Shqipëri - kohë të vështira mbijetese për bukinistët

Për bukinistët e Tiranës kanë ardhur kohë të vështira. Ndërkohë që kriza ka tkurrur xhepat e kalimtarëve, pasigurisë për të ardhurat e ditës i shtohet edhe kërcënimi nga policia tatimore.

Nëse dëshiron të gjesh libra të rrallë, të vjetër apo që sot nuk botohen më, mjafton të shkosh në qendër të Tiranës. Në parkun ”Rinia”, në rrugët, trotuarët dhe urën mbi lumin e Lanës, që lidh këtë park me lagjen e “Bllokut” gjen bukinistët e kryeqytetit. Dhjetra- qindra libra letrarë, shkencorë, historikë, enciklopedi, metoda mësimi gjuhësh të huaja në shqip dhe gjuhë të huaja ekspozohen para kalimtarëve. Arben Kola është njëri prej bukinistëve të Tiranës që i ka vendosur librat e tij mbi njërin nga parmakët e gjerë prej betoni të kësaj ure. Nga kalimtarët e shumtë që shkojnë dhe vijnë mbi urë ka syresh që ndalojnë, lexojnë titujt, kërkojnë me durim dhe më në fund blejnë librin që duan, të tjerë largohen pa blerë asgjë.
Pamje ilustruese
Pamje ilustruese
Afrohem dhe shoh kopertinat e librave: metodë mësimi “Deutsch 1”, botuar në Tiranë në 1992, libri në gjermanisht “Helden, helfer und Genius” – ( Heronj, Ndihmëtarë dhe Gjeni) ” botuar në 1992 në Hamburg, enciklopedi, fjalorë, romani “Valë të nxehta në Berlin” i shkrimtares australiane Dimfna Kusak, botuar 1962 në Tiranë, botime të Enver Hoxhës të para 40 viteve , botime të vjetra në shqip të Balzakut, Stendalit, Gogolit, Kadaresë, Petro Markos që nuk i gjen sot në libraritë e Tiranës.
“ Kam 15 vjet që bashkë me gruan time fitoj jetesën në këtë mënyrë: blej dhe shes libra të vjetër dhe të përdorur. Ka njerëz të moshuar, pensionistë që më sjellin libra për të patur ca para më shumë se pensionet e tyre prej 100 euro në muaj, të tjerë m'i sjellin nga biblioteka të vjetra, familiar, të trashëguara brez pas brezi. Ndofta nuk kanë vend ku t'i mbajnë në banesat e e tyre, ndofta kanë nevojë për para. Nuk mbetem asnjëherë pa libra të vjetër dhe të përdorur, fitoj sa për të jetuar, nuk gjej punë tjetër” thotë Arben Kola për DW.
Kur libri është i mirë dhe çmimi i lirë
Bukinistët në qendrën e Tiranës janë shtuar. Nuk gjejnë punë tjetër, nuk kanë kualifikime profesionale por nuk mungojnë as ata që janë të apasionuar pas kësaj lloj tregëtie. Por edhe kur në mes futet pasioni të jesh bukinist nuk është punë e lehtë. ” Më duhet të gjej libra të vjetër, të bie dakort për çmimin, të bëj parapagime për libra që mund të mos shiten, të qëndroj më këmbë nga mëngjesi deri sa ngryset për fare pak para. Ka ditë kur nuk shes asnjë libër, është kohë krize, njerëzit kursejnë për të jetuar. Fitoj 100- 150 euro në muaj, me të cilat mbaj veten dhe familjen time”, thotë Arben Kola.
Në foto, Marjana Krujatari
Në foto, Marjana Krujatari
Çmimet e librave në tregun e bukinstëve variojnë nga 2 deri në 10 euro, këto të fundit për enciklopedi në gjuhë të huaj dhe fjalorë. Një grua pranë meje blen për 3 euro ose 400 lekë, “Dashuri në kohë të kolerës” të Gabriel Garcia Marquez. Është farmaciste, quhet Marjana Krujatari, ka dy djem që studiojnë në universitetet jashtë Shqipërisë dhe që ajo i mbështet financiarisht . “Këtu gjej libra të mirë dhe me çmim të lirë. Tani në ekonominë e tregut të lirë botohen shumë, kushdo që ka para mund të shkruajë dhe botojë libra. Por jo çdo gjë që botohet ka vlera, sidoqofshin ato artistike apo historike. Edhe çmimet në librari janë të kripura, sa edhe kur me pëlqen ndonjë libër i ri nuk e blej dot. Librat e rinj i shkëmbejmë mes kolegesh dhe miqsh.” thotë Marjana.
Albani, i sapodiplomuar arkitekt, është një tjetër vizitor i rregullt i librave në parmakun e urës së Lanës.”Gjej libra shumë të mirë që nuk i gjej në librari, vij të dielave kur nuk shkoj në punë, bashkë me të dashurën time dhe gjithmonë blejmë ndonjë libër, sado që të kushtojë”, thotë ai për DW.
Albani, i sapodiplomuar arkitekt, është një tjetër vizitor i rregullt i librave në parmakun e urës së Lanës
Albani, i sapodiplomuar arkitekt, është një tjetër vizitor i rregullt i librave në parmakun e urës së Lanës
Biznes pa ligj dhe rregulla, buknistët nën kërcënimin e policisë tatimore
Për bukinistët e Tiranës kohët janë të vështira. Kriza ka tkurrur xhepat e kalimtarëve. Blerjet kanë rënë. Pasigurisë për të ardhurat e ditës i shtohet kërcënimi nga policia tatimore. Ndryshe nga vendet e Europës Perëndimore dhe sidomos Franca ku për herë të parë, në shekullin 16-të, lindën “bouquinistet”, ku ka ligje dhe rregulla të përcaktuara për këtë biznes, në Shqipëri ato nuk egzistojnë. Bukinistët shqiptarë nuk paguajnë taksa për hapësirën publike që zënë me librat e tyre dhe nuk gëzojne përkrahjen e strukturave të Bashkisë së Tiranës. Policia bashkiake dhe ajo tatimore mund t'i dëbojë apo t'u konfiskojë librat për informalitet. Arben Kola nuk pranon të dalë në fotografi sepse i trembet policisë tatimore. ”Mos më shkakto telashe, kam boll “më thotë kur i them nëse më lejon t'i bëj një fotografi tek parmaku i urës, pranë librave të tij.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk