Shpend Sollaku Noè: Poezia shqiptare ka nevojë të globalizohet
Këto
rreshta janë përshtypje dhe jo sentenca. Gjykoj i nisur nga aq sa kam
mundur të lexoj prej poezisë së sotme shqiptare, pasi njohja e
tërësishme e saj më është e pamundur. Nuk do të flas për poetët me stazh
të gjatë, që sot lëpijnë atë që pështynë në vitet para '90-ës. Gjithçka
më poshtë vlen për poetët e rinj shqiptarë, prej të cilëve pritet
turbullimi i ujrave, por edhe për ata që ishin dhe mbeten të përjashtuar
prej sofrës së klaneve që iu përshtatën nomenklaturës së re. Sipas meje
poezia e sotme shqiptare është në krizë të thellë. Sidoqoftë ajo nuk
është e vetmuar në sëmundjet e saj. Edhe poezia evropiane nuk pëlcet nga
shëndeti. Por unë do të veçoja sindromat e përbashkëta që kryesisht i
kanë larguar ato nga lexuesi: temat e trajtuara pak interesante si dhe
mënyrën e paqartë e alkimiste me të cilën ndërtohet figuracioni, që
vështirësojnë komunikimin e poezisë me lexuesin e gjerë, duke e
trasformuar atë në ushqim shpirtëror të patretshëm.
Veç
këtyre poezia shqiptare ka edhe sëmundjet e saj specifike. Si poezi me
rrënjë në një të kaluar nën çensurë frymëmbytëse, ajo u harlis në vitet e
mëpastajme. Por jo të gjitha shpërthimet janë ndryshime drejt të mirës.
Kur liria për të shkruar shndërrohet në anarki perverse kjo dëmton
sidomos poezinë, si zhanër i posaçëm i shprehjes së emozionit të çastit.
Tematika e poetëve tanë të rinj në shumicën e rasteve është dashuria.
Por shpesh ajo përcillet në mënyrë mjaft të përciptë deri në banalitet.
Në këtë drejtim më duket një poezi «pa brekë». Por jo gjithmonë nudoja
është tërheqëse. Në emër të modernizimit është i papranueshëm himnizimi i
drogës apo i kurvërisë. Ajo që mungon puthuaj krejtësisht në poezinë
shqiptare është motivi social-politik. Edhe kur trajtohet, në të vihet
re një ndikim i hapur i grigjës politike të cilës i përket autori.
Shpesh vë re edhe një nacionalizëm të sëmurë. Poezia shqiptare ka nevojë
të globalizohet, pa i braktisur rrënjët nga të cilat është ushqyer. Kjo
arrihet duke bërë global karakterin tonë kombëtar. Dhe imponohet me një
cilësi të lartë. Një tjetër e metë kryesore në shkrimet e sotme
shqiptare, jo vetëm në poezi, është mungesa e vetëçensurimit. Sapo
dikush bën bashkë nja pesëdhjetë poezi, boton menjëherë librin e parë.
Këtu ka «faj» edhe mungesa e kritikës së specializuar. Nuk e kam fjalën
për lavdërimet brënda klaneve të njohura. As për intervista e shkrime
për autorë dhe libra që një artikullshkrues as që ka lexuar. Mungojnë
monografitë. Janë bërë tentativa pa sukses për të shkruar diçka, por me
njohje e studim të pamjaftueshëm. Ato botime plot me lista emrash u
ngjajnë coprave të letrës që përgatisin gratë para se të bëjnë
shpenzimet. Këtij kaosi të vetmit që i gëzohen janë botuesit. Mjafton
t'i paguash në cash. Shpesh kam lexuar – edhe nga autorë me një farë
përvoje – vargje të mahnitshme, por që gjuhësisht janë shkruar keq. Nuk
njihet mirë as sintaksa, as morfologjia e as leksiku i pasur i shqipes:
kushte këto të domosdoshme për të përcjellë siç duhet mendimin tek
lexuesi.
Shpend Sollaku Noé ( Shenime te shkruara ne kuadrin e nje anketimi te "Fenix" rreth poezise se sotme shqiptare).
Shpend Sollaku Noé ( Shenime te shkruara ne kuadrin e nje anketimi te "Fenix" rreth poezise se sotme shqiptare).
Comments
Post a Comment