Mikrobët e gjuhës shqype - At Gjergj Fishta
- Get link
- X
- Other Apps
Në foto: Aleksander Stavre Drenova (Asdreni), Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci. At a Tefta Tashko Koco concert in Shkodër, 1938.
Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji
t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i
të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka
mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej
gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me
thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta,
shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u
zhdrivillue ma fort. Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi
shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë
ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem
të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk
flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në
oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet
që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk
mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj.
janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nen
shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë
shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe
aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës
njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe
ndonji liber shqyp,
botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a
me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë
ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per
t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta
si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye
dhambët e tmallët e shëndosha. Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë,
kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì,
të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë
shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet
porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi,
që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype,
kishte me u dashë me e quejtë sallahane. E, ka asish masandej, e janë
sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të
cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per
t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë
drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per
t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që
ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj
breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare,
per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta
që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestarvet
i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun
fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë,
per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në
kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e
bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke
mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të
gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e
besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo
fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo
e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë
kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e
kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue
folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji
etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper. Kahë pritojnë me u vu e me zanë
më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të
veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë
të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu,
kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha
shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu
me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna
kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e
me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim,
mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje.
Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht
rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u
dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të
sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye,
pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë
letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me
mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që
shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i
shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.
(nga “Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).
- Get link
- X
- Other Apps
Comments
Post a Comment