionit etj. Këto figura janë emra të përzgjedhur mjeshtërisht dhe me përkushtim nga autori, që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzore.
Në këtë aspekt, libri “Dashuria që nuk vdes”, është si një lloj udhërrëfyesi për të hyrë në universin kompleks të shekullit të kaluar, e për ta kuptuar më mirë shekullin e karakterizuar me luftë e paqe, me dhunë e mirëqenie, me varfëri dhe progres.
Duke i njohur personalitet e paraqitura këtu, lexuesi përfiton dije e informacione të munguara ndër ne për shumë ngjarje e fenomene botërore. Ai përfton një të vërtet tjetër për shekullin e trazuar, thjesht, ai sheh një pasqyrë tjetër për kohën që lamë pas dhe mëson të ecet me vetëdije drejt një të ardhme ma të ndritshme.
Në këtë libër, nëpërmjet një shkrimi analitik e dokumentues, të ilustruar me fotografi të përzgjedhura me mjeshtëri artistike, Don Lushi jep biografitë e personaliteteve, analizon kontekstin e kohës kur ata vepruan dhe nxjerr mesazhet nga vepra e tyre, mesazhe këto të dobishme për njeriun e çdo kohe. Në këtë aspekt, për autorin, gjithnjë referencë dhe rezervat i pashterur mbetet Bibla dhe mësimi biblik.
Don Lushi trajton figurën e shkrimtarit meditant, nobelistin R. Tegora. Ai u shqua s’i shkrimtar jashtëzakonshëm, që gjeti forcë dhe inspirim nga dashuria për Hyjin dhe atë e shprehu në vargjet e tij të karakterizuara me një frymë thellësisht humane e të krishterë, një frymë kjo artistike, që ka lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën botërore.
Autori një vëmendje të posaçme u kushton figurave që më stoicizëm, pa e përdorur dhunën, realizuan qëllime të larta politike e humane, siç janë Gandhi, Martin Luter Kingu, Nënë Tereza, apo nobelisti i paqes, Albert Schëetzer etj. Është me rëndësi të përmendim se një vëmendje, autori do t’ i kushton figurës së kardinalit Mikel Koliqi, që personifikon tragjedinë e kishës shqiptare nën thundrën komuniste, por edhe triumfin e saj, me këtë prelat të lartë.
Për autorin, figura e Atanagorës, gjithashtu me origjinë shqiptare, përben një realitet të ri për botën e humanizmit dhe mirëkuptimit, sepse ai u bë një flakadan i paqes dhe dialogut, një protagonist i fuqishëm i ekumenizmit.
S’ka sesi larg vëmendjes së autorit të mbetet figura e Nënë Terezës, për të cilën autori Don Lush Gjergji ka shkruar shumë.
Në galerinë e personaliteteve botërore, është kënaqësi të shihesh se si në ato lartësi, me pietet dhe dinjitet, autori vendos tre shqiptarë dhe kjo është një vlerë që duhet përgëzuar.
Çfarë e karakterizon librin e Don Lushit?
Sot shkruhet shumë, marrim informacione nga forma të ndryshme të komunikimit publik, por rrallë kemi këtë mundësi, të kemi përpara nesh një libër, që fund e krye, me të dhëna të shumta dhe ilustrime të bukura, e vë në pah të mirë dhe të bukurën. Shoqëria e sotme, e në këtë kontekst, edhe kjo e jona, është e tunduar të ngarend pas lajmeve të trishta dhe të le në harresë ato të mirat. E Don Lush Gjergji e bën të kundërtën. Ai nëpërmjet paraqitjes së këtyre personaliteteve pozitive, që janë shembull dhe model për çdo njeri, jep mesazhe paqeje, nxit ide mirëkuptimi, tolerance, mirëbërësi dhe dashurie. Nisur nga ky prizëm, ai nga çdo personalitet, nxjerr të mirat për jetët tona.
Bota jonë e trazuar, nga ky libër mund të mësojë, se paqen, mirësinë e dashurinë për njëri tjetrin, e nxisin dhe promovojnë njerëzit vullnetmirë, që janë në gjendje të sakrifikohen për të mirën e përbashkët.
Njëherë, duke mbajtur ligjërata në Harvard, një student e kishte pyetur Hose Luis Borgesi, ndoshta shkrimtarin ma të ditur i të gjitha kohërave: A i ka shkruar shpirti i Hyjit librat e Shenjtë? E Borgesi, i ishte përgjigjur, studentit se për të, çdo libër e shkruan një shpirt i shenjt. Ai besonte vërtet në shenjtërinë e librit.
Të rrallë janë ata libra që kanë harmoni mes përmbajtjes dhe librit fizik. Ky libër, i shkruar me përkushtim dhe pasion, vjen para botës sonë të trazuar me tërë përmasën e fuqisë që mbart e bukura dhe e dobishmja, sepse, siç do të thoshte Brogesi, është i shkruar nga një shpirt i shenjtë. Libri është përkthyer nga punëtori i zellshëm dhe i palodhur, Marjan Sebaj-Sopi./KultPlus.com
Comments
Post a Comment