PËRSE TRURIT I PËLQEN LETRA, PSE LIBRI ESHTE DHE DUHET TE JETE PERSERI I KERKUAR

Tabletët dhe Smartphonët janë bërë të popullarizuar pasi që teknologjitë e tyre kanë përparuar, mirëpo leximi nga letra ka përparësi të pamohueshme. Në përgjithësi, hulumtimi nëpër tekst në ekran është kognitivisht më i ngadalshëm. Shfletimi kërkon përqendrim të vazhdueshëm, dhe ekranet LCD në tabletë dhe laptop i rrezatojnë sytë dhe shkaktojnë kokëdhembje duke ndriçuar direkt në fytyrën e njeriut. Hulumtime preliminare njoftojnë se madje edhe ata që e quajnë veten komplet të digjitalizuar më lehtë e rikujtojnë një pjesë të ndonjë tregimi të lexuar në letër për shkak se librat elektronikë dhe tabletët e dekoncentrojnë mendjen e lexuesit. Ndoshta përparësia më e madhe e letrës është lehtësia dhe thjeshtësia e saj.

Hulumtimet e dy dekadave të fundit tregojnë që lexuesit kuptojnë dhe mbajnë mend më mirë tekstin e lexuar nga letra se sa nga ekrani kompjuterik. Ekranet e dobësojnë të kuptuarit duke e penguar lexuesin që intuitivisht të navigojë dhe të formojë harta mentale të teksteve të gjata, shkruan Mesazhi.
Njëra nga videot në Youtube më provokative në lidhje me këtë temë paraqet një vajzë njëvjeçare duke luajtur me Ipad dhe duke i ç’vendosur ikonat e tij; në skenën vijuese ajo i klikon dhe mundohet të luajë me fotografitë e faqeve të një reviste sikur të ishin edhe ato ekrane ipadi. Për babanë e vajzës - videoja “A magazine is an Ipad that does not work” – është një evidencë e transformimit të gjeneratave.
Mirëpo përkundër teknologjisë së përparuar dhe ekraneve gjithnjë e më të përshtatshme, shumica e studimeve vetëm se i konfirmojnë konkluzat e mëhershme: Letra ka ende përparësi ndaj display-ve si medium leximi. Në krahasim me letrën ekranet harxhojnë më shumë resurse mentale gjatë leximit dhe e vështirësojnë mbamendjen. Me apo pa dashje, njerëzit iu qasen kompjuterëve me më pak koncentrim gjatë leximit sesa librave. Edhe pse shkronjat dhe fjalët janë simbole që paraqesin zëra dhe ide, truri i sheh ato si objekte fizike, madje tërë tekstin truri e percepton si një peizazh fizik. Gjatë leximit në trurin tonë krijojmë një reprezentim mental të tekstit. Natyra e saktë e këtij reprezentimi mbetet ende e paqartë, por disa shkencëtarë mendojnë se janë të ngjashme me hartat mentale të terreneve siç janë kodrat dhe luginat, apo hapësirat e brendshme siç janë dhomat e zyrat.
Në shumicën e rasteve librat kanë një topografi më të qartë sesa tekstet onscreen. Një libër i hapur e ka faqen e djathtë dhe të majtë dhe ka tetë kënde në bazë të të cilave orientohet lexuesi. Lexuesi mund të fokusohet në një faqe të vetme pa e humbur perspektivën e shikimit mbi tërë librin; e ndjen numrin e faqeve të lexuara ndaj atyre të palexuarave. Shfletimi i faqeve në libër lë gjurmë në lexuesin – ka ritëm dhe efekt vizual që tregon se sa larg ka udhëtuar lexuesi. Të gjitha këto veti e bëjnë të lehtë formimin e hartave mentale të tekstit.
Përkundër kësaj, shumica e pajisjeve elektronike ia ndërpresin rrugën navigimit intuitiv në tekst dhe e pengojnë lexuesin të formojë harta të udhëtimit të tij nëpër tekst. Lexuesi e ka mundësinë ta ecë tekstin, ta kalojë tërë faqen me një klik ose ta gjejë një frazë të veçantë – por është vështirë ta sheh një paragraf në kontekst të tërë tekstit. Analogjikisht paramendoni nëse Google Maps iu lejon t’i shihni rrugët njërën pas tjetrës dhe gjithashtu të katapultoheni te ndonjë adresë e caktuar, por mos t’u lejojë të zvogëloni pamjen dhe të ngriheni lartë për ta parë rrethinën, tërë qytetin apo shtetin. Ngjashmërisht me këtë shikimi në shiritin anësor ju jep një ndjenjë të zbehtë të faqeve të lexuara dhe të palexuara. Ndjenja e formuar indirekt se ku gjendesh në tekst na del të jetë më e rëndësishme sesa mendonim më parë.
Shkencëtarë të tjerë pajtohen se leximi në ekrane është më pak i kuptueshëm për shkak se kërkon përqendrim më të madh mendor dhe është fizikisht më i lodhshëm se sa në libër. Ekranet e sotme LCD janë dukshëm më të mirë për sy sesa të mëhershmit, megjithatë leximi i gjatë në ekrane të vetëndriçueshme mund të shkaktojë lotim të syve, kokëdhembje dhe pamje të mjegulluar. Në një eksperiment nga Erik Wästlund në Universitetin e Karlstadt në Suedi, personat që iu nënshtruan një testi të të kuptuarit në kompjuterë arritën më pak pikë dhe përjetuan shkallë më të lartë të stresit dhe lodhjes sesa personat që e bënë testin në letër.
Statistikat dhe raportet e konsumatorëve tregojnë se aspektet sensorike të librave çojnë peshë te lexuesit më shumë sesa mendohet: prekja e letrës dhe e ngjyrës; mundësia e shfletimit të faqes me gishta; zhurma e fletës gjatë shfletimit. Deri më tani tekstet digjitale nuk ia prekin lexuesit këto ndjenja. Librat nga letra kanë një peshë dhe formë unike. Neve na kujtohet menjëherë pamja dhe madhësia e ndonjë libri voluminoz me kopertina të forta që e kemi lexuar dhe na kujtohet pamja e ndonjë broshure me pak faqe. Përkundër kësaj tekstet digjitale, edhe pse gjatësia e tyre shihet në shiritin anësor, ato nuk kanë trashësi dhe formë të veçantë. Një Ipad, E-reader apo PC ka gjithmonë peshën dhe formën e njëjtë pa marrë parasysh se cilin libër e lexoni.
Për ta mbuluar këtë zbrazëti shumë dizejnerë kanë punuar shumë që t’i pajisin E-Reader-at ose tabletët me funksione dhe efekte të përafërta sikur të lexuarit në libra, si për shembull emitimi i shfletimit. Këto funksione më shumë janë estetike sesa funksionale. Ndërsa disa inovatorë digjital nuk mundohen aspak ta imitojnë librin. Në vend të asaj ata po e zhvillojnë leximin nga ekrani si diçka komplet e re. Disa media kanë shkruar artikuj vizual që nuk mund të shtypen në letër për shkak se teksti mbulohet me filma të shkurtë dhe aty ka të futura audio klipe që të krijojnë te lexuesi një ndjenjë kinematografike.
Pra, kur kemi të bëjmë me lexim intensiv të pjesëve të gjata të teksteve letra dhe ngjyra kanë ende më shumë përparësi por kjo nuk mbetet mënyra e vetme e të lexuarit. 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk